30 vite më parë, kur prisheshim me Kinën
Arkiv/ Dokumentet e korrikut të tre dekadave të shkuara, si e “demaskonte” Shqipëria sabotimin kinez
Ishte koha kur “Dy luanë kishte bota: një Azia, një Europa”. Bëhej fjalë për Republikën Popullore të Kinës në Azinë e Largët dhe Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, në Ballkanin Jugperëndimor. Kjo, zyrtarisht deri në verën 1978, kur Kina njoftoi ndërprerjen e ndihmës ekonomike dhe ushtarake për Shqipërinë, pagesat e ndihmës dhe tërheqjen e specialistëve ekonomikë dhe ushtarakë. Partia e Punës dhe qeveria komuniste, duke iu përmbajtur devizës se “edhe bar do të hamë dhe parimet e socializmit nuk i shkelim”, në emër të mbrojtjes së rregjimit më stalinist në ish-vendet socialiste, vendosi të ndërpresë marrëdhëniet me Kinën, siç shpjegohet edhe në materialin që vijon. Kjo pati pasoja katastrofike për vendin, i cili pas kësaj kohe mbeti në izolim të plotë dhe shteti, pa asnjë aleat dhe ndihmë të huaj përfundoi të hajë veten.
Pjesë nga letra e ish-KQ-së të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe e Qeverisë së RPS-së të Shqipërisë, e datës 29 korrik 1978, drejtuar KQ-së të Partisë Komuniste të Kinës dhe Qeverisë Kineze
Më 7 korrik 1978, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Kinës, i dorëzoi Ambasadës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në Pekin, një notë zyrtare, me anën e së cilës njoftohet se, Qeveria Kineze ka vendosur të “ndërpresë ndihmën ekonomike dhe ushtarake për Shqipërinë, të ndërpresë pagesat e ndihmës për Shqipërinë dhe të tërheqë specialistët ekonomikë dhe ushtarakë “që punonin në Shqipëri deri në atë datë”.
Me këtë veprim të pabesë dhe armiqësor ndaj Shqipërisë socialiste, ju çorët pa skrupull marrëveshjet e përfunduara zyrtarisht midis të dy vendeve, shkelët në mënyrë brutale dhe arbitrare rregullat e normat elementare ndërkombëtare dhe, mosmarrëveshjet ideologjike, i shtritë edhe në marrëdhëniet shtetërore me Shqipërinë.
Duke hedhur këtë hap armiqësor ndaj Shqipërisë Socialiste, ju kërkoni të godisni e të ndëmtoni ekonominë dhe aftësinë mbrojtëse të vendit tonë, të sabotoni çështjen e revolucionit e të socializmit në Shqipëri. Njëkohësisht, ju sulmoni rëndë miqësinë vëllazërore midis popujve shqiptar dhe kinez. Duke i dashur të keqen një vendi socialist, siç është Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, ju kënaqni armiqtë e socializmit e të revolucionit. Përgjegjësia për këtë akt reaksionar e antishqiptar, si dhe për pasojat e tij, bie plotësisht mbi palën kineze.
Komiteti Qëndror i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare, prerjen brutale të ndihmave e kredive për Shqipërinë Socialiste nga ana juaj, e denoncojnë përpara gjithë opinionit publik botëror, si një veprim reaksionar e nga pozitat e fuqisë së madhe, si një veprim që përsërit, si në përmbajtje ashtu dhe në formë, metodat e egra e shoviniste të Titos, Hrushovit e Brezhnjevit, të cilat, dikur, edhe Kina i ka pasë dënuar.
Komiteti Qëndror i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare, hedhin poshtë përpjekjet që bëhen në notën kineze për ta bërë fajtore Shqipërinë, për të akuzuar pa asnjë bazë udhëheqjen shqiptare se, gjoja, ajo është mosmirënjohëse për ndihmën e Kinës dhe se, gjoja është përpjekur të sabotojë bashkëpunimin ekonomik e ushtarak midis të dy vendeve. Për çdo njeri normal, është e pabesueshme dhe jashtë çdo logjike që, Shqipëria një vend i vogël që lufton kundër rrethimit imperialisto-revizionist e bllokadës së tij, që i është përveshur një punë të gjerë e të gjithanshme për zhvillimin e shpejtë ekonomik e kulturor të vendit, që punon pa u lodhur për forcimin e mbrojtjes së Atdheut të vet socialist, të nxitë e të kërkojë vetë prishjen e bashkëpunimit ekonomik me Kinën, të refuzojë kreditë e ndihmat e saj, civile e ushtarake.
