Tirana e ka emrin “Shkodër”

Nuk mund të ndalen më. Edhe pse përpjekjet e kundërshtarëve janë të shumta dhe për të mposhtur bardheblutë premtohen premio marramendëse.
"Këpucën e hekurt" të Tiranës e provoi edhe ekipi i Besës, që tej bujës të pragsezonit, duket se nuk e ka më grintën për të qenë jo vetëm ndër ekipet pretedente, por tashmë i duhet të mendojë fort për të mos qenë një nga dy skuadrat që rrëzohen një kategori më poshtë.
Tirana arriti një fitore më shumë vlerë në stadiumin "Besa", një fitore që u vendos qysh në pjesën e parë, kur formacioni i Mirel Josës (me disa mungesa thelbësore në këtë takim) shënoi dy gola. Dyshja e "importuar" sulmuese shkodrane Sinani-Salihi i dhanë një fitore me shumë vlerë Tiranës në Kavajë, ndaj një Besë që e nisi takimin me shumë pretendime. Vioresin Sinani befasoi kavajasit në minutën e 9-të me atë goditje të saktë me kokë (goli i dytë rresht në dy ndeshjet e fundit dhe i pesti personal), ndërsa shkodrani tjetër Salihi dyfishoi rezultatin në të 41', pasi i vodhi një top mbrojtjes së Besës, duke shënuar dhe golin e dhjetë të tij në sezon, duke i dhënë fund thatësirës "180" minutëshe. Në pjesën e dytë, Besa e shtoi presionin ndaj Tiranës, por pa rrezikuar seriozisht portën e Nallbanit, të mbrojtur fort qysh në zonë nga treshja e udhëhequr nga mbrojtësi i kombëtares Nevil Dede. Tirana arriti të adminsitrojë avantazhin. Në minutën e 67', autogoli i portierit Nallbani në favor të Besës, vetëm sa shkurtoi diferencën në 2-1. Fitorja e formacionit të Mirel Josës, e gjashta në nëntë javë kampionat, e shkëputi atë në katër pikë nga ndjekësja me afërt, Teuta, që me fitoren 1-0 në "Niko Dovana" ndaj Elbasanit (gol i Lako në të 77'), u ngjit në vendin e dytë me 17 pikë. Besa rikhehet te humbja pas fitores në javën e 8-të me Flamurtarin, duke regjistruar humbjen e 2 në shtëpi dhe katërtën në 9 javë. Shumë për një ekip që është investuar në lojtarë. Mesa duket kavajasit ende vuajnë pasojat e udhëtimit më "këmbë" nga Kruja, teksa të mërkurën humbën thellësisht në Kupën e Shqipërisë me Kastriotin e Krujës.