E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana "fundos" Tomorin, Teuta triumfon në Peqin

TIRANE- Një gol i mbrojtësit Dushku në minutën e 33-të i ka dhënë tri pikë të tjera Tiranës, që rikonfirmohet si pretendentja kryesore për fitimin e titullit kampion. Në Lushnjë, në një stadium të boshatisur, ajo që fiton është eksperienca e 24 herë kampionëve të vendit, që kanë mundur 1-0 Tomorin e Beratit. Tirana nuk ka qenë e frikshme në fushën e lojës, por pavarësisht kësaj, ka mundur të marrë 3 pikët, në një përballje, që nëse luhej në Berat, mund të kishte përfundime të tjera. Lojtarët e Tomorit shënuan një gol në mesin e pjesës së parë, por arbitri e anuloi për pozicion jashtë loje, ç'ka solli edhe protestat e forta të tyre. Në të vërtetë, lojtari beratas u duk pak më i avancuar se mbrojtja e Tiranës, megjithë kundërshtimin e pankinës dhe futbollistëve të Tomorit. Një moment që duket se ndikoi shumë te ndeshja ishte edhe dalja e sulmuesit Vangjel Mile vetëm 10 minuta nga starti i sfidës.

NDESHJA
Takimi i djeshëm nisi nën ritmin e beratasve, që edhe pse kishin përballë një ekip pretendent, kanë luajtur si të barabartë. Dalja e sulmuesit Mile gjithsesi e zbehu forcën ofensive të tyre, ndërsa Tirana ishte më konkrete në aksionet e saj. Tomori shënoi një gol, por ai u anulua për pozicion jashtë loje, ç'ka solli kontestimin e lojtarëve dhe të pankinës beratase. Bardheblutë gjetën golin në minutën e 33-të, pas një rrëmuje në zonë, ku topi u shty në rrjetë nga mbrojtësi Dushku. Tomori më pas u hodh në sulm, por pa shumë rrezikshmëri edhe pse krijoi një volum të madh loje. Në pjesën e dytë, falë edhe eksperiencës së saj, Tirana ruajti rezultatin, duke marrë qetësisht fitoren. Bardheblutë patën 2-3 momente të mira për të dyfishuar, por nuk arritën dot, duke u kënaqur vetëm me një gol.

TEUTA
Tri pikë në Peqin për Teutën e Durrësit, që tashmë nuk mund të konsiderohet kurrsesi një surprizë. Skuadra e drejtuar nga Hasan Lika vazhdon të ruajë kreun e klasifikimit edhe pas kësaj jave, duke mos njohur ndalesë. Ndeshja e djeshme mendohej si shumë e vështirë për të, duke qenë se luhej në fushën e Shkumbinit, por durrsakët kanë zgjidhur gjithçka që në pjesën e parë. Mancaku e Sheta shënuan dy gola të shpejtë në minutat 33' dhe 35', duke shokuar peqinasit. Vendasit gjithsesi u rikthyen në lojë në pjesën e dytë, falë golit të Llucës, por kanë qenë të pafuqishëm për të realizuar për herë të dytë. Teuta në këtë mënyrë mori fitoren, duke u ngjitur në kuotën e 22 pikëve, 2 më shumë se Tirana e vendit të dytë. Me një ekip të mbushur me të rinj dhe një trajner ekspert, durrsakët janë kthyer në një kundërshtar të vështirë për këdo.
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›