Populli shqiptar, Partia dhe Qeveria e tij, të frymëzuar nga parimet e marksizëm-leninizmit e nga parimet e internacionalizmit proletar, kanë luftuar sinqerisht e me konseguencë për forcimin e miqësisë, të bashkëpunimit vëllazëror e të ndihmës reciproke midis Shqipërisë dhe Kinës. Ata e kanë çmuar kurdoherë lart ndihmën që Kina i ka dhënë Shqipërisë, duke e konsideruar atë si një ndihmë internacionaliste të popullit kinez, si një ndihmë që i shërbente çështjes së përgjithshme të revolucionit e të socializmit në botë, si një ndihmë që vinte nga një vend që quhej socialist. Populli Shqiptar, Partia dhe Qeveria e tij, ashtu si më parë edhe tani, u përmbahen vlerësimeve që i kanë bërë kësaj ndihme dhe rolit të saj, midis faktorëve të tjerë të jashtëm, për zhvillimin e vendit tonë.
Shqipëria socialiste, miqësinë e saj me popujt e vendeve të tjera, kurrë nuk e ka parë si një mjet për të nxjerrë përfitime ekonomike. Në të njëjtën kohë, ajo nuk i ka lejuar askujt që ndihmën e bashkëpunimin ekonomik, ta llogarisë si një investim për t’i diktuar dhe imponuar vendit tonë pikëpamje politike e ideologjike, që janë në kundërshtim me marksizëm-leninizmin dhe me interesat e socializmit. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, nuk i ka shitur kurrë parimet, ajo kurrë nuk ka bërë e nuk bën tregti me to.
Kur Partia e Punës e Shqipërisë e mbrojti Partinë Komuniste të Kinës nga sulmi i revizionistëve hrushovianë, në mbledhjen e Bukureshtit dhe në atë të Moskës, të Partive Komuniste e Punëtore të vitit 1960, ajo këtë e bëri me vetëdije për të mbrojtur parimet e marksizëm – leninimit dhe jo për të marrë nga Kina disa fabrika dhe disa traktorë. Kur Shqipëria socialiste, për vite e vite me rradhë, mbronte te drejtat e Kinës Popullore në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kundër komplotit amerikan, ajo këtë nuk e bënte për interesa materiale, por për të mbrojtur një çështje të drejtë dhe parimore. Kur Partia e Punës së Shqipërisë dhe klasa jonë punëtore, mbështetën qëllimet strategjike të Revolucionit Kulturor të Kinës, këtë nuk e bëmë për të marrë ndonjë kompensim, por për të ndihmuar klasën punëtore kineze, komunistët dhe popullin kinez, për të shpëtuar vendin nga elementët kapitalistë që kishin uzurpuar pushtetin në Kinë.
Qeveria Kineze, për të justifikuar prerjen e ndihmave për Shqipërinë, në pamundësi që të bëjë ndryshe, është kufizuar në “argumente” ekonomikë dhe teknikë të praktikës së thjeshtë e të zakonshme, në marrëdhëniet midis dy shteteve. Këtë ju e bëni me qëllim që të fshihni arsyet e vërteta që ju shtynë të ndërmerrni këtë akt armiqësor kundër Shqipërisë socialiste.
