E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, ja argumentet e KQZ-së për denoncimet e PS-së

TIRANË- Vendimi i dy ditëve më parë, i marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dhe pretendimet që katër anëtarët e KQZ-së kanë përdorur gjatë gjithë procesit të dytë të numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar do të jetë edhe mbrojtja kryesore, që institucioni i lartë zgjedhor do të përdorë në Kolegjin Zgjedhor, kundrejt ankesës së PS-së për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë. Në zbatim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, KQZ-ja hapi 1793 kuti votimi për Bashkinë e Tiranës, duke ngritur tetë grupe numërimi në ndihmë të KQZ-së, me punonjës së administratës së saj. Pranë çdo grupi numërimi, subjektet zgjedhore PS-ja dhe PD-ja u caktuan nga një vëzhgues.

Votat jashtë zarfeve

Në vendimin përfundimtar të KQZ-së, katër anëtarët e mazhorancës argumentojnë një e nga një të gjitha parregullsitë e bëra publike nga PS-ja, përmes përfaqësuesve të saj ligjor. Ankesa e parë lidhet pikërisht me fenomenin e dukshëm, ku grupet e numërtimit të KQZ-së, në disa raste, konstatuan se disa fletë votimi të hedhura gabim ndodheshin brenda në kuti votimi, por jashtë zarfave të votave të pavlefshme dhe zarfeve të votave të kontestuara. Pavarësisht se nga PS-ja u kërkua që këto vota të mos vlerësoheshin, KQZ-ja çmoi se numërimi dhe vlerësimi i këtyre votave të hedhura gabim është detyrim i drejtpërdrejtë, që buron nga zbatimi i vendimit të Kolegjit Zgjedhor nr.67, i cili urdhëronte numërimin e këtyre votave, pavarësisht zarfit ku gjendeshin ato, leximin me çdo kusht të vullnetit të zgjedhësve dhe jo refuzimin e tij, për shkaqe apo rrethana strikt administrative. Për të gjitha rastet, KQZ-ja argumenton se u verifikua zarfi i fletëve të pavlefshme dhe zarfi i fletëve të kontestuara dhe u konstatua se në këto zarfe, GNV-të nuk kishin futur asnjë fletë votimi të kësaj kategorie.

Kodi i pestë

Grupet e numërimit të KQZ-së, në disa raste konstatuan se në procesverbalet e hartuara nga ana e GNV-ve të KZAZ-ve respektive, në momentin e mbylljes së numërimit nuk kishin shënuar në tabelën e rezultateve të grupit të numërimit Model 56-11 kodin e pestë të kutisë së votimit. Kjo ndodhi në fakt në 124 raste. Edhe për këtë fenomen, Partia Socialiste kërkoi që këto kuti të mos hapeshin, për shkak se mungesa në tabelën e rezultatit e të dhënave për kodin e pestë (kodi që mbyll dhe izolon hapësirën në të cilën futet fleta e votimit), cenonte integritetin e kutisë së votimit. Por çfarë thotë vendimi i KQZ-së për këtë çështje: “KQZ konstatoi dhe provoi se në të gjitha këto raste nuk bëhej fjalë për mungesë fizike të kodit të pestë të sigurisë. Hapësira në fjalë ishte e mbyllur dhe izoluar, sipas kërkesave të Kodit Zgjedhor, me kod sigurie të pacenuar. Numri identifikues i këtij kodi, përveçse në tabelën e rezultatit Model 56-11, që hartohet dhe firmoset nga GNV-ja e KZAZ-së përkatëse, shënohet sipas Kodit Zgjedhor edhe në procesverbalin e mbylljes së kutisë së votimit nga Komisioni i Qendrës së Votimit dhe në Librin e protokollit të mbledhjeve të KQV-së. Ky numër identifikues, sipas argumentit të KQZ-së, shënohet gjithashtu edhe në procesverbalin Model PV-KZAZ-13, procesverbal i dorëzimit të kutive të votimit nga KZAZ-ja në KQZ. “Saktësia e numrit identifikues të kodit të pestë vërtetohet nga njëri prej këtyre procesverbaleve dhe kështu pretendimi i ngritur nga subjekti në fjalë u rrëzua...”, thuhet në vendimin e KQZ-së. Po sipas KQZ-së, nga analiza ligjore e rastit dhe e fakteve dhe rrethanave të pretenduara, institucioni më i lartë zgjedhor konstatoi se pretendimi i paraqitur nga PS-ja për ndërrim të kodeve, vetëm për shkak se në njërin nga dokumentet zgjedhorë nuk ishte reflektuar numri i kodit të pestë të sigurisë, ishte i pambështetur në fakte dhe në prova.

