Babai i plagosur nga e bija rrezikon jeten
Përkeqësohet gjendja shëndetësore e 58-vjeçarit nga Fieri, i cili u plagos dy ditë më parë me thikë nga e bija 14-vjeçare. Sipas mjekëve të spitalit rajonal të Fierit, Lili Bushi i është nënshtruar një operacioni të ndërlikuar dhe ende ndodhet në gjendje kritike për jetën. Ai ka marrë katër plagë, tre prej të cilave në shpatull dhe një në pjesën e barkut, mbi kërthizë, e cila ka qenë e thellë.
Për Lili Bushin kujdeset vajza e madhe, e martuar në Vlorë dhe familjarë të tjerë. Ndërkaq, i vëllai, i pyetur për ngjarjen, nuk ka dëshiruar të prononcohet dhe sipas tij, kjo është një çështje familjare. “Është drejtësia ajo që do të zbardhë plotësisht këtë ngjarje”, - pohojnë familjarët. Ndërkaq, 14-vjeçarja D.Bushi është marrë në pyetje nga oficerë të policisë gjyqësore në prani të një psikologeje.
Ajo ka treguar se babai i saj e keqtrajtonte shpesh, sidomos kur kthehej i dehur në shtëpi. “Nuk kam shkuar në shkollë dy ditë, pasi kisha shenja në fytyrë dhe më vinte turp nga shoqet. Nuk dua ta shikojë më edhe sikur të vdesë”, - mësohet të ketë thënë e mitura përpara uniformave blu, që e kanë pyetur për rrethanat e ngjarjes.
14-vjeçarja fillimisht është shoqëruar për në komisariatin e policisë, dhe paraditen e djeshme është arrestuar dhe dërguar për në qytetin e Vlorës, për t’u gjykuar nga Gjykata e të Miturve.
Ngjarja ndodhi pasditen e së martës rreth orës 15:50, në lagjen “8 Shkurti” të qytetit të Fierit. D. Bushi, 14 vjeçe ka qëlluar katër herë më thikë mbi të atin. Vajza sapo ishte kthyer në shtëpi, kur ka nisur të debatojë me të atin, i cili prej disa kohësh ishte i papunë.
Duke iu referuar burimeve policore, mësohet se vajza gjatë grindjes me të atin ka kërcënuar se do të vriste veten dhe ka shkuar në aneks, ku ka rrëmbyer thikën e bukës. Por në një moment ajo ka nisur të qëllojë me mjetin prerës mbi të atin katër herë.
Kanë qenë fqinjët, që pasi kanë dëgjuar ulërimat e vajzës, kanë hyrë në banesën e Bushëve dhe kanë bërë transportimin e 58-vjeçarit për në spital. Ndërkohë, adoleshentja është shoqëruar fillimisht për në spitalin e qytetit, për shkak të plagëve që ka marrë në duar dhe më pas është çuar në ambientet e komisariatit, për të sqaruar rrethanat si ka ndodhur ngjarja. Mësohet se nëna e vajzës ka qenë në punë në momentin që ka ndodhur ngjarja dhe është njoftuar prej të afërmve.
14-vjeçarja është vajza e dytë e çiftit Bushi, që ka dhe një vajzë më të madhe, të martuar në Vlorë. 58-vjeçari njihej si përdorues alkooli, dhe ndoshta debatet kanë ndodhur pasi ai ka qenë i dehur.
Rastet e dhunës në familje kanë qenë të shumta këtë vit në Qarkun e Fierit. Shefi i sektorit kundër dhunës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, Flamur Molla, tha disa ditë më parë, në një takim kushtuar dhunës në familje, se nga janari në nëntor ishin denoncuar dhe trajtuar 85 raste të dhunës në familje, shifër kjo gati dyfish më e lartë se vitet e kaluara.