Prerja e ndihmave dhe e kredive për Shqipërinë, nuk mund të arsyetohet me 8 “faktet” që paraqiten në notën kineze se, gjoja “zëvendësministri i industrisë dhe i minierave të Shqipërisë ...refuzoi konsultimet e mëtejshme ...dhe, në mënyrë arrogante, u dha fund bisedimeve”; se nga specialistët shqiptarë “nuk u respektuan udhëzimet teknike të specialistëve kinezë” në rafinerinë e përpunimit të thellë të naftës; se projekti kinez në një objekt ushtarak nuk doli me sukses “për shkak të zbulimit të vonuar të zgavrave që rridhnin ujë, si rezultat i studimeve gjeologjike të dobëta nga ana shqiptare “dhe se pala shqiptare
“ndryshoi mendim duke marrë përsipër vetë punën dhe i dha vetë fund ndihmës kineze për këtë objekt”; se pala shqiptare “krijoi pretekste të ndryshme dhe, në kundërshtim me marrëveshjen, refuzoi të nënshkruante procesverbalet e vënies në shfrytëzim të objekteve; “se pala shqiptare, “pa pritur refuzoi të pranonte 25 faturat me një shumë totale prej afro 100 milionë juanë Renminbi”; se “për arsye të mospërfilljes nga pala shqiptare të këshillave teknike të specialistëve kinezë, në Kombinatin Metalurgjik, u formua një ngjitje në furrnaltë “dhe, këtë defekt, specialistët shqiptarë e zhdukën vetë, pa pritur që të vinin specialistë të posaçëm nga Kina; se “ambasadori shqiptar në Kinë refuzoi të pranonte notën kineze të 7 qershorit 1978 “.
Këto “argumente” dhe “fakte” që sjell Qeveria Kineze, jo vetëm janë të sajuara e të shtrembëruara, por edhe sikur të mos ishin të tilla, ato nuk mund të shërbejnë kurrsesi si një bazë morale dhe juridike, ku mund të mbështetet një shtet për të justifikuar prerjen e njëanshme e brutale të ndihmës ekonomike e ushtarake, ndaj një shteti tjetër, me të cilin ka qenë në aleancë të ngushtë për një kohë të gjatë.
Arsyet e vërteta të prerjes së ndihmave e të kredive për Shqipërinë, nuk kanë karakter thjesht teknik, siç paraqiten në notën e Qeverisë Kineze, por kanë karakter të thellë politik e ideologjik. Në këtë letër, Komiteti Qëndror i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare, do të hedhin dritë të plotë mbi këto shkaqe politike dhe ideologjike. Por, më parë po ndalemi të vërtetojmë se edhe “argumentet” që përdor pala kineze në notën e vet, nuk i përgjigjen aspak realitetit.
Qeveria e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, do ta njohë opinionin botëror me të vërtetën mbi marrëdhëniet ekonomike midis Kinës e Shqipërisë, e, në mënyrë të veçantë, për ato çështje që ngrihen në notën kineze, duke botuar notat e plota që janë shkëmbyer për këtë qëllim midis qeverive të dy vendeve. Këtu do të sqarojmë disa “fakte” që përmbahen në notën kineze.
Në notën kineze të 7 korrikut, duke radhitur në mënyrë tendencioze një varg shifrash mbi ndihmat që Kina i ka dhënë Shqipërisë, pasqyrohet dëshira e udhëheqjes kineze për t’u mburrur përpara botës. Ajo vepron njësoj siç ka vepruar dhe siç vepron udhëheqja revizioniste sovjetike, që propogandon vazhdimisht me mburrje prej shteti të madh “ndihmën” që i ka dhënë dikur Shqipërisë.
Detyrohemi t’u kujtojmë udhëheqësve kinezë se, mburrjet e tyre, janë krejt në kundërshtim me deklaratat zyrtare të bëra dikur nga vetë Qeveria Kineze.
Në deklaratën solemne mbi 8 parimet e ndihmës së Qeverisë Kineze për shtetet e tjera thuhet: “Qeveria Kineze bazohet gjithmonë në parimin e barazisë dhe të dobisë reciproke në dhënien e ndihmës vendeve të tjera. Ajo nuk e konsideron kurrë një ndihmë të tillë si një lëmoshë të njëanshme, por si diçka reciproke”. Kurse Çu En Lai, gjatë vizitës së tij në 14 shtete në vitin 1964,theksonte : “...në rast se ne do të mburreshim për ndihmën tonë ndaj të tjerëve, do të ishte një shovinizëm i shtetit të madh”.
Populli, Partia dhe Qeveria Shqiptare, nuk e kanë mohuar asnjëherë ndihmën e Republikës Popullore të Kinës dhe rolin e kësaj ndihme në zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Ata e kanë njohur dhe e kanë vlerësuar këtë ndihmë, duke u udhëhequr nga ndjenja të sinqerta dhe duke menduar se ajo vinte nga një shtet mik dhe jepej në frymën e parimeve të socializmit.
