E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mosmbledhja e KRRT së Tiranës dhe KRRTRSH-së kanë bllokuar aktivitetin e ndërtimit në vend

Ndërtimet, qindra kompani nuk punuan gjatë 2009

TIRANË- Mosfunksionimi i KRRTRSH-së dhe KRRT-së për miratimin e lejeve të reja të ndërtimit thuajse kanë ndërprerë në të gjithë vendin këtë aktivitet. Ndërtuesit japin alarmin për mungesë të theksuar të hapësirave për të ndërtuar për shkak të mosfunksionimit të organeve vendimmarrëse. Sipas të dhënave që ofron Shoqata e Ndëtuesve të Shqipërisë gjatë vitit 2009 kanë ndërprerë punën e tyre rreth një e treta e kompanive të ndërtimit duke lënë pa punë mijëra punonjës për shkak të mungesës së lejeve të ndërtimit. Gjatë vitit të shkuar KRRT e Tiranës është mbledhur dy herë ndërsa KRRTRSH-ja ka prej Korrikut 2009 që nuk bën më mbledhje.
Mësohet se nga 2.582 shoqëri ndërtimi që shtrojnë aktivit në vend, 815 prej tyre nuk kanë punuar asnjë ditë në vitin 2009. "Po të kemi parasysh faktin se secila nga këto shoqëri ka patur potenciale teknike në dispozicion, si makineri, pajisje teknologjike, si dhe faktin se me fatin e këtyre shoqërive është lidhur edhe fati i një numri të konsiderueshëm punonjësish të të gjitha niveleve, kuptohet qartë se çfarë dëmi të madh i është shkaktuar ekonomisë së vendit, si pasojë e bllokimit të pakuptimtë të aktivitetit të ndërtimit gjatë viteve të fundit për shkak të mungesës së lejeve të kërkuara për ndërtim", - thekson Shoqata. Ndërkaq ndërtuesit kanë ngritur edhe njëherë zërin për vonesat në shlyerjen e punëve të kryera në investimet publike. "Mijera apartamente jane te pa shitura, shoqerite kane hyre ne borxh midis tyre, shteti ka borxhe te konsiderueshem ndaj shoqerive dhe administrata publike ndihet e qete, gati dhe optimiste", - shprehen ata.
Në lidhje me investimet të financuara nga buxheti i shtetit, ndërtuesit kanë kërkuar më shume trasnparëncë gjatë kryerjes së prokurimeve publike. Tashmë ky proces kryhet në formë elektronike nga Agjencia e Prokurimeve Publike, por sipas tyre duhet të që në fund të çdo prokurimi të bëhen të ditura ofertat e të gjitha pjesëmarrësve ç'ka do ta bëntë më transparent procesin.


Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›