STASI, kapërcimi i së kaluarës, një model nga Gjermania
Çështja e hapjes së dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit e rikthyer në aktualitet është në fokus të një dialogu i marrë përsipër në ditët e “Tetorit Gjerman” në Tiranë. Nesër, më 21 tetor, Marianne Birthler, vetë, drejtuesja e zyrës federale për dosjet e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të ish- RDGJ-së, është në kreun e tryezës së takimit që është thirrur nga Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë dhe Fondacioni “Friedrich Ebert” në Shqipëri. “Kapërcimi i së kaluarës-zgjidhja e çështjes së dosjeve të sigurimit të shtetit në Gjermani dhe Shqipëri” sjell një raport të zonjës Birthler mbi rastin gjerman të çështjes në fjalë dhe hap një diskutim me ekspertë shqiptarë dhe publikun duke iu referuar këtij modeli. Duke filluar nga ora 10.00, në Hotel Tirana, diskutojnë përfaqësues të palës gjermane, nën drejtimin e Patricia Schäfer (ZDF, televizioni i dytë gjerman). Përvoja shqiptare sillet nga Fatos Klosi ish-drejtor i Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK) dhe të ftuarve të tjerë që kanë për të prezantuar historinë e dosjeve të sigurimit të Shqipëri, historinë e legjislacionit për hapjen e dosjeve dhe iniciativa aktuale ligjore.
Është hera e parë që pala gjermane përfshihet kaq hapur në Shqipëri për diskutimin e dosjeve.
Zyrat Federale për dokumentet e STASI-t (Sigurimit të Shtetit) ruan në arkivat e saj dosjet e Ministrisë së Sigurimit të Shtetit të DDR-së (Republikës Demokratike të Gjermanisë) dhe, për arsye të ndryshme, i vë ato në dispozicion të personave privatë, institucioneve dhe publikut nën rregulla të rrepta ligjore. Në këtë mënyrë, kjo zyrë ndihmon në trajtimin historik, politik, juridik dhe shoqëror të diktaturës së SED (Unionit Socialist Gjerman) dhe nxit përballjen publike me idetë dhe strukturat totalitare.
Në vitin 1991 u dekretua ligji për dosjet e Shërbimit të Sigurimit të ish- Republikës Demokratike Gjermane (Ligji për Dokumentet e STASI-t). Ligji i dokumenteve të STASI-t, përbën kornizën ligjore për shqyrtimin e dosjeve. Në radhë të parë, dosjet e tyre mund t’i shikojnë individë të cilët janë përndjekur nga shërbimet sekrete shtetërore. Veç kësaj, institucioni zyrtar jep gjithashtu ndihmesën në verifikimin e personave me funksione dhe detyra të larta. Edhe shkencëtarët dhe gazetarët mund të kërkojnë akses në dosje për trajtimet e tyre historike. Dokumentet shikohen nën direktiva të rrepta për mbrojtjen e të dhënave dhe lejohen të botohen vetëm për arsye të caktuara dhe sipas rregullave të përcaktuara me ligj.
Zonja Birthler informon në diskutimin e saj në Tiranë për rregullimin ligjor që i shërben balancimit të interesave të një shoqërie demokratike për hapjen e dosjeve dhe mbrojtjes të së drejtave të personalitetit dhe shikohet ndërkohë si shembull për trajtimin e dosjeve në një shoqëri postdiktatoriale.
“Dita e dosjeve” mbyllet me shfaqjen në orën 18.00 në Kinema Millenium, e filmit “Jetët e të tjerëve” i regjisorit Florian HenckelVon Donersmarck, fituesi i çmimit Oscar si Filmi më i mirë i huaj në vitin 2006, i shfaqur premierë në Tiranë vitin e shkuar. Është drama e individit i përgjuar nga mëngjesi në mbrëmje nga oficerët e STASI-t.
Në kuadrin e Tetorit Gjerman, vijojnë me dy realizime dhe Ditët e Filmit Gjerman, në kinemanë e Akademisë së Filmit “Marubi”. Sonte shfaqen “Vrasësi” në orën 17.00 dhe në orën 20.00 “Schtonk” të dy filma me aktorin Götz George.