Por, në notën kineze të 7 korrikut, ndërsa paraqitet me nota të ekzagjeruara dhe zbukurohet ndihma ekonomike dhe ushtarake që Kina i ka dhënë Shqipërisë, nuk gjendet asnjë fjalë për të përmendur faktin se edhe Shqipëria e ka ndihmuar Kinën, siç e kanë deklaruar më parë edhe vetë udhëheqësit kinezë.
Duke vlerësuar ndihmën që Shqipëria i ka dhënë Kinës, Mao Ce Duni ka thënë: “Ne duhet t’ju falënderojmë, në radhë të parë juve, sepse ju qëndroni në vijën e parë të frontit, sepse ju ndodheni në rrethana shumë të vështira dhe luftoni me këmbëngulje për mbrojtjen e marksizëm – leninizmit. Kjo është një gjë shumë e vlefshme, kjo është më e çmueshme se çdo gjë”. (nxjerrë nga procesverbali i bisedës me një delegacion shqiptar më 29 qershor 1962). Ndërsa Çu En Lai, nga ana e tij, ka deklaruar: “Shokët shqiptarë përmendin shpesh përkrahjen dhe ndihmën nga ana e Kinës për Shqipërinë. Unë do të dëshiroja të theksoja këtu se, në rradhë të parë, Shqipëria na ka dhënë neve një ndihmë e përkrahje të madhe. “...Populli kinez nuk do të harrojë kurrë se në kohën kur revizioniostët modernë shpifnin dhe sulmonin në mënyrë të tërbuar Partinë Komuniste të Kinës, Partia e Punës e Shqipërisë, duke mbajtur një qëndrim të drejtë, pa marrë parasysh të gjitha presionet, vështirësitë dhe rreziqet, doli me guxim për të përballuar këtë rrymë të kundërt, demaskoi dhe goditi pa mëshirë komplotet antikineze të revizionizmit modern”.( Zëri i Popullit, 9 janar 1964, fjala në mitingun e Tiranës ).
Përsëri Çu En Lai ka thënë: “Ne bëjmë detyrën tonë internacionaliste dhe do të ishte tradhti, po të mos ju ndihmojmë. Ju, si një kështjellë e socializmit në Evropë, po luftoni kundër imperializmit, revizionizmit dhe gjithë reaksionit. Po të mos ju ndihmojmë, ne nuk do të jemi komunistë internacionalistë, por tradhtarë. Përkrahja dhe ndihma midis nesh, midis Kinës dhe Shqipërisë, është reciproke. Ju, në Europë, po qëndroni si një fener ndriçues dhe po luftoni pa u përkulur dhe sypatrembur. Kjo është një ndihmë dhe përkrahje e madhe për ne dhe për gjithë popujt e botë”. (Nxjerrë nga procesverbali i bisedës me një delegacion shqiptar, Pekin, 29 gusht 1971).
Një deklaratë të tillë ka bërë edhe Kan Sheni: “Unë u kam thënë shpesh shokëve, dhe përsëri këtë radhë e theksova edhe njëherë që, shokët shqiptarë, ne na japin një ndihmë të madhe kolosale. Le të mos shohim veç azotikun, tecin, uzinat dhe fabrikat e ndryshme që ju japim ne, ato nuk janë gjë, po të llogarisim përkrahjen e madhe që na japin ne dhe lëvizjes komuniste në botë, shokët shqiptarë”. (Nga fjala në darkën për nder të delegacionit kinez, më 13 nëntor 1966, në Tiranë).
Ne na vjen rëndë të flasim për ndihmën që Shqipëria i ka dhënë Kinës, sepse ato çfarë kanë bërë Partia dhe populli shqiptar për Kinën dhe popullin kinez, i kanë bërë me ndërgjegje komuniste e të frymëzuar nga ndjenja vëllazërore dhe internacionaliste. Por, na detyruat të flasim për të, sepse ju, duke ndjekur shembullin e Hrushovit e të Brezhnjevit, filluat të na numëroni Juanët e Fenët që i keni dhënë Shqipërisë!
