E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oto Bariç: Dinamo e Zagrebit të blejë mesfushorin shqiptar

Ish-trajneri i Shqipërisë, Oto Bariç, ka deklaruar se Dinamo e Zagrebit nuk do të gabonte nëse blen 20-vjeçarin Jahmir Hyka. Ka qenë pikërisht Bariç ai që i ka dhënë besim mesfushorit, duke e përfshirë sistematikisht në kombëtaren kuqezi. Sipas 75-vjeçarit, lojtari që sezonin e kaluar mbrojti ngjyrat e Tiranës mund të zëvendësojë më së miri ish-yllin e Dinamos, Luka Modriç, i cili tashmë mbron ngjyrat e Totenhem në Premiershipin anglez. "Për një vit, me punë të madhe dhe me kujdesin e duhur, Hyka do të bëhet Luka Modriçi i ri. Nëse flasim për aftësitë e këtij lojtari në periudhën e tanishme, mendoj se ai është në 70 për qind të kapacitetit të Modriç", ka thënë Bariç për futbollistin.

Duke ndjekur këshillat e ish-drejtuesit të stolit shqiptar, pronarët e Dinamos, vëllezërit Mamiç, e vëzhguan Hykën në Roitlingen të Gjermanisë, gjatë ndeshjes miqësore që Shqipëria humbi 1-0 përballë Polonisë. Bariç tregoi se të riun shqiptar e ka njohur dy vjet më parë, kur edhe e ka ftuar në kombëtaren që drejtonte. "Ishte vetëm 18-vjeçar kur e afrova me përfaqësuesen, ndërsa tashmë Hyka ka një vit e gjysmë që është pjesë e kontingjentit të Shqipërisë. Në atë kohë, ai luante me Rosenborgun, por për shkak të mungesës së lejes së punës në Norvegji, ai u detyrua të largohej. Përmes menaxherëve u transferua tek Olimpiakosi në kampionatin grek. Megjithatë, fatkeqësisht aty nuk luajti dhe u kthye në Tiranë, ku më në fund arriti të luante me vazhdimësi", pohoi strategu kroat. "E pashë të martën në ndeshjen kundër Polonisë. Në pjesën e dytë, sapo hyri në lojë si zëvendësues, Hyka arriti ta kthente lojën në favor të Shqipërisë. Nga djaloshi pashë dy-tri pasime të mira për shokët dhe pesë driblime të shkëlqyera", shtoi ai. Sipas Bariçit, Hyka është një futbollist që të djathtën e ka këmbën e tij të preferuar, ndërkohë që luan pa probleme në krahun e majtë të mesfushës, por mund të aktivizohet edhe pas dy sulmuesve. "Ai është i lëvizshëm, i shpejtë, zotëron driblime dhe vizion të shkëlqyer për lojën. Pika e tij e dobët mendoj se është finalizimi drejt portës. Nuk ka asnjë dyshim që nëse Dinamo e blen, drejtuesit e klubit nuk do gabojnë, pasi për gjashtë muaj ose një vit, Hyka do të arrijë kualitetin e Modriçit. Vetëm duhet të jetë nën vëzhgim dhe të punohet mirë me atë", theksoi Bariç. Megjithatë, ai tregon se transferimi nuk do të jetë i lehtë, pasi "përreth tij janë shumë menaxherë të ‘egër‘". Në këtë drejtim, Zdravko Mamiç duhet të veprojë me vendosmëri, pasi ofertat nga Izraeli, Rusia e Ukraina nuk mungojnë. Për transferimin e talentit shqiptar nevojiten minimalisht një milion euro. Nga ana tjetër, njëri nga vëllezërit Mamiç, pohoi se ende nuk kanë vendosur nëse do ta blejnë mesfushorin 20-vjeçar.

Sponsorizimi

Dallku-Curri rekomandohen në Zagreb

Edhe pse është larguar nga Shqipëria, Oto Bariç vazhdon të ndjekë me vëmendje të gjitha zhvillimet rreth përfaqësueses. Nëpërmjet televizorit, trajneri kroat ndoqi (kureshtja për ta parë ndryshimet që Ari Han ka bërë në skuadër) miqësoren e humbur 1-0 me Poloninë. Përveç Hykës, 75-vjeçari nuk ka harruar pa përmendur as dy "të përkëdhelur" të tjerë në ekipin kuqezi: Armend Dallkun dhe Debatik Currin. Kur drejtonte skuadrën, Bariç thoshte se 4-5 lojtarë të tjerë si ata do t‘i jepnin një imazh ndryshe Shqipërisë. Ndërsa tashmë Bariç "limitohet" duke i sponsorizuar te Dinamo e Zagrebit: "Debatik Curri dhe Armend Dallku janë lojtarë të shkëlqyer, ndërsa te Dinamo aktualisht nuk shoh futbollistë të tillë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›