E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana dhe Prishtina aksion lobimi anti-Marty

Ministrat e Jashtëm koordinojnë veprimin Haxhinasto: Ta godasim në pikën më të dobët

Tirana dhe Prishtina zyrtare kanë ndërmarrë një aksion të përbashkët diplomatik për t’iu kundërvënë raportit të Dick Marty-t dhe qarqeve që e kanë sponsorizuar këtë veprim politik. Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto, ka zhvilluar dje një takim me homologen e tij të Kosovës, Vlora Çitaku, në të cilin është folur për një ofensivë diplomatike anti-Marty. Ministri Haxhinasto deklaroi se “mënyra më e mirë për t’iu vënë një raporti të tillë, që është i pabazuar në fakte dhe thellësisht politik, është pikërisht që ta godasim atë në pikën më të dobët, në mungesën e fakteve. Prandaj, së bashku kemi shprehur gatishmërinë e plotë të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, për të vijuar, e theksoj për të vijuar, pasi ka pasur një bashkëpunim me të gjitha institucionet ndërkombëtare ligjore që merren me këtë çështje, për të qenë krejtësisht të hapur që të realizohet një proces hetimi i plotë i të gjitha akuzave apo pretendimeve që paraqiten në raport”. Shefi i diplomacisë shqiptare ka përsëritur gjithashtu edhe vullnetin e qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës, që janë krejtësisht të hapura për çdo lloj forme hetimi të pretendimeve të krijuara në raport. Ndërkaq, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Vlora Çitaku, deklaroi pas takimit me Haxhinaston, se “rikonfirmuam vullnetin e institucioneve tona përkatëse për t’u angazhuar fuqimisht që ky raport në fjalë të zbardhet deri në pikën e fundit. Askush më shumë se Kosova dhe Shqipëria nuk ka nevojë që ky raport të zbardhet dhe ky raport të shpërbëhet pikërisht aty ku ka mungesën më të madhe, mungesën e fakteve. Ne jemi të hapur për hetime të reja, sepse hetime në këtë pikë ka pasur nga mekanizmat ndërkombëtarë, mirëpo ne kërkojmë që ato të bëhen sërish. Kosova nuk mund të jetojë, Shqiptarët në Ballkan nuk mund të jetojnë përjetësisht me këtë barrë mbi supet e tyre. Ne kërkojmë që ky raport të zbardhet dhe Kosovës, por edhe Shqipërisë, t’i lehtësohet rruga drejt familjes europiane, aty ku dhe e kanë vendin”. Në takimin mes dy ministrave të Jashtëm, është folur edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve. Haxhinasto deklaroi se “e kam garantuar znj. Çitaku se Shqipëria do të vazhdojë përpjekjet e saj të pareshtura për rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës, të pavarësisë së saj, deri në anëtarësimin e saj të plotë në Kombet e Bashkuara”. Ndërsa shefja e diplomacisë së Kosovës ka shtuar se “Kosova ka ende shumë sfida para vetes, të cilat kanë të bëjnë me proceset integruese europiane dhe euroatlantike. Në vazhdimësi ne kemi edhe mbështetjen e Republikës së Shqipërisë në përpjekjet e përbashkëta për të lobuar, që Kosova të ketë sa më parë vendin e saj në organizmat ndërkombëtarë. Po kështu biseduam edhe për avancimin e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›