Në notën e saj, Qeveria Kineze orvatet të krijojë përshtypjen në opinionin publik se gjoja Shqipëria, në qoftë se ka patur ndonjë sukses në zhvillimin ekonomik, këtë e ka vetëm në sajë të ndihmës së Kinës. Për këtë qëllim dhe, për të impresionuar opinionin e brendshëm dhe atë nndërkombëtar, shifrat që përmenden në notën kineze, janë fryrë e manipuluar me kujdes. Aty thuhet se: “Qeveria Kineze për zbatimin e marrëveshjeve të përfunduara midis Kinës dhe Shqipërisë, ka harxhuar më shumë se 10 miliardë juanë Renminbi”. Kjo është një shifër arbitrare dhe nuk i përgjigjet të vërtetës.
Në radhë të parë, duhet thënë se, ato që Qeveria Kineze i quan ndihma, në të vërtetë ato janë kredi, janë obligime që rrjedhin nga marrëveshjet e përfunduara midis dy qeverive, në përputhje me dëshirat dhe interesat e të dy palëve dhe me praktikën e njohur ndërkombëtare të marrëdhënieve midis shtetesh sovrane dhe që përmbajnë detyrime të dyanshme. Pra, këtu, nuk kemi të bëjmë me lëmosha ose me mëshirë kristiane.
Nga ana tjetër, në bazë të dokumenteve që disponon pala shqiptare, rezulton se, që nga dhjetori i vitit 1954, dhe deri në korrik të vitit 1975, midis Kinës Popullore dhe Shqipërisë, janë nënshkruar 17 marrëveshje qeveritare për dhënie kredie Shqipërisë nga Kina Popullore, përveç marrëveshjeve për ndihma ushtarake. Ndër këto 17 marrëveshje, ka prej tyre ku, ndihma në kredi, llogaritet me rubla të vjetra, më pas në rubla të reja, pastaj në lira angleze, më vonë në juanë të brendshëm e në juanë tregtarë, ose në dollarë amerikanë. Duke i kthyer monedhat e ndryshme të përmendura në këto marrëveshje, në juanë tregtarë me kursin zyrtar kinez të caktuar nga Banka Kineze në periudhat përkatëse, rezulton se, vlera e përgjithshme e ndihmës ekonomike kineze në kredi, akorduar Shqipërisë që nga viti 1954 dhe deri në vitin 1975, kur u nënshkrua marrëveshja e fundit, nuk është“më shumë se 10 miliardë juanë”, siç përmendet në notën kineze, por vetëm 3 miliardë e 53 milionë juanë tregtarë.
Nga kjo shumë, duke llogaritur vlerën e veprave të plota dhe të materialeve të përgjithshme me çmimet e njëanshme të caktuara nga pala kineze, deri në korrik të vitit 1978, është përdorur nga Shqipëria rreth 75 % e saj. Po kështu, duhet theksuar se, vlerat që përmbajnë faturat e Bankës Kineze për veprat e plota dhe për materialet e përgjithshme, nuk janë llogaritur mbi bazën e çmimeve të caktuara “në konsultim të përbashkët”, por janë caktuar në mënyrë arbitrare, pa e pyetur fare palën shqiptare në bazë të marrëveshjes. Prandaj, kthimi nga Banka e Shtetit Shqiptar Bankës Kineze i faturave të objekteve të ndërtuara në Shqipëri, nuk është “shkelje e marrëveshjeve”, siç pretendon pala kineze.
Çmimet për veprat e plota dhe për materialet e përgjithshme, mbi të cilat janë llogaritur faturat e dërguara nga Kina, janë caktuar, jo në përputhje me dispozitat e marrëveshjes zyrtare ndërmjet Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, të datës 8.6.1965 dhe me dispozitat e letërkëmbimit, të datës 12.12.1971, në të cilat përcaktohet qartë se “çmimet për veprat e plota dhe për materialet e përgjithshme....do të përcaktohen në konsultim të përbashkët, sipas principeve të caktimit të çmimeve tregtare, midis Kinës dhe Shqipërisë.
Për sa i përket ndihmës ushtarake, vlerësimet nga pala kineze janë bërë krejtësisht në mënyrë arbitrare, mbasi, në marrëveshjet e kësaj kategorie, përpara vitit 1967, vlerësimet janë shënuar në monedhën kineze, pa u konsultuar me palën shqiptare, kurse në marrëveshjet e mëvonshme, të cilat përfshijnë edhe pjesën kryesore të ndihmës ushtarake kineze për Shqipërinë, nuk përcaktohet asnjë vlerë konkrete, as në monedhën kineze dhe as në ndonjë monedhë tjetër.
