E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: Rizgjedhje e Ramës, detyrim për ata që na votuan në 28 qershor

 

Anëtari i Kryesisë së PS-së, Pandeli Majko, shprehu hapur në fjalën e tij mbështetjen për rizgjedhjen e Edi Ramës në postin drejtues të kësaj force politike. Në fjalimin e mbajtur në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kongresit të jashtëzakonshëm të PS-së, ish-kryeministri socialist tha se rikonfirmimi i Ramës është detyrim për ata që votuan PS-në në 28 qershor. “Unë jam për rizgjedhjen e Edi Ramës si kryetar të Partisë Socialiste, duke vazhduar të qëndrojë në detyrë si vazhdim logjik i një detyrimi për ato vota e votues që na u numëruan ose jo në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Misioni duhet të vazhdojë jo vetëm si pasojë e vullnetit të mirë abstrakt, por si kuptim i përparësive të qarta përballë një krize politike që nuk u mbyll, por u thellua në pritjen e largimit përfundimtar të Sali Berishës nga pushteti”, u shpreh Majko. Në të njëjtën kohë ai akuzoi edhe PD-në e LSI-në për koalicionin paszgjedhor të ndërtuar mes tyre. Sipas Majkos, ky koalicion vetëm sa e thellon krizën. “Për sa i përket koalicionit të Partisë Demokratike dhe LSI, është e qartë që nuk përmban efektin e daljes nga kriza e numrave në parlament, por e thellon atë në kushtet e një vendi ku autoriteti i burokratëve është mbi të drejtën e pronës, së punës dhe të arsimit në Shqipëri”, tha deputeti i PS-së. Sipas tij, “ky koalicion qëndron si bashkim i interesave të përkohshme dhe nuk ka të bëjë, edhe kështu si është, me vullnetin e votuesve shqiptarë duke qenë më shumë një zgjuarsi konvencionale e paaftë të marrë përsipër zgjidhje për një varg çështjesh emergjente reformash me kornizë afatgjatë që shkojnë edhe përtej ciklit elektoral”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›