Deputetet e opozites sot perplasje e forte ne Kuvend per hetimin e zgjedhjeve
Grupi i Partisë Socialiste ka vendosur dje të rimarrë qëndrimin e fortë për sa i përket krizës politike në vend. Diskutimi i zhvilluar në mbledhjen e djeshme është përqendruar në temat e ditës, të cilat me këtë fundviti kapin edhe afatet finale ligjore për një shqyrtim serioz nga ana e shumicës. Kështu është rënë dakord që në seancën e sotme të diskutohet me forcë rreth çështjes së krizës politike në vend, mundësive të kompromisit dhe miratimit të kërkesës socialiste për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Kështu, ekipi socialist do të shfrytëzojë sot mundësinë e fundit institucionale për këtë sesion për të folur dhe kërkuar atë që prej dy vjetësh mbetet thelbi i krizës politike në vend. Në këtë kontekst, Partia Socialiste ka vlerësuar se tanimë, në kushtet kur shumica ka refuzuar edhe ofertën e fundit, momenti politik favorizon iniciativën e opozitës. Për të rritur tensionin komunikues me publikun, por edhe për të ngulitur idenë e një krize, e cila nuk mund të mbulohet më me heshtje, duket se deputetët e saj do të diskutojnë gjerësisht dhe shumë ashpër sot në seancë. Po kështu, një pikë me rëndësi ka qenë edhe trajtimi i çështjes më të re, e dalë në sipërfaqe dje, teksa nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, i ka mbërritur një letër kërcënuese e firmosur nga i mirënjohuri Daut Kadriovski. Lidhur me këtë çështje, grupi ka qenë unanim teksa ka miratuar qëndrimin e deputetit Braçe. “Do të doja që të sjell në vëmendjen tuaj që kjo konferencë shtypi e imja është pothuajse e çdo anëtari të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, me gjithë vëmendjen dhe gjithë mbështetjen e çdo deputeti të grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë”, është shprehur vetë nënkryetari i grupit socialist menjëherë pas mbledhjes së djeshme. Për trajtimin e kësaj çështjeje bëhet e ditur se selia rozë do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, pa lënë të qetë organin e akuzës, por pa e integruar gjerësisht si prioritet politik. Arsyeja e këtij “aneksimi” është pse “CD e Kadriovskit” vlerësohet thjesht si manifestim i nervozizmit të Kryeministrit dhe përdorimit prej tij të mjeteve të vjetra në politikë.