Pra, ato miliarda juanë që përmenden në notën kineze, nuk përfaqësojnë shumën e vërtetë të ndihmës ekonomike dhe ushtarake për Shqipërinë, por janë një reklamë kineze e sajuar mbi bazën e llogarive arbitrare, të njëanshme dhe tendencioze. Ne themi se, pala kineze, për t’u shërbyer qëllimeve të saj të mbrapshta, është nxituar kur caktoi shifra të tilla. Llogaritë e plota do të bëhen sipas marrëveshjeve, protokolleve dhe kritereve të vendosura nga të dy palët. Ato do të bëhen duke mbajtur parasysh edhe humbjet e dëmet që i janë shkaktuar ekonomisë sonë nga pala kineze, duke mos i realizuar ajo në kohë e kontraktuar detyrimet, duke i lënë një pjesë të rëndësishme të objekteve të papërfunduara etj.
Pala Kineze nuk ka qenë korrekte në zbatimin e marrëveshjeve e të protokolleve zyrtare dhe të kritereve të caktuara bashkarisht. Shumica dërmuesee objekteve ekonomike që janë ndërtuar në Shqipëri, me ndihmën në kredi nga Kina, kanë përfunduar kurdoherë me vonesë, që shkon nga 1 deri në 6 vjet vonesë. Ka dhe objekte të tilla, siç është Uzina e Ferrokromit, e përcaktuar që të ndërtohej në Shqipëri në bazë të marrëveshjes për kredi nga Kina, të përfunduar në vitin 1965, që, për fajin e palës kineze, nuk ka përfundur së ndërtuari akoma edhe sot e kësaj dite. Po kështu, ndërtimi i Kombinatit Metalurgjik, filloi me vonesë dhe, deri më sot, për fajin e palës kineze, investimet për ndërtimin e tij, janë realizuar vetëm 67 % kundrejt vëllimit të vleftës së plotë të Kombinatit, dhe, nga Kina, janë investuar vetëm 74 % e pajisjeve.
Këto shkelje flagrante të marrëveshjeve zyrtare nga pala kineze, i kanë shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë shqiptare dhe, për këtë, Qeveria Kineze, mban përgjegjësi të plotë materiale dhe morale. Kur të llogariten në bazë të dokumentacionit zyrtar e të fakteve konkrete të gjitha këto, atëherë, do të shihet se kush e sa i ka borxh tjetrit.
Në notën kineze, ndihma që i ka dhënë Kina Shqipërisë, paraqitet si faktor vendimtar i zhvillimit të vendit tonë. Por, ajo nuk ka qënë dhe nuk mund të jetë një faktor i tillë. Faktori vendimtar që nuk mund ta mohojë askush, ka qenë puna dhe lufta e vendosur, këmbëngulëse dhe heroike e popullit shqiptar, nën udhëheqjen e Partisë së Punës së Shqipërisë, për ndërtimin e socializmit, sipas parimit leninist të mbështetjes në forcat e veta. Sukseset madhështore të arritura nga Shqipëria në ndërtimin e Socializmit dhe në mbrojtjen e vendit, janë vepër e Partisë së Punës së Shqipërisë, e shtetit shqiptar të diktaturës së proletariatit, e popullit shqiptar dhe jo frut i ndihmës nga jashtë.
Ndihma e marrë nga Kina ka qenë vetëm faktor ndihmës. Gjithë kreditë kineze të përdorura deri në fund të vitit 1977 nga Shqipëria, në raport me të ardhurat tona kombëtare, përfaqësojnë një përqindje fare të vogël. Ky është realiteti dhe jo paraqitja e gënjeshtërt e palës kineze që kërkon të krijojë përshtypjen sikur është Kina që e ka mbajtur gjallë popullin shqiptar.
Konceptet e shovinizmit të shtetit të madh, i kanë errësuar logjikën udhëheqjes kineze dhe e kanë bërë atë që të flasë me gjuhën e pronarëve feudalë. Në notën kineze përmendet me mburrje se, Kina i ka dhënë Shqipërisë 1.8 milionë ton grurë etj. Gati sa s’thuhet se Shqipëria “e ka mbajtur shpirtin me bukën e Kinës“!
