Vendimi i Kolegjit: Hapja e kutive sjell përputhjen
Vendimi i fundit i Kolegjit Zgjedhor u shpreh edhe në lidhje me çështjen e mungesës së rakordimit të shifrave. Konkretisht, në faqen nr.18 të vendimit thuhet se “nga Kolegji Zgjedhor, në analizë të kësaj situate juridike vlerësohet se, në rastin konkret, gjendemi përpara një hetimi të pjesshëm, i cili në vetvete ka prodhuar një tabelë përmbledhëse me mospërputhje në lidhje me shifrat, dhe që nuk pasqyron vullnetin e të gjithë zgjedhësve”. Sipas Kolegjit, kjo ka ardhur për shkak se është kryer nga KQZ-ja hetim administrativ i paplotë, selektiv, që nuk trajton me të njëjtën procedurë rezultatin origjinal të 485 QV-ve, por mjaftohet vetëm me hetimin administrativ të pjesshëm të një numri të kufizuar kutish dhe përfshirjen e rezultatit të tij, pra të një pjesë të së tërës, pa ja nënshtruar logjikën e përdorur nga KQZ, tabelës përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore në tërësinë e saj. “Në rastin konkret KQZ-ja është mjaftuar me ndërhyrjen në pjesë të veçanta të saj duke konkluduar në një produkt me mospërputhje në shifra, ku numri i fletëve të votimit nuk rakordon me numrin e vullneteve të shprehura”, thuhet në vendimin e Kolegjit. Teksa i sugjeron KQZ-së hapjen e kutive të tjera të numërimin e të gjitha fletëve të hedhura në kutinë e gabuar, Kolegji thotë se “vetëm nëpërmjet këtij hetimi të plotë administrativ dhe verifikimit të lëvizjes së fletëve të votimit objekt hetimi administrativ nga një kuti votimi në tjetrën do të mundësohet zgjidhja e mospërputhjes së të dhënave në tabelën përmbledhëse dhe leximin e të gjitha votave pavarësisht se për kë janë hedhur”.