E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule Minoriteti vendos per bashkite ne Jug

Fushata “As PD-ja, e as PS-ja nuk i kanë fituar bashkitë pa mbështetjen e PBDNJ-së”

SARANDË. Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe ai i “OMONIA”-s, Vasil Bollano kanë organizuar një takim disa orësh në Sarandë. Pjesëmarrës në këtë takim kanë qenë të zgjedhur nga Saranda e Delvina. Dule ka veçuar katër momente shumë të rëndësishme, përpara të cilave gjendet minoriteti etnik grek dhe përfaqësuesit e tij. Si të tilla ai ka konsideruar mbajtjen e kongresit të OMONIA-s në janarin e vitit 2011, regjistrimin e pronave të minoritarëve, regjistrimin e popullsisë dhe zgjedhjet vendore të 8 majit.

Dule theksoi se, “OMONIA” lindi si organizatë etnike, do të vazhdojë të jetojë si e tillë dhe askush nuk ka mundur të ndryshojë kursin e saj apo të thotë se nuk gjendet në pozicionin e duhur. Si kundërargument ndaj akuzave për mungesë të frymës moderne dhe demokracisë në “OMONIA”, Dule tha se, “do të donim të gjithë që të kishim një organizatë etnike perfekte, por edhe makineritë superteknologjike që ka bërë njeriu nuk funksionojnë pa defekte, pasi edhe ato kanë probleme”. Si një veçori të “OMONIA”-s, Dule ka sjellë faktin që në 20 vjet ka ndërruar 7 kryetarë, duke e paraqitur këtë si një element të shprehjes së demokracisë së zhvilluar. Sipas tij, një demokraci e tillë u mungon edhe partive të mëdha shqiptare. Nga ana tjetër, Dule ka pranuar se ajo që duhet ndryshuar në “OMONIA” nuk është tek orientimi i saj, por në nivelin e funksionimit të forumeve, pasi sipas tij, “OMONIA” nuk është kryetari, dhe as Këshilli i Përgjithshëm, por ka nevojë për kontribute lokale.

Duke u ndalur në regjistrimin e popullsisë, Dule tha se ai duhet bërë sipas standardeve europiane, pasi spekulimet me numrin e popullsisë minoritare, sipas tij janë pa fund. “Regjistrimi real dhe sipas asaj që kërkojnë organizmat ndërkombëtare, - u shpreh Dule, - do të bëjnë që të kapërcehet situata aktuale, kur nuk dihet cila është kombësia, rrënja dhe gjuha e secilit”. Për këtë proces, kreu i PBDNJ-së tha se nuk ka ende asnjë hap konkret për kuadrin ligjor që do të garantojë një proces të rregullt dhe transparent”.

Zgjedhjet vendore ishin momenti ku Dule qëndroi më gjatë në takimin e së martës, në Sarandë. Duke iu referuar rezultateve të vitit 2007, ai vlerësoi se u arritën përqindjet më të mira të atyre zgjedhjeve vendore. “Duhet të vemi atje, - ka apeluar ai, - për bashkitë e Sarandës dhe Delvinës”. Duke bërë fjalë për pretendimet zgjedhore të vitit 2011, Dule u tha të pranishmëve se, “asnjë nga partitë e mëdha nuk e ka të lehtë të marrë Bashkinë e Sarandës apo Delvinës, pa mbështetjen e PBDNJ-së”.

Për sa u përket problemeve në drejtim të respektimit të të drejtave, u qëndrua në përdorimin e gjuhës amtare nga pakicat, respektimi i kuadrit ligjor, duke sjellë shembuj nga fshirja e tabelave të shkruara në gjuhën greke nëpër rrugë, etj.

Në përgjigje të pyetjeve që u drejtuan nga të pranishmit, Dule bëri publike edhe qëndrimet zyrtare të qeverisë. Krijimin e partisë MEGA ai e quajti “diversion të Kryeministrit Berisha për të përçarë organizatën “OMONIA” e PBDNJ-në dhe për t’i kontrolluar ato. Më tej Dule denoncoi për largimet nga puna në administratën shtetërore për arsye të bindjeve e pozicionimeve politike dhe përkatësisë etnike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›