E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, “hetim” portës dhe repartit difensiv



Te Tirana kanë gjetur “puçistët” e ndeshjes me Utrehtin. Burime konfidenciale pranë klubit, të cilët kanë dashur të mbeten anonim, kanë pohuar se kanë dyshime mbi tre-katër lojtarë që mund të kenë influencuar në rezultatin e ndeshjes në Holandë.

Një arsyetim i tillë ka dalë më së shumti nga mënyra dhe analiza e bërë me një mendje të ftohtë, një ditë pas ndeshjes së luajtur në Ligën e Europës. Sipas drejtuesve të Tiranës, ekzistojnë disa pika, të cilat të bëjnë të dyshosh se disa lojtarë kanë luajtur jo vetëm më dobët se pjesa tjetër e skuadrës, por edhe kanë influencuar qëllimisht në rezultatin e kësaj ndeshjeje. Kështu, mesazhet në telefona, laptopet e përdorura para ndeshjes, interesimi i vazhdueshëm për koeficientët e ndeshjes, si dhe refuzimi në një farë mënyre i premios së dhënë nga drejtuesit e klubit para takimit, të çojnë vetvetiu në dyshime mbi një “trukim” të mundshëm të ndeshjes së parë të turit të dytë të Ligës së Europës.
Utrehti nuk ka qenë një nga skuadrat më të papërballueshme për Tiranën, fakt që është konfirmuar edhe nga vetë drejtuesit bardheblu. Sigurisht, që nuk mund të mohohet se faktori fushë mund të ndikonte, por të gjithë kanë qenë të mendimit se me një lojë të kujdesshme si ndaj hungarezëve të ZTE-së, Tirana mund të kishte marrë minimalisht një humbje të ngushtë ose pse jo, edhe një barazim ndaj holandezëve, duke lënë disi të hapur kualifikimin për në takimin e kthimit në Tiranë. Pikërisht, mbi këtë gjë, Refik Halili dhe Rauf Dimraj, para ndeshjes patën premtuar një premio të majme për lojtarët e Tiranës. Por edhe në këtë rast, del në pah një element tjetër që implikon këta futbollistë, kryesisht të repartit të mbrojtjes. Mësohet, se pasi Halili dhe Dimraj patën deklaruar shpërblimin skuadrës, disa lojtarë, të dyshuarit në fjalë u kanë pohuar kolegëve, që të mos i besonin ato që thanë drejtuesit bardheblu pasi edhe po të barazonin ndaj Utrehtit, premio nuk do të ishte e mjaftueshme për ekipin (kujtojmë se Halili dhe Dimraj patën premtuar 80 % të fitimeve nga Liga e Europës ose thënë ndryshe, gati 120 mijë euro, për kalimin e turit të dytë).
Ndërkaq, vetëm njëshi i klubit bardheblu nuk del haptazi dhe tenton që të mos e besojë një fakt të tillë, por ai pohon se në rastin më të mirë, në analizën që të do bëjë nesër në klub, do të kërkojë llogari një më një të gjithë lojtarëve, kryesisht repartit të mbrojtjes. “Unë nuk e di nëse është shitur ndeshja apo jo. Tentoj që të mos futem në debate të tilla, por në gjykimin tim por edhe të shefit të klubit mendojmë të bëjmë një analizë të thellë mbi atë që ndodhi në Holandë, duke u ndalur më së shumti te porta dhe reparti i mbrojtjes, aty ku realisht çaloi edhe loja e skuadrës sonë”, ka pohuar Refik Halili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›