E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi në Vlorë, vazhdon derdhja e ujërave të zeza në det

Në qytetin e Vlorës u zhvillua Konferenca Vendore “Shërbimet Mjedisore në Zonat Turistike”, ku ishin të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave e të institucioneve vendore. Por një nga problemet e diskuara ka qenë ai për derdhjen e ujërave të zeza në det, si dhe ndotja e lartë akustike. Kryetari i Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Geron Gumbardhi, theksoi se në qytetin e Vlorës ujërat e zeza vazhdojnë të derdhen në det, ndërkohë që ndotja akustike është një shqetësim i vazhdueshëm, për shkak se diskot janë ndërtuar dhe funksionojnë në mjedise të hapura, pranë hoteleve, ndërkohë që asnjë subjekt i këtij profili nuk ka aplikuar deri tani për leje mjedisore. “Në të gjithë vijën bregdetare Vlorë-Orikum janë ndërtuar pa leje dhe në mënyrë të paligjshme 20 minimole, të cilat kanë dëmtuar rëndë mjedisin dhe cilësinë e vijës bregdetare, çka ngarkon me përgjegjësi qeverisjen vendore”, nënvizoi ai. Nga ana e tij, drejtori i Turizmit në Bashkinë e Vlorës, Ilir Metaj, evidentoi se ruajtja dhe mbrojtja e mjedisit është një problem i përbashkët mes qeverisjes qendrore dhe asaj vendore. “Menaxhimi i mbetjeve urbane dhe shkarkimi i ujërave të zeza nuk mund të realizohen nga qeverisja vendore, pa mbështetjen e qeverisë, për shkak të fondeve që nevojiten”, u shpreh Metaj.

Mbetjet urbane

Në fjalën e vet zëvendësministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Taulant Bino, u ndal në problemet që shfaqen sot përgjatë vijës bregdetare të vendit me cilësinë e mjedisit dhe masat që duhet të merren për të parandaluar dhe minimizuar pasojat që mund të shfaqen gjatë sezonit turistik. Ai tha se qeverisja vendore është përgjegjëse në administrimin e territorit, çka, sipas tij, përcaktohet edhe në kuadrin ligjor përkatës, ku saktësohen detyrat që kanë njësitë e qeverisjes vendore për përmirësimin e mjedisit dhe ruajtjen e tij. “Ministria e Mjedisit harton politikat mjedisore, ndërkohë që është përgjegjësi e institucioneve ruajtja dhe sigurimi i standardeve mjedisore”, theksoi Bino. Sipas Binos, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, ka kaluar në Këshillin e Ministrave draftligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane”. “Nga viti 2015, të gjitha njësitë e qeverisjes vendore në vendin tonë duhet të realizojnë trajtim të diferencuar të mbetjeve, pra grumbullimin dhe përpunimin e diferencuar të tyre”, theksoi zëvendësministri Bino. Ai tha se ky proces do t’i hapë rrugë edhe riciklimit, niveli i të cilit nga 10 për qind që është aktualisht, duhet të shkojë deri në 25 për qind në vitin 2015 dhe gradualisht prej vitit 2025 në 50 për qind. “Përmes riciklimit, pushteti vendor krijon hapësirë për industrinë e riciklimit”, theksoi Bino.

Duke bërë një pasqyrë të gjendjes aktuale të mjedisit në Shqipëri, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare, ai tha se sot mbetjet urbane nuk po administrohen siç duhet, ndërkohë që ujërat e zeza shpesh shkarkohen në det. ”Nuk ka turizëm pa cilësi të mjedisit dhe nuk ka kuptim të zhvillohet turizmi atje ku nuk trajtohen mbetjet urbane”, theksoi zëvendësministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Taulant Bino.

Ilir Bala, kryeinspektor i Mjedisit në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, u ndal në masat që janë marrë dhe do të merren nga struktura që ai drejton në drejtim të problemeve të mjedisit në të gjithë vendin. “Gjatë periudhës maj 2010-maj 2011 në të gjithë vendin janë ushtruar 3750 kontrolle, të cilat janë shoqëruar me 63 gjoba për keqadministrimin e mbetjeve urbane me një vlerë të përgjithshme prej 41 milionë lekësh, 5 gjoba me një vlerë prej 4 milionë lekë, për ndotjet akustike, si dhe me masa të tjera administrative për shkarkimet e paligjshme në det”, theksoi Bala.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›