E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, "fushëbeteja" e zgjedhjeve

Qershori i këtij viti do të shënojë betejën direkte mes "krerëve" të politikës shqiptare. Bazuar mbi objektivat e deklaruara publikisht, Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta rivalizojnë njëri-tjetrin për të garantuar fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës. Kryeqyteti, për vetë simbolikën, por edhe për numrin e madh të deputetëve, do të shndërrohet në arenën e kësaj përplasjeje. Pak më shumë se pesë muaj nga data e zgjedhjeve, deri diku janë qartësuar tendencat dhe skemat politike të këtyre personazheve. Gjithçka përfundimtare do mund të mësohet vetëm në muajin maj, kur dhe zyrtarisht depozitohet lista e kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror Zgjedhor.

Rama

Kreu i socialistëve, Edi Rama, ende nuk ka artikuluar publikisht dhe qartazi strategjinë e tij personale në raport me listën e kandidatëve për deputetë. Burimet partiake rrëfejnë se nuk mund të konsiderohet surprizë nëse Rama preferon të mos përfshihet fare në listat e deputetëve. Sipas kësaj logjike, ai do të vazhdojë të mbajë këtë post duke drejtuar fushatën në cilësinë e kreut të PS-së dhe njëkohësisht kryebashkiakut të Tiranës. Në një rast fitoreje, Rama do lëshonte drejtimin e Bashkisë për të kaluar në karrigen e Kryeministrit. Veprim që do shoqërohej me zgjedhje të reja dhe si pasojë e tendencës së parlamentareve mund të mendohet se sërish Bashkia e Tiranës do bjerë në duart e së majtës. Të mos qenit deputet në një rast të tillë nuk e pengon Ramën të bëhet Kryeministër, aq më tepër kur me Kushtetutën e ndryshuar, ai që mandatohet për Ekzekutivin ka shumë pak gjasa të rrëzohet brenda mandatit katërvjeçar. Në rast humbjeje, Rama mund të vazhdojë të konsumojë edhe dy vitet e mbetura në drejtimin e pushtetit lokal. Nëse Rama preferon të kandidojë, do të duhet të tërhiqet nga drejtimi i Bashkisë, pasi Kushtetuta e parashikon diçka të tillë. Në një rast humbjeje, Rama do merrte mandatin e deputetit, por gjasat do të ishin për një disfatë të së majtës edhe në Bashkinë e Tiranës. Deri më tani Rama nuk rezulton të ketë kandiduar për mandatin e deputetit dhe nuk ka përftuar asnjë të tillë.

Berisha

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shansin e mirë dhe të keq njëkohësisht të futet në zgjedhje si Kryeministër në detyrë. Jetëshkrimi politik i Berishës ka të shënuara disa mandate deputeti të marra në vitet e demokracisë. I pari është përftuar në vitin 1991, më pas u rizgjodh në parlamentaret e vitit 1992 dhe më pas në 1997, 2001 dhe 2005. Zona zgjedhore e përzgjedhur nga kreu i së djathtës ka qenë ajo e Kavajës. Duke ju nënshtruar sistemit të ri zgjedhor dhe organizimit në qarqe, kjo zonë i takon tashmë hartës elektorale të Qarkut të Tiranës. Deri më tani nuk janë shfaqur tendenca nga zoti Berisha për të ndryshuar zonën e kandidimit. Sipas logjikës politike, konkurrimi në Tiranë është edhe një lloj sfide që Berisha do t‘i bëjë rivalit të tij, Edi Rama. Ky i fundit, prej tre mandatesh rresht mban "timonin" drejtues të pushtetit lokal në kryeqytet. Berisha do të përpiqet të sigurojë sa më shumë mandate deputetesh në rajonin me numrin më të madh të tyre. Një rezultat pozitiv në Tiranë, përveç mandate deputetësh, është edhe një sukses direkt përballë Ramës dhe alternativës së tij politike. Me sistemin e vjetër zgjedhor, në gjithë qarkun aktual demokratët arritën të merrnin në korrikun e 2005-ës një numër prej 15 deputetësh nga 20 të tillë. Shifra që padyshim do të tentohet të mbahen të palëkundura nga mazhoranca aktuale dhe Kryeministri Berisha.

Meta

Drejtuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka deklaruar tanimë kandidimin e tij në kryeqytet. Kjo edhe në formë sfide përballë dy rivalëve të tij politikë, Sali Berisha dhe Edi Rama. Ish-kryeministri dhe partia e tij kanë filluar përgatitjet për zgjedhje dhe në muajin mars do të dalin me koalicionin dhe listën e tyre të kandidatëve për deputetë. Deri më sot Meta ka preferuar të kandidojë për mandatin e deputetit në zonën e Skraparit, pjesë e Qarkut të Beratit. Ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe pesha elektorale specifike në kryeqytet duket se e kanë bërë Metën të ndërrojë vendin e kandidimit. Drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim e konsiderojnë Tiranën si një prej bazave më të fuqishme elektorale të tyre, të ndjekura më pas nga Qarku i Fierit dhe ai i Beratit, ku pretendohet të merren mandate të tjera deputetësh. Në jetëshkrimin politik, Meta rezulton të ketë marrë mandate deputeti në disa procese elektorale. Konkretisht ai është zgjedhur në vitin 1992, më pas në 1997, 2001 dhe së fundmi në vitin 2005.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›