Tirana e Beogradi të shndrrohen në dy qendra që prodhojnë paqe e stabilitet Kryeministri shqiptar Fatos Nano ka zhvilluar sot në mesditë një takim me homologun e tij serb Zoran Zhivkoviç.

Tirana e Beogradi të shndrrohen në dy qendra që prodhojnë paqe e stabilitet
Kryeministri shqiptar Fatos Nano ka zhvilluar sot në mesditë një takim me homologun e tij serb Zoran Zhivkoviç.
Gjatë takimit që zgjati mbi një orë, Kryeministri Nano i shprehu zotit Zhivkoviç urimet për detyrën e kryeministrit si dhe gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin në të njëjtën linjë si me paraardhësin e tij, Zoran Xhinxiç.
Kryeministri Nano ka vlerësuar pozitivisht pranimin e Serbisë dhe Malit të Zi në Këshillin e Europës, si një akt inkurajues për vazhdimin e reformave dhe proceseve demokratike në Serbi. Në këtë kuadër Kryeministri Nano u shpreh se zhvillimi i proceseve integruese mbetet prioritet i qëndrueshëm i politikës së jashtme të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit.
"Integrimi rajonal është parakusht i integrimit europian. E ardhmja euroatlantike e popujve të Ballkanit na imponon një politikë moderne me vizione integruese europiane dhe globale, në themel të së cilës duhet të vendosen dialogu, zhvillimi pa paragjykime dhe pa komplekse i bashkëpunimit rajonal dhe bilateral në të gjitha drejtimet",- tha Kryeministri Nano.
Duke u ndalur në marrëdhëniet dypalëshe zoti Nano u shpreh se është në interes të proceseve dhe transformimeve drejt Europës që Tirana dhe Beogradi të shndërrohen në dy qendra të rëndësishme që prodhojnë stabilitet dhe paqe në rajon, duke lënë pas të kaluarën konfliktuale.
"Marrëdhëniet tona duhet t'i shpërbejnë drejtpërsëdrejti përmirësimit të klimës në rajon, stimulimit të iniciativave shumëpalëshe në mënyrë që ato të na afrojnë, të gjenerojnë fqinjësi të mirë, bashkëpunim dhe partneritet për realizimin e axhendave të ngjashme integruese euroatlantike",-tha Kryeministri Nano. Në këtë kuader Kryeministri ka vlerësuar zhvillimet intensive e produktive të kohëve të fundit në marrëdhëniet midis Tiranës dhe Beogradit siç janë vizitat reciproke të personaliteteve të larta, të cilat në thelb përbëjnë progres.
"Duhet punuar për të ruajtur dhe intensifikuar ritmet e dialogut politik nëpërmjet institucionalizimit të takimeve në nivele të larta", - është thënë në takim.
Në këtë kuadër është rënë dakord për zhvillimin e një vizite zyrtare të kryeministrit Zhivkoviç në Tiranë në muajin qershor, ku do të nënshkruhen disa marrëveshje të rëndësishme, të cilat do të përcaktojnë qartësisht bashkëpunimin në fusha te ndryshme.
Duke folur për një drejtim tjetër të bashkëpumimit, Kryeministri Fatos Nano është shprehur edhe për ndërmarrjen e projekteve bilaterale dhe rajonale në fushat me interes të ndërsjelltë, si ato të energjisë, turizmit, bujqësisë, transportit dhe në veçanti ndërtimin e autostradës Durrës-Prishtinë-Nish, si një arterie e cila do t'i jepte frymëmarrje zgjerimit të shkëmbimeve të mallrave, lëvizjes së njerëzve etj. Si faktor i
rëndësishëm të këtyre marrëdhënieve janë përmendur edhe kontributi i bizneseve në të dy vendet.
Një çështje e rëndësishme që u trajtua në këtë takim ishin angazhimet e përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të të gjitha llojeve.
Duke u ndalur në çështjen e Kosovës Kryeministri Nano theksoi se atje tashmë janë duke u krijuar kushtet e favorshme për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe për bashkëjetesën ndëretnike. Është i rëndësishëm, në këtë drejtim, dialogu demokratik për zhvillimet e mëtejshme", - tha Kryeministri Nano.
Kryeministri Zhivkoviç nga ana e tij ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar në rrugën drejt integrimit europian, ndërsa ka theksuar se vendi i tij do të vazhdojë reformat e nisura nga Kryeministri Xhinxhiç.
Përsa i përket çështjes së Kosovës, ai u shpreh se "ne jemi të gatshëm për dialog me të gjithë faktorët e moderuar atje".Pasdite zoti Nano do të zhvillojë një takim me kryetarin e partisë Demokracia e Re, Kostas Karamanlis.