Lala, këshilla Lëvit për Poloninë
Pasi i tregoi pikat e forta dhe të dobëta të Polonisë (së bashku me Skelën) shefit të skautëve të Federatës Gjermane, Urs Sigentaler, Altin Lala ka folur edhe për mediat. Për "bild.de", kapiteni i kombëtares shqiptare zbuloi përshtypjet rreth kundërshtarit të skuadrës së drejtuar nga Hoakim Lëv në Euro 2008, duke këshilluar teknikun e Gjermanisë. Në fakt, në Bundesligë, ai ka reputacionin se ndërhyn ashpër, mbi të gjitha pas konfliktit me yllin e Bajernit, Frank Riberi. "Futbolli cilësohet si sport burrash", tha 32-vjeçari. "Të gjithë lojtarët polakë kanë si karakteristikë lojën fizike. Janë trupmëdhenj dhe të fortë. Por, luajnë korrektësisht". Më tej ai shpjegoi: "Lojtari i tyre më i rrezikshëm? Numri 18 (Levandovski). Është shfaqur disa herë rrezikshëm. Megjithatë, ishte vetëm një miqësore dhe mendoj se kur të luajnë me Gjermaninë në Evropian do paraqiten ndryshe. Në letër Balak & Co. kanë më shumë shanse të fitojnë: këshilla ime është të luajnë shpejt dhe të synojnë qendrën e mbrojtjes, pasi aty polakët nuk janë shumë të fortë. normalisht Gjermania fiton, por futbollit nuk i dihet asnjëherë...".