Zhdukja e Bleonës, familja: Banorët po na fshehin diçka
Pas 5 ditësh mbushen plot dy muaj që nga zhdukja misterioze e Bleona Matës, 6-vjeçares nga Zapodi i Kukësit. Familjarët e saj vijojnë të kenë shpresa se mbase një ditë do të vijë lajmi i shumëpritur se ajo është shëndoshë e mirë. Ndërkohë, grupi hetimor ende nuk ka një pistë apo person konkret për implikimin në zhdukjen e së miturës. Udhëtimet e prokurorëve të Krimeve të Rënda janë rralluar për në fshatin e largët. Prej disa ditësh, as pesë vajzat e rritura, që ishin atë ditë me Bleonën në kullotë, nuk e kanë bërë ritualin e rrugës së radhës për në Tiranë. Të vetmit që ende shkojnë e vijnë herë pas here dhe marrin kontakte me prindërit janë efektivë të Kukësit. Ndërkohë familjarët e vogëlushes kanë ndërmarrë edhe vetë udhëtime për në Tiranë e gjetkë, duke u interesuar edhe në rrugë private, me njerëz të afërm të tyre që mund t'i ndihmojnë. Në raste të tilla, të një ngjarjeje kaq të rëndë dhe pa zgjidhje, nuk mungojnë dhe rrugët e tjera dhe ritet e zonës siç janë të shkruarit te njerëzit fetarë apo tek vendet e shenjta. Aty familjarët kanë marrë shpresa për një rikthim shumë të shpejtë të Bleonës shëndoshë e mirë. Megjithatë, Bleona vazhdon të jetë larg shtëpisë dhe asgjë nuk dihet për fatin e saj. Në familjen Mata trishtimi ka kapluar gjithë anëtarët e familjes. Gjyshi Zeneli, por dhe tjerët, janë të bindur se ndonjë banor i fshatit ka dijeni të plotë se kush e rrëmbeu Bleonën e vogël. Ata thonë se ditën e parë, disa bashkëfshatarë të tyre kanë treguar dhe kanë përshkruar një njeri që është parë në fshat dhe që ka marrë 6-vjeçaren, por kur u morën në pyetje nga policia pohuan se nuk kishin parë njeri. Pas nisjes së hetimeve dhe dyshimeve mbi hallën e Bleonës, familja Mata është e bindur se dikush, qëllimisht ia ka përzënë lopët në drejtim të kufirit me Kosovën, në fshatin Kosharisht, në mënyrë që ta kenë më të lehtë ta grabisin Bleonën. Nga ana e tij, babai i të zhdukurës, Zamiri, vazhdon të mos heqë dyshimin nga vajzat e rritura që ishin në kullotë me Bleonën, duke veçuar me emra dhe dy prej tyre. "Vajzat që ishin atë ditë në kullotë me Bleonën, e dinë se kush e ka marrë. Dyshimet e mia bien pikërisht mbi to, të paktën në dy prej tyre, që jam i bindur se e dinë. Vajzat janë marrë në pyetje disa herë nga policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe sërish janë lënë të lira, por unë them se ato e dinë fatin e sime bije", pohon Zamir Mata. Edhe nëna Bukurija, e cila prej 22 majit qan me foton e Bleonës në dorë, thotë se vajzën ia kanë rrëmbyer grupet kriminale. "Ajo ka qenë vajzë e hedhur, por mund ta kenë grabitur tinëzisht, pa i lënë mundësi Bleonës as të bërtasë dhe as të na lërë ndonjë shenjë për të na lajmëruar".