Zgjedhjet, opozita protestë në Vlorë
Kryetari i PS-së, Edi Rama, dhe drejtuesit e partive aleate të opozitës kërkuan dje transparencën e zgjedhjeve
VLORË - Kreu i opozitës, Edi Rama, ka bërë thirrje pasditen e djeshme nga Sheshi i Flamurit në Vlorë që t'i bashkohen të gjithë protestave të 30 prillit, si alternativa e vetme e zgjidhjes së krizës në vend. Së bashku, në Sheshin e Flamurit, kanë qenë edhe aleatët opozitarë, Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Spartak Ngjela, Vangjel Dule e Erjon Veliaj.
"Në 30 prill në Tiranë për të gjithë ata që duan ta rimarrin në dorë fatin e mbetur jetim në duart e atyre që pasi grabitën votat në 28 qershor, po u mbyllin përditë vende pune e dyer shpresash. Më 30 prill në Tiranë të gjithë ata që duan të bashkojnë forcat për të dënuar krimin elektoral dhe hapur dyer e shpresës e të punësimit nëpërmjet protestave të pandalshme. Në 30 prill në Tiranë të gjithë sipërmarrësit të rimarrin në dorë fatin e tyre të shkelur me këmbë...
Më 30 prill në Tiranë në një protestë pa ndalim për të kërkuar një të drejtë që ne nuk e negociojmë e për një liri që ne nuk e negociojmë e nuk e falim e shesim", - tha dje Rama gjatë fjalës së mbajtur në Vlorë. Ndërsa deputeti i Vlorës, Eltar Deda, tha ndër të tjera se Vlora duhet të ishte i pari qytet që të kishte autostradë.
"Kjo qeveri ka modelin e vet, atë të Sudes, Vefës, mashtrimit", - tha një tjetër deputete, Luiza Xhuvani. "Të tashmen, e prek e shkuara, vijoi ajo, ndaj mos harroni. Nuk do të lejojmë që edhe Vlora të kthehet në Gërdec, ndaj stop".
Ndërsa kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, tha gjatë protestës se "kjo qeveri e dalë nga kutia e Ruzhdies, nuk ndjen asnjë përgjegjësi për qytetarët". "Ndaj edhe shkuam në Kuvend dhe atje mbarë shqiptarët edhe bota demokratike e kuptuan dhe po e kuptojnë përditë se "djemtë e bukur" të Ruzhdies, e kanë frikë transparencën e zgjedhjeve, sepse e dinë shumë mirë se ku dhe sa kanë vjedhur apo dhe se kush është bërë deputet me vota të vjedhura. Zhgënjimi nga politika dhe nga klasa politike që ju keni është i madh dhe për këtë ju keni të drejtë.
Por, edhe unë kam të drejtë t'ju them se kjo lëvizja jonë, këto protestat tona, nuk kanë për qëllim të fitojë partia e radhës apo lideri e politikani i radhës, por kanë një objektiv shumë jetik për Shqipërinë", - tha ai.
Ndërsa kryetari i PDS-së, Paskal Milo, tha se "Sali Berisha nuk ka rrugë tjetër; o të zgjedhë transparencën, o të largohet nga pushteti". "Jemi këtu për t'i thënë ndal krizës, qeverisjes me vota të vjedhura e deputetë të trafikuar", - tha në fjalën e tij kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi. Ndërsa kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka deklaruar dje se opozita nuk do të lejojë që të luhet me fatin e jetëve të shqiptarëve.