Godina brenda oborrit
Studentët e Ekonomikut, në Universitetin e Tiranës protestuan dje kundër godinës private që po ndërtohet në ambientet e fakultetit. Ata bojkotuan për një orë procesin mësimor, ndërkohë që kanë sqaruar se protestat nuk do të ndalen deri në zgjidhje të problemit. Në përkrahje të studentëve kanë qenë edhe pedagogët. Dekani Omer Stringa dhe kryetarja e Këshillit Studentor të këtij fakulteti ripërsëritën kërkesën e tyre për zgjidhje të menjëhershme të këtij problemi. Zv.dekani Fatmir Memaj shprehu qëndrimin e tij në lidhje me këtë çështje duke u kërkuar studentëve bojkotimin pa afat të procesit mësimor deri në zgjidhjen e problemit. Sakaq, Universiteti i Tiranës ka gati padinë kundër ndërtimit të godinës në oborrin e Fakultetit Ekonomik. Kreu i këtij universiteti, Dhori Kule, sqaroi dy ditë më parë se Bashkia e Tiranës nuk ka reaguar pas thirrjes për anulimin e lejes. Sipas rektoratit të Universitetit të Tiranës, Bashkia e Tiranës duhet ta anulojë atë leje dhe të gjendet kudo në destinacionin përkatës që ata që duan të kryejnë këtë lloj veprimtarie ta kryejnë në ambiente që ka kompetencë Bashkia e Tiranës.