Tirana do “gjel” Bylisin për Vitin e RiNë nëntë ndeshjet e fundit midis tyre nga sezoni 1999-2000, dy skuadrat kanë barazuar 3 herë, ndërkohë që 5 herë ka fituar Tirana e 1 herë Bylisi (1-0, sezoni 2000-2001)

Tirana synon ta mbyllë me fitore pjesën e parë të sezonit 2008-2009, jo vetëm se 23-herë kampionët e Shqipërisë pësuan një humbje zhgënjyese me Flamurtarin (2-0) në Vlorë, por dhe se përballë ka Bylisin ndaj të cilit barazuan në ndeshjen e parë në Ballsh (0-0) dhe dha sinjalin e parë të një krize të mundshme te skuadra e ish-trajnerit boshanjako-kroat Blaz Slishkoviç
Edhe pse ka dy lojtarë të pezulluar, mbrojtësit titullarë Andi Lila e Abraham Alechenu, trajneri Agustin Kola (1 fitore, 1 humbje në kampionat) beson se skuadra e tij do të japë maksimumin në “Selman Stërmasi” për të mos bërë një hap fals ndaj formacionit të Hysen Dedjes e të komprometojë për të dytin vit radhazi kampionatin.
Tirana ndodhet 7 pikë larg Vllaznisë kryesuese (34 pikë). Edhe barazimi do të konsiderohej si një humbje për drejtuesit bardheblu, financuesit më të mëdhenj të një skuadre futbolli në Shqipëri. Në nëntë ndeshjet e fundit midis tyre nga sezoni 1999-2000, dy skuadrat kanë barazuar 3 herë, ndërkohë që 5 herë ka fituar Tirana e 1 herë Bylisi (1-0, sezoni 2000-2001).
Me një sulmues të rikthyer te goli si Daniel Xhafaj (i kërkuar së fundmi nga kampionia e Iranit, shuma e transferimit përflitet në 300 mijë dollarë për dy vjet) dhe me një goleador si Migen Memelli (15 gola këtë sezon me fanellën e bardhebluve në të dyja kompeticionet), situata te Tirana ka ngjyra optimiste në përballjen e dytë sezonale me Bylisin dhe të 15-tën historike, ku supermacia e klubit më të vjetër kryeqytetas është e dukshme: 7 fitore, kundrejt 2 të Bylisit (5 barazime).
Takimi, që do të fillojë në orën 13:30, do të gjykohet nga ndërkombëtari Albano Janku.
E Premte, 26 Dhjetor 2008