Ky është një qëndrim ofendues për popullin shqiptar. E vërteta është që Shqipëria, gjatë periudhës 1956-1975, ka importuar nga Kina grurë. Jo vetëm që shifra që jepet nuk i përgjigjet realitetit, por duhet thënë se Shqipëria, vetëm 436.000 ton grurë ka marrë me kredi nga Kina, gjatë gjithë kësaj periudhe, ndërsa e gjithë pjesa tjetër është marrë prej saj në rrugë tregtare, duke e paguar grurin me klering. Përderisa në notën kineze është përmbledhur, në një shifër të vetme, si gruri i importuar nga Shqipëria me kredi, ashtu edhe gruri i importuar me klering, përse pala kineze nuk përmend edhe çfarë ka marrë nga Shqipëria, çfarë është eksportuar me klering nga Shqipëria në Kinë gjatë periudhës 1954 – 1977? Shqipëria i ka lëvruar Kinës mbi 1.3 milionë ton bitum, rreth 2.7 milionë ton mineral kromi e koncentrat kromi etj.
Duke përmendur ndihmën ushtarake në notën e saj, dhe duke e bërë publike këtë notë, Qeveria Kineze ka përhapur me dashje sekretin ushtarak mbi mbrojtjen e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Me këtë veprim, Qeveria Kineze ka dëmtuar rëndë mbrojtjen e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe ka ndihmuar armiqtë e saj të jashtëm, veçanërisht forcat e paktit të NATO-s, e imperializmin amerikan dhe forcat e Traktatit të Varshavës e socialimperializmin sovjetik. Ky është një akt pabesie dhe, për këtë, Qeveria Kineze mban përgjegjësi.
Në notën e Qeverisë Kineze, një vend të veçantë zënë përpjekjet për të akuzuar punonjësit shqiptarë, se këta, gjoja nuk kanë respektuar dhe nuk kanë dashur të bashkëpunojnë me specialistët kinezë që kanë ardhur në Shqipëri. Këto janë trillime fund e krye dhe nuk ia vlen barra t’i përgënjeshtrojmë. Ne jemi të bindur se në ndërgjegjen e tij, asnjë specialist kinez që ka jetuar e punuar midis popullit tonë, nuk do t’i aprovojë akuzat që bëhen. Punëtorët, specialistët dhe drejtuesit shqiptarë, gjatë gjithë kohës, kanë bashkëpunuar në frymë vëllazërore e miqësore me specialistët kinezë, kanë vlerësuar drejt punën e tyre, kanë respektuar dijet dhe eksperiencën e tyre. Duke ndjekur qëllime të caktuara, në notën kineze thuhet se në Shqipëri janë dërguar 6000 specialistë brenda 24 vjetëve. Kjo shifër globale serviret për të thënë se, gjoja për ndërtimet, industrinë, bujqësinë e çdo gjë që është bërë në Shqipëri, merita u takon këtyre 6000 specialistëve. Por, ndërtimi i Shqipërisë së re, është vepër e vetë popullit shqiptar. Në ndërtimin e veprave të ndryshme, kanë punuar çdo ditë e vazhdimisht me dhjetra mijëra specialistë, inxhinierë e teknikë shqiptarë, pa përmendur teknikët e mesëm e punëtorët e kualifikuar, që janë qindra mijë. Pa punën e dijet e tyre, asnjë vepër nuk mund të ndërtohej.
Gjithashtu, në notën kineze, nuk thuhet se specialistët e dërguar nga Kina, për punën e tyre janë paguar jo pak nga populli shqiptar. Kjo nuk përmendet, por nota nuk mungon të na kujtojë se, Kina na paska harxhuar 100 milionë juanë për të bërë eksperimente lidhur me hekurin shqiptar!
Dhe në të njëjtën kohë, të urdhëruar nga lart, specialistët kinezë që u tërhoqën nga Shqipëria, nuk u lanë specialistëve shqiptarë asnjë dokument teknik, por i dogjën ose i morën me vete të gjitha dokumentat teknike që kishin për objektet që ndërtoheshin në Shqipëri me ndihmën e Kinës.
