Zidan dhe Figo në ndeshjen e lamtumirës së Artim Shaqirit
Sezonin e ardhshëm, Artim Shaqiri, ka planifikuar t‘i japë fund karrierës si profesionist, me një ndeshje lamtumire në stadiumin "Gradski" të Shkupit. Ky pritet të jetë spektakli më i madh futbollistik në të gjithë historinë në Maqedoni. Madje, Shaqiri ka menduar që në ndeshjen e tij të fundit të ftojë Zinedin Zidan, Luis Figon dhe shumë lojtarë të tjerë të mirënjohur në arenën ndërkombëtare. Sezonin që sapo u mbyll, sulmuesi shqiptaro-maqedonas është aktivizuar me Besën në Kategorinë Superiore. 34-vjeçari është lojtari që ka zhvilluar më shumë ndeshje me përfaqësuesen maqedonase, duke veshur 73 herë këtë fanellë dhe shënuar 15 gola. Në disa raste, Shaqiri ka luajtur në ndeshjet e bamirësisë të organizuara nga Figo dhe Zidan dhe kjo është arsyeja përse ai shpreson që dy yjet e padiskutueshëm të futbollit do ta nderojnë me prezencën e tyre në stadiumin "Gradski". Më 7 qershor të këtij viti në Tokio, sipas gjasave, ai do të luajë për bamirësi në takimin spektakël "Yjet e Botës" kundër "Skuadrës së Figos". Shaqiri u bë i njohur në mbarë botën në vitin 2002, kur i shënoi Anglisë një gol drejtpërdrejt nga goditja e këndit. Sfida luhej në Sauthhempton të Anglisë dhe ishte e vlefshme për eliminatoret e Euro 2004, e në fund të 90 minutave Maqedonia mori 1 pikë nga barazimi 2-2. Kjo rrjetë e ka bërë të paharruar sulmuesin edhe për faktin se ajo vulosi fundin e karrierës së Devid Siman, një prej portierëve legjendarë të "Tre Luanëve". Gjatë karrierës, Shaqiri ka luajtur në shumë klube, si Uest Bromuiç Albion, Alborg, Halmstads, Vardar, Malatiaspor, CSKA e Sofjes e të tjera. Ai ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te Maqedonia.