Tirana, ikën Mohelebi firmos Saimir Patushi
Leonard Karaj
Një ikën dhe një tjetër afrohet. Tirana mbetet gjithnjë një klub me dyer të hapura nga të katra anët.
Francezi Lorent Mohelebi mund të quhet tashmë i larguar nga skuadra bardheblu pas sherrit të bërë në pushimin e ndeshjes Tirana-Skënderbeu me drejtuesit e klubit. Burime pranë skuadrës bardheblu pohojnë se futbollisti është ende në kontratë me Tiranën, por për sjelljen aspak të hijshme që ai ka pasur ditën e shtunë, drejtuesit kanë vendosur që ta ndëshkojnë sipas rregullores së brendshme të klubit. Kjo do thotë se Molehebi mund të marrë një supergjobë ose edhe t’i prishet kontrata në mënyrë të njëanshme pa asnjë lloj penaliteti dhe detyrimi mes palëve.
Sherri
Molehebi është kritikuar nga drejtuesit bardheblu në pushimin e ndeshjes Tirana-Skënderbeu për lojën e dobët që ka shfaqur në fushë, duke e zëvendësuar atë menjëherë me sulmuesin e ri Ferra. Atë moment mesfushori nuk është përmbajtur, duke leshur një sërë ofendimesh drejt drejtuesve të Tiranës. Lojtari është parë mjaft i nervozuar në hollin e stadiumit "Qemal Stafa", duke ofenduar (në frëngjisht) drejtuesit e klubit. "Do marr gruan dhe do të largohem nga kjo skuadër. Nuk mund të punosh me këta maskarenj", ka thënë ai. Ndërkaq, burime pranë skuadrës bardheblu pohojnë se futbollisti ka pasur edhe oferta më të mira nga klube të tjera jashtë vendit, ndaj edhe qëndrimi i tij pas kësaj zënke te Tirana është thuajse i pamundur.
Patushi
Mesfushori Saimir Patushi është blerja më e re e Tiranës për këtë merkato vere. Në fakt, futbollisti ka qenë pjesë e skuadrës bardheblu edhe sezonin e kaluar por kontrata e tij kishte përfunduar ndaj edhe pritej një rinovim ose largim i tij në një ekip tjetër. 33-vjeçari ka firmosr kontratë një-vjeçare mbrëmjen e së dielës me presidentin e Tiranës, Refik Halili. Duhet theksuar se edhe pse mesfushori nuk ka qenë nën kontratë ai gjatë gjithë kësaj kohe është stërvitur me ekipin e Tiranës, duke qenë në pritje veçse të zyrtarizimit të tij si futbollist i kësaj skuadre. Me ardhjen e tij trajneri Lonçareviç rregullon repartin difensiv të mesfushës.