Për çështje konkrete ekonomike, në mes dy partnerësh, midis dy shtetesh, është e natyrshme të lindin probleme të ndryshme, për zgjidhjen e të cilave është e nevojshme dhe e domosdoshme të zhvillohen diskutime. Por, udhëheqja kineze, nuk e ka ndjerë të nevojshme të zhvillojë diskutime normale, por donte t’i impononte Shqipërisë mendimet e saj. Pala kineze, jo sot, por për një periudhë kohe të gjatë, për çështje ekonomike, ka ushtruar ndaj Shqipërisë presione të shumta në forma e mënyra të ndryshme. Gjatë bisedimeve për nënshkrimin e marrëveshjeve për dhënien ndihmë ekonomike në kredi Shqipërisë nga Kina, e pastaj edhe për zbatimin e këtyre marrëveshjeve, janë bërë debate të shumta dhe janë kundërshtuar me sukses nga pala shqiptare pikëpamjet e udhëheqjes kineze, që kërkonte t’i impononte Shqipërisë një zhvillim ekonomik të njëanshëm, të frenonte përparimin e shpejtë e të sigurt të saj.
Në debatet e zgjatura, presioni i udhëheqjes kineze ka arritur gjer në atë shkallë, saqë, pala kineze të hiqte dorë nga projektimi i Hidrocentralit të Vaut të Dejës dhe atij të Fierzës, me qëllim që ne të mos i ndërtonim fare këto objekte industriale shumë të rëndësishme. Udhëheqja kineze mendonte se Shqipëria, meqë, sipas saj, nuk kishte forcë teknike për të projektuar të tilla hidrocentrale të mëdha e të vështira, do të hiqte dorë nga ndërtimi i këtyre objekteve. Por, më në fund, ajo u detyrua të pranonte dhënien e kredisë, mbasi pala shqiptare mori përsipër që t’i projektonte vetë këto dy hidrocentrale. Dhe, këto dy hidrocentrale, u projektuan dhe u ndërtuan nga specialistët shqiptarë, kurse specialistët kinezë kanë luajtur rolin jo të projektuesit por të konsulentit.
Faktet dhe dokumentat e shumta, tregojnë se, në momente të caktuara, sa herë që politika kineze ka marrë kthesa të mëdha, me të cilat Partia dhe Qeveria Shqiptare nuk janë bashkuar, Qeveria Kineze i ka shoqëruar ato me presione e masa shtërnguese ekonomike nga më të ndryshmet. Këto qëndrime janë një përgënjeshtrim flagrant i deklaratave të bujshme dhe të përsëritura të Qeverisë Kineze, sipas të cilave “në dhënien e ndihmës vendeve të tjera, Qeveria Kineze respekton me përpikmëri sovranitetin e vendeve që marrin ndihmë dhe nuk e shoqëron kurrë atë me kushte, ose nuk kërkon asnjë privilegj”.
Në notën kineze thuhet se “...pala shqiptare, si rezultat i nevojave tëpolitikës së saj të brendshme dhe të jashtme..., me dashje ka shpifur për ndihmën e Kinës ndaj Shqipërisë...”. Kjo tregon shpirtin intrigant të udhëheqjes kineze dhe dëshirën e saj që ta shohë Shqipërinë të robëruar politikisht, ideologjikisht dhe ekonomikisht nga socialimperializmi sovjetik, ose nga imperializmi amerikan e borgjezia reaksionare. Udhëheqja kineze flet kështu pse mendon se, Shqipëria qenka e izoluar, se ajo merrte frymë dhe rronte në sajë të Kinës dhe, tashti, paska mbetur në mes të rrugës dhe do të bjerë si një gjah në pritën e imperialistëve ose të socialimperialistëve. Kështu kanë menduar e folur dikur edhe Hrushovi e Mikojani, se Shqipëria do të shitej për “tridhjetë aspra”, se ajo “do të vdiste për bukë pas 15 ditësh, pa ndihmën sovjetike”! Por jeta tregoi se Shqipëria as nuk u shit, as vdiq për bukë.
Ajo eci përpara në ndërtimin e socializmit me sukses të madh. Dhe kjo u bë jo në sajë të ndihmës kineze, por në sajë të punës heroike e të luftës së lavdishme të popullit shqiptar....