Ngjela Do te rinisin protestat
Pas kërkesës për marrëveshje, opozita radikalizon fjalorin politik. Madje paralajmëron tensione sociale në Shqipëri, nëse hetimi parlamentar i saj për zgjedhjet e qershorit 2009 nuk do të miratohet. Artikulues i gjuhës së fortë edhe kësaj radhe ka qenë përfaqësuesi i Opozitës së Bashkuar, Spartak Ngjela, i cili ka bërë me dije një linjë të re të politikës deklarative opozitare. “Çështja e parë është komisioni i hetimit parlamentar për kutitë e materialeve zgjedhore, i cili krijon dhe mundet të shkaktojë një pështjellim shumë të madh në Shqipëri, në rast se do të refuzohet... Mosqeverisja, paligjësia e qeverisë dhe korrupsioni konvergojnë në një pikë. Kjo qeveri duhet të largohet. Në rast se nuk largohet dhe refuzon të bëjë transparencën, do të ketë përplasje të madhe shoqërore”, tha Ngjela. Nisur nga tradita e deritanishme e opozitarizmit të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj, ky qëndrim nënkupton më pak sesa fjala përplasja shoqërore e ngarkon veten. Bllokim aksesh nacionale apo edhe greva e demonstrime janë pjesë e një regjistri politik të kultivuar tanimë për selinë rozë.