Tirana ka vetëm propozimet e Bashës – nga ana tjetër ofrohet veç alternativa e vjetër e Ti-Ramës
Nuk është hera e parë që vërtetohet fakti se një politikan tjetër thotë publikisht e tjetër bën tinëzisht. Në këtë kategori hyn edhe Edi Rama, që pasi betonizoi krejt Tiranët, tani në fushatë elektorale del e thotë paturpësisht se “vëmendja është tek mjedisi”. Po këto 11 vite ku e pati vëmendjen Edvin Rama? Apo tjetër thotë e tjetër bën, ky “të thotë një qytetar - një votë”, më pas del që është “një votë - një pallat”. Përbuzja më e madhe ndaj qytetarëve të Tiranës është t’u thuash pas një dekade qeverisje të Tiranës se do t’u jap nga një pemë, për t’ju plotësuar normën e mjedisit. Klasifikime botërore dëftejnë se Tirana është një nga qytetet më të betonizuar në Botë kurse ky të thotë “do të mbjell një pemë”. A do të ishte më mirë ta mendonte më parë pemën dhe jo pallatin? Sigurisht që po. Mirëpo klika e betonin që i dikton politikat shkatërruese të jetës së qytetarëve kanë makutërinë për të ndërtuar sa më shumë apartamente për t’i shitur me 1.500 euro metri katror. Të gjithë janë të informuar se lejet e ndërtimit në Tiranë i fitojnë shumë pak veta, ku pjesa më e madhe janë deputetë socialistë. Dy prej tyre Sadri Abazi dhe Fidel Ylli janë “banka e Ramës”, kurse i treti Koço Kokëdhima është “vëllai” shekullor. Në parkun Rinia, pasi u hoqën kioskat lëvizëse, “Rama and Friends” i dha besnikut të tij një shesh ndërtimi 1300 metra katrorë, me një shifër qesharake 97 dollarë metri katror. Dhe për pak desh të heqë pemët për të bërë një parking nëntokësor. Ky është Edi Rama kundërthënës. Rama është një politikan që harron çfarë premton.
Sidoqoftë alternativa ndaj Ti-Ramës ekziston. Quhet Lulzim Basha. Dhe është një prej kandidatëve me shpresëdhënës për këtë qytet të sakatuar padrejtësisht nga interesa të ndryshme prej atyre të qytetarëve. Të paktën për të rregulluar urbanizimin e pakontrolluar të Tiranës. Për t’i dhënë një pamje dhe jo vetëm një fasadë europiane. Një Tiranë europiane patjetër që ka nevojë për një transport publik të denjë. Dhe zgjidhja për një tramvaj që lidh skajet e qytetit është një projekt i mirë, i votueshëm, ngase Rama na ofron autobusë të dorës së tretë, na ofron autobusë të miqve të tij, që sulmojnë me armë Kandidatin e PD-së në Dajt. Për një Tiranë Europiane duhet shumë punë, prandaj punësimi është një objektiv i Bashës, i cili me reduktimin e taksave në Tiranë do të çlirojë shumë energji investuese në kryeqytet. Të gjitha propozimet janë të arsyeshme. Të vetmet propozime serioze që ka qyteti janë ato të Lulzim Bashës, pasi Edi Rama po projekton të sulmojë Bashën dhe jo të propozojë projekte për këtë qytet të përndjekur nga indiferenca përbuzës së Ramës, që mendjen e ka të bëhet kryeministër. Këtë mundësi mund ta ketë pas 2 vitesh, ç’ka do të thotë nëse fiton bashkinë në Tiranë do ta lejë mandatin përgjysmë. Kështu qytetarët do të votojnë përsëri talljen e Ramës. Mirëpo kësaj radhe askush s’do të tallet më me qytetarët, ngase ka ardhur koha të ndryshojë nga stanjacioni. Ka ardhur koha. Nevoja për një frymë të re ekonomike, kulturore, shoqërore dhe civile është prezent më shumë se kurrë, dhe arsyeja qytetare pavarësisht bindjeve politike do të mbështesë ndryshim që aq shumë i mungon këtij qyteti.
Tirana ka vite që është në vend-numëro në zhvillimin ekonomik, nga keqmenaxhimi, korrupsioni i lejeve të ndërtimit, inercia kulturore dhe katastrofa infrastrukturore. Edhe ata që thonë se çështjet e ndotjes, të gjelbërimit, të pastrimit, të trafikut, të transportit publik, të punësimit, të uljes së numrit të nxënësve në klasa, të thithjes së talenteve të shkolluar jashtë vendit, të largimit të lypësve nga rruga… Janë probleme, për të cilat kanë folur e flasin gjithnjë të gjithë kandidatët për kryetar bashkie të qytetit të Tiranës duan të përgjithësojnë dhe relativizojnë paaftësinë e Ramës për të ushtruar detyrën si kryebashkiak. Të gjitha këto probleme që numëruam më lart janë rezultat i mungesës së përgjegjësisë, defekteve të tjera dhe i makutërisë për pushtet të Ramës. Modeli unicentrik “Rama” është i dyshuar, pasi ka prodhuar pakënaqësinë e jetës së qytetarëve. Ereksionet artistike me fasadat e pallateve në kryeqytet s’mund të fshehë më mjerimin strukturor që të jep kështu Tirana. Janë dimensioni social i strehimit, i përkrahjes sociale për shtresat në nevojë, i problemeve të krijimit të mundësive për një jetë normale të pensionistëve apo të personave me aftësi të kufizuara, që kanë mbetur pa asnjë zgjidhje. Zgjidhje e re është investimi kapital në projektin europian të Bashës, si heqje e vizave ndarëse mes Kryebashkiakut dhe Qytetarëve. Ne mund të zgjedhim të mirën tonë.