E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e "maskës", nga tronditja psikike

Grabitësi me maska i vrarë në pronën e Feim Llanajt në orët e para të së shtunës është realizuar nga tronditja psikike. Prokuroria e Tiranës thotë se vrasja e Petrit Pjetrit me origjinë nga Puka është realizuar nga pronari i servisit, ku është tentuar të grabitet nga dy maska. "Më datën 10 janar 2009, në orën 13:00, u bë arrestimi i shtetasit Feim Eqerem Llanaj, i vitlindjes 1967, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, në Unaze të Re, banesë private pa numër, me arsim të mesëm, i pa dënuar. Të shtunën, rreth orës 01:00, tek Unaza e Re, ai ka qëlluar me armë zjarri brenda në dyqanin e tij shtetasin Petrit Kol Pjetri, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, i cili kishte hyrë në dyqan për të vjedhur", thuhet në komunikatën e policisë. Sipas saj, shtetasi Petrit Pjetri, pasi është dërguar në SQU, ka gjetur vdekjen. "U kryen veprimet procedurale, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma tip pistoletë TT, model 54, me nr.540709 dhe dy gëzhoja. Materialet do t‘i kalojnë prokurorisë, për veprën penale ‘vrasje e kryer në tronditje të fortë psikike‘ dhe ‘armëmbajtje pa leje‘", thanë burimet nga policia.

Hetimet

Policia ka publikuar dje detaje nga vrasja e një maske në Tiranë. Sipas saj, viktima (maska) rreth orës 23:30 të së premtes po luante bilardo pranë kompleksit "Llanaj", në afërsi të Unazës së Re. Në këtë orë, biznesi "Llanaj" pëson një defekt në kutinë elektrike, ku i gjithë aktiviteti nuk kishte energji elektrike. Prokuroria thotë se prej këtij momenti, Pjetrit i ka lindur ideja që të kryejë grabitjen. Ndërkohë, dyshohet se ai bënte pjesë në një grup kriminal që vepronte në zonë dhe se ishte urdhëruar nga një person tjetër. Nga ana tjetër, Feim Llanaj ka dëshmuar sërish, duke treguar detaje. Ai thotë se nuk e mban mend sesi e ka qëlluar "maskën" që e ka sulmuar në katin e dytë (viktimën).

Ndërsa saktëson se në momentin që e ka parë, ka ulëritur, pasi i ka dalë si hije. Sipas Feim Llanaj, personi tjetër që e sulmoi mbante në dorë një pistoletë dhe ishte më i gjatë, rreth 175 centimetra, një trup i hollë. Deklaroi para policisë se autori ishte veshur me rroba të zeza dhe në kokë mbante një kapuç.

Para grupit hetimor ka dëshmuar edhe bashkëshortja e Feim Llanaj. Sipas saj, ishte ora rreth 00:30 kur ka dëgjuar zhurma që vinin nga kati i parë. Lajmëron Feimin dhe i thotë të dalë për të parë se çfarë po ndodhte. "Feimi, siç ishte me rroba gjumi, ka shkuar poshtë. Rreth dy minuta më vonë kam dëgjuar një ulërime të tij. Në këtë çast mendova se e vranë dhe e tmerruar kam shkuar për të parë se çfarë po ndodhte. Sapo jam veshur dhe kam dalë në katin e dytë të banesës, kam dëgjuar krismën e armës dhe pas 60 sekondash në vendngjarje kanë mbërritur patrulla e policisë që komunikuan me Feimin", tregon bashkëshortja e tmerruar.

Familja e viktimës
Familja e viktimës së Petrit Pjetrit ka komunikuar indirekt me familjen e Feim Llanajt. Këta të fundit i kanë kërkuar familjes Pjetri që një pjesëtar i familjes së tyre të marrë pjesë në ceremoninë mortore. Por, familja Pjetri ka refuzuar, duke deklaruar se "faji" është i tyre. Duke u bazuar te Kanuni, ata deklarojnë se familjari i tyre duhet të kishte marrë leje që të futej në pronën e tjetrit dhe se veprimi i tij ishte i patolerueshëm. Ndërsa shtojnë se Petriti ishte një tip i mbyllur. Ai ishte dënuar më parë në Greqi për grabitje me dhunë me pesë vjet heqje lirie.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›