E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana fiton derbin dhe shkon në +5

Disfata e Elbasanit me Teutën, por edhe barazimet e Partizanit e Vllaznisë janë surprizat e javës së shtatëTirana ecën me ritëm shkatërrues. Formacioni i drejtuar nga Bllazhe Slishkoviç i ngjan një tanku që nuk njeh pengesa dhe nuk do t'ia dijë për asgjë që i del përpara. Forcën e bardhebluve ka provuar dje Dinamo, e cila dje përveç golit të Allmuçës, nuk ka bërë asgjë më shumë në katërkëndëshin e blertë. Shumë pak për ta merituar fitoren përballë një kundërshtari që marshon fuqishëm. Pas ngadhënjimit ndaj Milanit të madh, Tirana dha dje një tjetër provë force, nga ato që të bindin kryekëput se ekipi tashmë ka gjetur harmoninë dhe është vetëm një hap larg perfeksionit, çka do t'i bënte kryesuesit vërtet të frikshëm. Memelli vazhdon të shënojë si sahat zviceran, ndërsa Muzaka i jep triumfit bardheblu një ngjyrim më të këndshëm. Goli i ish-it Allmuça mund të cilësohet vetëm një episod aksidental në kampin e Tiranës, pjesa tjetër ishte perfekte. Dinamo duhet ta pranojë se nuk është më ajo skuadra e sezonit të kaluar dhe se Daliçi duhet të nisë të ndryshojë patjetër diçka te blutë, mbase duke filluar me uljen në stolin e rezervave të Petriçeviçit...

Partizani e Vllaznia, barazimet që djegin

Dy barazimet që kanë djegur më shumë janë regjistruar në aksin Tiranë-Shkodër, ku Partizani dhe Vllaznia janë frenuar nga Bylisi dhe Shkumbini. Të kuqtë e kryeqytetit kanë luajtur dje aktin e radhës të dramës që po përjetojnë, duke mos arritur të mposhtin në shtëpi rivalin e drejtpërdrejtë, Bylisin, me të cilin ndan edhe vendin e fundit në renditje. Por, veç rezultatit aspak të kënaqshëm, të kuqtë i kanë ofruar publikut të tyre panoramën më të shëmtuar të këtyre javëve, pasi dje kanë nxjerrë kokë haptazi problemet dhe mosmarrëveshjet edhe në gjirin e skuadrës si në rastin e fërkimit mes trajnerit Lika dhe mesfushorit Gjyla. Nervat e të kuqve nuk kanë mundur të durojnë gjatë, teksa kanë flakur tej barazimin e pjesës së parë, kjo dhe për faj të gjykimit të gabuar të kryesorit Guçe në rastin e 11-metërshit të akorduar në favor të miqve ballshiotë, dhe duke mos arritur më të marrin kontrollin e lojës në dorë. Partizani dhe Bylisi ndanë nga një pikë, por kuptohet lehtësisht që më të kënaqur kanë qenë ballshiotët. Për të kuqtë vazhdon pritja e gjatë, pasi ende nuk kanë mundur t'i gëzohen një fitoreje në shtëpi. Ndërkohë, në Shkodër, tifozëria kuqeblu ka përse të ankohet. Ata kanë parë t'u ikë nga duart një fitore më se e merituar dhe kjo vetëm për neglizhencën që përfshiu skuadrën e drejtuar nga Agim Canaj. Për t'u dhënë një dush të ftohtë vendësve ka menduar Rizvanolli, që ka barazuar shifrat në kohën shtesë, atëherë kur Vllaznia e përgjumur priste vetëm vërshëllimën e fundit të kryesorit Janku. Por në këtë mes nuk duhen lënë pas dore meritat e Shkumbinit, që edhe pse ka qenë dy herë në disavantazh ka mundur të barazojë dhe të dalë nga Shkodra me një pikë që deri në minutën e 91-të e quajti të humbur.

Teuta e Besa, fitoret në transfertë

Starova e Daja kanë qenë pa dyshim më të lumturit dje nga trajnerët e superligës. Teuta dhe Besa kanë mundur të marrin nga një fitore në transfertë dhe kjo ka sjellë kapërcimin e disa vendeve në tabelën e renditjes. Teuta ka shkuar në kuotën e 9 pikëve dhe rehatohet në mesin e renditjes, ndërsa Besa shkon në 11 pikë, duke qenë në grupin që ndjek Tiranën e vetmuar në krye. Të dyja ndeshjetjanë vulosur nga një gol i vetëm dhe për çudi të dy golat janë shënuar në fund të takimit, Vila në minutën e 80-të për durrsakët dhe Leci në të 82-ën për kavajasit. Ndeshja e "Ruzhdi Bizhutës", përveç disfatës për Elbasanin, ka sjellë edhe turbullimin e ujërave, ku thuhet se lojtarët verdheblu me këtë rezultat kanë dashur t'u dërgojnë një mesazh të qartë drejtuesve të klubit për shkak të pagave të prapambetura prej disa muajsh. Konfrontimi i mbrojtësit Sheta me tifozët verdheblu ka shtuar edhe më shumë hijen e dyshimit rreth kësaj situate aspak të këndshme. Por ajo që i ka vënë kapak ka qenë deklarata e pasndeshjes e dhënë nga trajneri Mirel Josa, i cili do t'u kërkojë krerëve të skuadrës të nisin një "operacion fshesa" në grupin aktual. Megjithatë, për durrsakët kjo gjë pak rëndësi ka. Ata kanë futur në xhep tri pikë me shumë vlera. Për Elbasanin kjo disfatë përkthehet ndryshe: lamtumirë titull!

Apolonia e Flamurtari, "paqe" rivalësh

Në "Loni Papuçiu" është luajtur një tjetër sfidë nervash dhe nuk ka si të jetë ndryshe kur përballen Apolonia dhe Flamurtari. Ajo që e bënte këtë takim edhe më interesant ishte fakti se në përbërjen e formacionit fierak ka shumë vlonjatë, duke e shndërruar këtë ndeshje në një derbi të vërtetë. Fatet e takimit vulosen që në pjesën e parë, kur Mirçeta për vendësit dhe Veliu për Flamurtarin shënojnë golat e vetëm të krejt 90 minutave. Barazimi më shumë ka kënaqur miqtë nga Vlora, pasi vendësit kanë shpërdoruar edhe një 11-metërsh në minutën e 31-të, kur kapiteni Shoshi goditi shtyllën traversale të portës së mbrojtur nga Moëka. Vërtet shumë pishmanllëqe dje për Apoloninë, e cila meritonte më shumë sesa një pikë.

Ndeshjet e javës 7

Tirana-Dinamo 2-1

Partizani-Bylis 1-1

Vllaznia-Shkumbini 2-2

Elbasani-Teuta 0-1

Lushnja-Besa 0-1

Apolonia-Flamurtari 1-1

Renditja

1. TIRANA 17

2. VLLAZNIA 12

3. DINAMO 11

4. SHKUMBINI 11

5. BESA 11

6. FLAMURTARI 10

7. TEUTA 9

8. ELBASANI 9

9. APOLONIA 8

10. LUSHNJA 6

11. PARTIZANI 5

12. BYLIS 5

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›