E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kloze, "oksigjen" për Jurgen Klinsmanin

Trajneri i Bajernit filloi të marrë frymë, pasi sulmuesi shënoi golin e fitores ndaj Karlsruhes

Sulmuesi i Gjermanisë, Miroslav Kloze, shënoi katër minuta para përfundimit të kohës së rregullt, duke iu dhënë kampionëve të Bajernit të Mynihut fitoren 1 0 ndaj Karlsruhes, fitorja e parë e Bajernit në katër ndeshjet e fundit të kampionatit. Kloze shndërroi në gol krosin e dhënë nga mbrojtësi italian, Masimo Odo, duke bërë që Bajerni i Jurgen Klinsmanit të shijojë tripikëshin e parë këtë muaj, edhe pse performanca e kampionëve linte për të dëshiruar. "Për ne, rezultati është i kënaqshëm, pasi e rëndësishme është të marrim tri pikët",- u shpreh Klinsmani. "Edhe pse na u desh të prisnim gjatë, deri në fund të ndeshjes, arritëm të fitonim. Edhe më herët rrezikuam të shënonim dhe u lehtësuam shumë, kur më në fund topi hyri në rrjetë". Fitorja tjetër e Bajernit në Bundesligë kishte ardhur më 13 shtator 2008, kur mposhti Këlnin 3 0. Që prej atëherë, shkëlqimi i përvojës së parë të Klinsmanit si trajner i Bajernit po zbehej me shpejtësi, sidomos pas humbjes së thellë me rezultatin 5 2 nga Verder Bremeni më 20 shtator, pasur nga humbja 1 0 në Hanover. Britmat "Klinsman ik!" u dëgjuan për herë të parë në stadiumin e Mynihut, "Allianz Arena", në ndeshjen e luajtur më 4 tetor, kur VfL Bokum arriti të shënonte dy gola në dhjetë minutat e fundit, duke marrë në fund barazimin 3 3. "Fitorja ishte shumë e rëndësishme. Tani jemi në rrugë të mbarë",- u shpreh menaxheri Uli Hënes. "Në pjesën e parë nuk i shfrytëzuam rastet tona, fatkeqësisht, dhe kjo na e vështirësoi lojën shumë. Por në fund fituam dhe jemi të lumtur. Ajo që do të donim në këto momente do të ishte pak më shumë fat. Ekipi luftoi deri në minutën e fundit dhe nuk duhet harruar se patëm dhjetë lojtarë që kishin luajtur me kombëtaret e tyre javën e shkuar, duke na i vështirësuar gjërat. Vetëbesimi është shumë i rëndësishëm në këto momente. Pas humbjeve të kaluara, vetëbesimi kishte rënë, por kjo fitore do të na ndihmojë ta rikthejmë atë", përfundoi Hënes. Bajerni ishte i pafuqishëm të thyente mbrojtjen e miqve në pjesën e parë dhe humbi sulmuesin kryesor, Luka Toni, në minutën e 40 të, pas një dëmtimi në brinjë, i zëvendësuar nga Lukas Podolski. Në minutën e 59 të, Klinsmani zëvendësoi mesfushorin francez, Frank Riberi, me gjermanin Tim Borovski. Ndeshja dukej sikur po shkonte drejt barazimit, por Kloze shënoi në minutat e fundit. Ekipi i drejtuar nga Klinsmani duhet të luajë shumë më mirë të martën kundër Fiorentinës në Mynih, nëse dëshiron të fitojë ndeshjen e radhës në Ligën e Kampionëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›