Vetëvrasja e Eleonorës, fëmijët: E kishim mbyllur me çelës në shtëpi
Zbulohen gjurmë baruti në dorën e Eleonora Bregut, duke i dhënë fund dilemës për rrethanat e vdekjes së saj. Dëshmia e fëmijëve: Kur gjetën trupin e pajetë, dera ishte e mbyllur me çelës, po ashtu edhe dritaret e dhomës së saj. Roja mohon të ketë dëgjuar krisma arme
Tiranë Vdekja e Eleonora Bregut, e vetëshpallur “shenjtore”, është klasifikuar si vetëvrasje nga policia dhe Prokuroria e Tiranës, që po hetojnë mbi ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së martës në periferi të kryeqytetit. Këqyrja e vendit të ngjarjes dhe deklarimet e të afërmve të Eleonorës kanë orientuar hetimin drejt vetëvrasjes, pasi deri tani nuk është zbuluar asnjë element që mund të hedhë dyshime për një ngjarje të qëllimshme. Edhe ekspertizat shkencore kanë treguar se viktima në dorën e saj të djathtë kishte gjurmë baruti, apo siç njihet në gjuhën shkencore, faktorë plotësues që tregojnë se qitja e armës pistoletë është kryer nga vetë viktima. Sipas deklarimeve të familjarëve dhe të afërmve të Eleonora Bregut, policia ka mësuar se pasditen e së martës ata kanë dalë nga banesa që ndodhet në qendrën “Eleonorë”, duke e mbyllur derën me çelës, edhe pse nëna e tyre ndodhej në vilë. Kur janë kthyer, të afërmit kanë parë se dera dhe dritaret e dhomës ku ndodhej viktima kanë qenë të mbyllura dhe pa asnjë shenjë dhune apo tentativë për hyrje me dhunë në banesë. 58-vjeçarja është gjetur në shtratin e saj e shtrirë dhe me një gjurmë plumbi në kokë. Sipas rezultateve të këqyrjes së kufomës rezulton se drejtimi i qitjes së armës ka qenë nga e djathta në të majtë, ndërsa gjurma e plumbit ka qenë në tëmthin e djathtë. Disa centimetra më tej policia ka gjetur edhe armën me të cilën është kryer vetëvrasja, një armë zjarri tip pistoletë, të cilën viktima e mbante pa leje në dhomën e saj. Nga analizat e para rezulton se në dorën e djathtë të 58-vjeçares janë gjendur gjurmë baruti, që sipas ekspertëve tregon se shkrehja e armës është bërë nga vetë viktima, e cila më parë ishte shtrirë në shtratin e dhomës së gjumit. Pranë saj hetuesit kanë gjetur edhe një letër ku viktima, duke iu drejtuar Zotit shkruante se ishte më mirë të shkonte pranë tij sesa t’i merrnin tokën e shenjtë. Sipas policisë, letra që u gjet pranë viktimës është dërguar për ekspertim në laboratorin e policisë shkencore për të saktësuar përfundimisht nëse shkrimi në të është i njëjtë me shkrimin e Eleonora Bregut. Për ngjarjen, policia ka marrë në pyetje edhe familjarët e 58-vjeçares, të cilët kanë deklaruar se dera e banesës dhe ajo e dhomës ku ndodhej Eleonora kanë qenë të mbyllura me çelës dhe në të njëjtën gjendje është gjetur edhe kur ata janë kthyer në banesë, ku dhe kanë parë trupin e pajetë të gruas. Asnjë prej familjarëve nuk ka pasur dijeni se Eleonora Bregu mbante një armë pa leje tip pistoletë në dhomën e saj, me të cilën ka qëlluar veten rreth orës 19:30 të së martës. Sipas deklarimeve të familjarëve dhe të afërmve, i vetmi person që ndodhej në ambientet e qendrës “Eleonorë” në momentet e ngjarjes ka qenë një roje, i cili është marrë në pyetje nga policia. Roja ka deklaruar se nuk ka dëgjuar asnjë të shtënë arme, ndoshta dhe për faktin se vendi ku ai ndodhej nga banesa e së ndjerës është në distancë disi të largët. Këto rrethana dhe hetimit e deritanishme sipas policisë tregojnë se ngjarja ka qenë një vetëvrasje.
Letra e Eleonorës, në laboratorin kriminalistik
Grupi hetimor është në pritje të analizave shkencore, kryesisht të letrës së lënë nga Eleonora Bregu për të vendosur përfundimisht mbi ngjarjen, edhe pse deri tani nuk ka një motiv të qartë përse 58-vjeçarja duhet të kryente vetëvrasje. Sipas hetimit rezulton se konfliktet e pronësisë prej disa muajsh ishin qetësuar mes palëve, të cilat tashmë ndodhen në një proces gjyqësor për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Megjithatë, sipas gjurmëve që vetë Eleonora ka lënë në letrën e saj, frika për humbjen e pronës në Selitë të Tiranës duket se e ka shtyrë atë drejt vetëvrasjes. Kjo sipërfaqe toke është bërë shpesh burim konfliktesh mes saj dhe pronarëve të tokës, ndërsa aktualisht çështja ndodhet në proces gjyqësor.