E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana fiton Superkupen. Perplasje mes tifozeve

Superkupa e Shqipërisë është e Tiranës. Bardheblutë e kryeqytetit mundën në finale 1-0 Skëderbeun në një ndeshje të mbushur me tension, ku nuk mungoi dhuna në shkallët dhe në fushën e lojës të stadiumit të Korcës. Bekim Bala është heroi i kësaj sfide, pasi sulmuesi shkodran me golin e tij në pjesën e dytë i dhuroi trofeun e parë sezonal Tiranës dhe trajnerit të saj Rubio Sanchez.

Ajo që duhet të ishte një festë e futbollit shqiptar me trofeun e parë të rëndësishëm të sezonit është kthyer në një shfaqje të shëmtuar. Ndeshja nisi me më shumë se një orë vonesë për shkak të përplasjes së tifozëve në shkallët e stadiumit. Pas ndërhyrjes së presidentëve të dy skuadrave, sfida nisi por do të ndërpritej sërish pas pak minutash. Disa tifozë vendas hynë në fushë, duke hedhur sende të forta.

Pas qetësimit të gjendjes, finalja rinisi më e luftuar në fushën e lojës, me dy skuadra që kërkonin golin e avantazhit. Megjithë përpjekjet për të shënuar dhe në ekuilibër të plotë mes dy formacioneve pjesa e parë do të mbyllej me rrjeta të paprekuar. Me rikthimin në fushë, Tirana do të ishte më kërkuese dhe do të gjente golin e avantazhit në minutën e 63-të. Goditja e fortë e Balës do të linte pa shpresa Shehin dhe do të ndalej në rrjetë.

E gjithë festa është bardheblu, ndërsa në minutat e mbetura vendasit e drejtuar nga Duro do të kërkonin golin e barazimit, por pa sukses. Detyra e korcarëve për të evituar humbjen do të bëhej më e vështirë pas daljes me karton të kuq të Orelesit. Më dhjetë lojtarë, Skënderbeu nuk arrin të shfrytëzojë rastet e paraqitura duke u dorëzuar në fund përballë suksesit të Tiranës, e cila ka ngritur Superkupën dhe në të njëjtën kohë ka nisur në mënyrën më të mirë sezonin e ri të futbollit shqiptar. 
 
Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›