Kutitë e dëmtuara

KQZ-ja konstatoi gjithashtu se 8 kuti në momentin e transportit të tyre, ishin dëmtuar fizikisht në përmasa të ndryshme. Nga ana e Partisë Socialiste u kërkua që të mos hapeshin këto kuti, për shkak se ishte cenuar integriteti i tyre. “...KQZ-ja kreu rast pas rasti eksperimentin nëse, pa e dëmtuar më tej kutinë, bëhej e mundur nxjerrja e materialit zgjedhor apo futja në kuti e materialeve të tjera zgjedhore”, thuhet në vendimin e KQZ-së. Duke u bazuar në këtë argument, sipas KQZ-së, dëmtimet ishin të tilla, të cilat nuk lejonin ndërhyrjen në materialin zgjedhor. KQZ-ja argumenton gjithashtu se zarfat në kuti ishin të gjithë të mbyllur, të nënshkruar nga numëruesi i parë dhe sekretari i Grupit të Numërimit. Po sipas KQZ-së, nëse një letër do të futej nga jashtë në kuti, ajo do të dëmtohej rëndë, gjë që sipas KQZ-së nuk u vërtetua nga fletët e gjetura të votimit.

Fletët e qendrave të tjera

Gjatë procesit të dytë të numërimit, KQZ-ja konstatoi në dy raste, fletë votimi të cilat ishin hedhur në kutinë e gabuar, nuk i përkisnin qendrës së votimit në të cilën u gjendën por një qendre tjetër votimi. Më saktë, nga verifikimi paraprak, KQZ-ja konstatoi se tre fletë votimi të gjendura në kutinë e QV-së nr. 1741/1 i përkisnin QV-së nr. 1734, çka u vërtetua nga verifikimi i vulës së QV-së në pjesën e pasme të tyre. Gjithashtu rezultoi se dy fletë votimi të gjendura në kutinë e QV-së nr. 18611, nga verifikimi i vulës së QV-së në pjesën e pasme të tyre, i përkisnin QV-së nr. 1858. “Nga shqyrtimi i dokumentacionit përkatës, tabelat e Grupit të Numërimit të KZAZ-së për këto QV, KQZ-ja konstatoi se i njëjti grup numërimi kishte numëruar kutitë e votimit të QV-së nr. 1741/1 dhe të QV-së nr. 1734. U provua gjithashtu se, i njëjti grup numërimi kishte numëruar kutitë e votimit të QV-së nr. 1861/1 dhe 1858”, - sqarohet në vendim. Verifikimi u krye duke administruar tabelat e rezultateve për këto qendra votimi, në të cilat është shënuar numri përkatës i grupit të numërimit, emrat e anëtarëve të grupit të numërimit, si edhe firmat përkatëse. “Ky fakt provon jashtë çdo lloj dyshimi se kutia e QV nr. 1741/1, dhe kutia e QV nr. 1734 janë “takuar” me njëra-tjetrën në tavolinën e grupit të numërimit nr. 1 të VNV e ZAZ-së nr. 46, ndërkohë që edhe kutia e QV, 1861/1 dhe kutia e QV-nr. 1858 janë “takuar” me njëra-tjetrën në tavolinën e grupit të numërimit nr. 4 të VNV së KZAZ-së nr 50. Ky fakt, krijon bindjen e arsyeshme se, zhvendosja e fletëve të votimit nga një kuti në tjetrën ka ndodhur pikërisht në këtë tavolinë gjatë këtij momenti “takimi”. Asnjë prej subjekteve pjesëmarrëse në hetimin administrativ nuk solli indicie apo prova në dobi të ndonjë skenari tjetër alternativ apo të kundërt, i cili të lidhej me procesin e votimit, apo me momente të tjera përpara numërimit”, - thuhet në vendim.

N.Perndoj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›