E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE mbështet luftën kundër pastrimit të parave në Shqipëri

24-06-2011 / Gazeta 55

Projekt binjakëzimi, financimi 1.5 milionë euro

U prezantua dje projekti 2 vjeçar i financuar nga Bashkimi Europian me 1.5 milion euro në mbështetje të luftës kundër pastrimit të parave në Shqipëri. Partnerët e këtij projekti binjakëzimi, Instituti Spanjoll i Studimeve Fiskale dhe Departamenti Bullgar i Inteligjencës Financiare, do të ndihmojnë autoritet shqiptare në përmirësimin e zbatimit të Ligjit Anti-Mafia dhe ligjeve të tjera përkatëse, duke ofruar ekspertizën e Shteteve Anëtare në hetimin, zbulimin dhe ndjekjen penale të pastrimit të parave, në konfiskimin dhe administrimin e aseteve të krimit, dhe në koordinim efektiv ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit.
Partnerët spanjollë dhe bullgarë që do të zbatojnë këtë projekt binjakëzimi do të ndihmjnë  autoritetet shqiptare për kapërcimin e sfidave për hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të pastrimit të parave nëpërmjet: përmirësimit të procedurave të punës dhe teknikave hetimore të prokurorëve shqiptarë dhe policisë shqiptare për zbulimin dhe ndjekjen penale të pastrimit të parave; rritjes së kapaciteteve të Njësisë së Inteligjencës Financiare shqiptare për të analizuar të dhënat që vijnë nga Raportet e Transaksioneve të Dyshimta; mbështetjes së Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara në hartimin e ndjekjen e procedurave për administrimin dhe vënien në ankand të pasurive të konfiskuara; hartimit të procedurave standarde operative për shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin mes Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, institucioneve të gjyqësorit, agjencive tatimore dhe doganore, Bankës së Shqipërisë dhe bankave të nivelit të dytë, dhe; nëpërmjet forcimit të bashkëpunimit me aktorët ndërkombëtare dhe rajonale si Interpoli dhe Europoli.

Ettore Sequi: BE kërkon sanksione të ashpra
Gjatë ceremonisë së prezantimit, Shefi i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ambasadori Ettore Sequi theksoi rëndësinë e stabilitetit të personelit dhe bashkërendimit mes agjencive të zbatimit të ligjit për suksesin e këtij projekti dhe për një luftë efektive kundër krimit të organizuar. Ambasadori Sequi vuri në dukje se “nevojitet angazhimi i disa agjencive, dhe sidomos angazhimi i Prokurorisë së Përgjithshme, Policisë së Shtetit Shqiptar dhe Njësisë së Inteligjencës Financiare. Është përgjegjësi e tyre për të përfituar nga trajnimet dhe ekspertiza, për të siguruar stabilitetin e stafit dhe për të lejuar në këtë mënyrë që personeli i trajnuar të sjellë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar. Është përgjegjësia e tyre të koordinojnë dhe të bashkëpunojnë për të sjellë këto rezultate”. Ai theksoi nevojën për një sistem ligjor të organizuar për të luftuar krimin e organizuar. “Kjo nënkupton, shtoi ai, vullnet të prerë politik, vizion të përbashkët, dhe aksion të fortë për t’u treguar qytetarëve të ndershëm dhe kriminelëve se krimi nuk shpërblen”.
Asistenca e mëparshme e BE ka përfshirë mbështetje për kapacitetet profesionale të Njësisë së Inteligjencës Financiare (€1.3 milion), për infrastrukturën dhe pajisjet e Njësisë, dhe për zhvillimin e programeve analitike (€0.3 milion) për të përmirësuar menaxhimin e rasteve dhe mbledhjen e të dhënave.

Bujar Nishani: Prioritet kyç i Ministrisë së Brendshme
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, deklaroi dje se lufta pa kompromis kundër krimit financiar dhe goditja e të ardhurave që rrjedhin nga aktivitete kriminale, mbetet një ndër qëllimet kryesore të Qeverisë si dhe institucionit që ai drejton. I pranishëm në prezantimin e Projektit të Binjakëzimit të KE-së, në mbështetje të strukturave të hetimit dhe luftës kundër krimit ekonomik dhe pastrimit të parave, Nishani siguroi se “zbatimi i këtij projekti do të fuqizojë institucionet e zbatimit të ligjit si dhe do të forcojë bashkëpunimin mes tyre në luftën për parandalimin dhe goditjen e aktiviteteve kriminale, duke bërë të mundur uljen e fenomenit të korrupsionit dhe pastrimit të parave”.
Nishani u ndal edhe në Ligjin e Ri të Antimafias, si  një mekanizëm i fuqishëm për të luftuar fenomenin e pastrimit të parave. Ai tha se “vetëm pak kohë pas zbatimit të këtij ligji në Shqipëri, kemi pasur raste të konfiskimit të pasurive të paligjshme, çka tregon se ky mekanizëm funksionon, por në të njëjtën kohë kërkon përkushtim dhe bashkëpunim sa më të mirë të institucioneve të drejtësisë”.
Për ministrin e Brendshëm, përfshirja e institucioneve në projekte që nxisin dhe zhvillojnë  kapacitetet, veç të tjerash, është edhe një detyrim më tepër për të rritur standardet dhe për të qenë më efikas në punën e tyre.
“Ky projekt do të fuqizojë edhe më tej efektivitetin e punës së institucioneve, forcimin e bashkëpunimit për parandalimin, zbulimin, hetimin dhe procedimin e krimit financiar dhe atë të pastrimit të parave, duke bërë të mundur uljen e nivelit të tyre”, siguroi Nishani.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›