Dy burra kërcënojnë seriozisht gratë e tyre
Dy gra janë marrë në mbrojtje nga policia, pasi janë kanosur seriozisht për jetën, ku në një rast është përdorur edhe arma. Ngjarjet kanë ndodhur dy ditë më parë në Tiranë, ndërkohë që policia ka marrë në mbrojtje dy gratë e kërcënuara. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se në orën 08:00 ka bërë kallëzim Silva Karma, 27 vjeçe, banuese në Tiranë, se më datë 9 janar është kanosur seriozisht për jetën, për motive të dobëta, nga bashkëshorti Artur Karma, 33 vjeç, banues në adresën e mësipërme. Policia detajoi se shtetases Silva Karma iu plotësua kërkesa për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes. Ndërkohë, rasti i dytë është shënuar në orët e vona të së shtunës. Sipas policisë, në orën 22:30 të asaj nate ka bërë kallëzim Qefsere Xhepa, 49 vjeçe, banuese në Tiranë, Nish Tulla Tre, se në orën 20:00 është kanosur në banesën e saj me armë gjahu nga bashkëshorti Xhavit Xhepa, 50 vjeç. Sipas grupit hetimor, u kryen veprimet procedurale dhe u bllokuan dy armë gjahu, të cilat poseduesi i kishte me leje.