Botohet fjalori i parë Persisht - Shqip
Tashmë shqiptarët do të kene mundësinë që të përkthejnë ne mënyrë individuale edhe në gjuhën perse. Kolegji iranian 'Saadi' në Tiranë ka promovuar fjalorin e parë Persisht - Shqip. Drejtori i Kolegjit 'Saadi', Amir Husejn Asgari tha se procesi i përgatitjes së këtij fjalori ka zgjatur pesë vjet dhe në përgatitjen e tij ka punuar një grup shkencor i përbërë nga iranianë dhe shqiptarë. Ai gjithashtu theksoi se është shumë e rëndësishme qe kjo veper të vlerësohet nga dijetar përkatës si nje veper serioze dhe me vlera të mirëfillta. Fjalori Persisht - Shqip posedon rreth 20 000 fjalë, shprehje, terme, fjalë të urta dhe emra vendesh. Fjalori është botuar në 1000 faqe dhe po ashtu ka edhe shtojca si dialog persisht - shqip, emra gjeografik, numrat dhe llogaritjet, dhe detaje të tjera që kanë zakonisht fjaloret. Gjatë ceremonisë së promovimit perveç perfaqësuesve të këtij kolegji moren pjesë edhe shkencëtarë dhe figura të ndryshme iraniane dhe shqiptare, përfaqësues nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, nga përfaqësia e UNESKO-s në Tiranë, Universiteti Al Mostafa dhe po ashtu dr. Eavani, njëri ndër filozofët më të mëdhenj bashkëkohorë iranianë, njëherit edhe drejtor i Institutit për studime filozofike në Teheran.
Fjalori i parë persisht- shqip është botuar nga Shtëpia Botuese 'Toena'.