E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbështetje për Lulzim Bashën, kandidatin për bashkinë e Tiranës

03-04-2011 / Nga Leonard Quku

PDIU çel fushatën elektorale: “Ne e duam Shqipërinë”, çështja çame në themel të platformës tonë

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, përmes një mitingu madhështor në “Pallatin e Kongreseve” çel fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit si pjesë e koalicionit të madh “Aleanca për Qytetarin”. Përfaqësuesit e kësaj force politike u shprehën se nuk do të harrohet çështja çame dhe se do të çohet në vend amaneti i të parëve, që komuniteti çam të kthehet në tokat e tij në Çamëri

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) përbën një potencial të rëndësishëm për mazhorancës dhe koalicionin “Aleanca për Qytetarin”, në zgjedhjet vendore të 8 majit, zgjedhje të cilat janë vetëm për qytetarin dhe kurrsesi politike.
Përmes një ceremonie festive me pjesëmarrjen e mijëra mbështetësve të kësaj force politike nga e gjithë Shqipëria, në “Pallatin e Kongreseve” në kryeqytet PDIU zyrtarizoi çeljen e fushatës elektorale në prani kreut të PDIU Shpëtim Idrizi, deputetit Dashamir Tahiri, presidentit të nderit Tahir Muhedini, kandidatit të mazhorancës për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha dhe politikanit Sabri Godo.
Kreu i PDIU Shpëtim Idrizi, u shpreh në fjalën e tij se në këto zgjedhje “Aleanca për Qytetarin” synon të kthejë Tiranën tek qytetarët dhe njëherazi të marrë fund keqqeverisja 11 vjeçare.
 Idrizi ftoi të gjithë patriotët që t’i bashkohen PDIU-së në fushatën për zgjedhjet vendore të 8 majit, me moton “Unë e dua Shqipërinë”.
Ai tha se, forca politike që ai drejton është partia e të gjithë shqiptarëve dhe partia që do të çojë përpara çështjen çame dhe çështjen kombëtare.
“Unë u uroj fitore, sepse motoja jonë është ‘Ne e duam Shqipërinë’. Por, ne sot na duhet fuqi e re. Ne, na duhet vota juaj. Sot, ne na duhet vota e atij të riut, që voton për herë të parë. I themi: voto, një forcë të re, një forcë kombëtare, e cila nuk zhgënjen. Voto, një parti, e cila të bën krenar që je shqiptar! Voto PDIU! Sot ne na duhet vota e atij plakut çam, te cilit i është ngjallur shpresa se diçka po lëviz. Voto PDIU! Sot ne na duhet vota e të gjithë grave, nenave dhe motrave, janë ato, qe i japin jete jetës, që duhet të besojnë tek Ne. Voto PDIU, jepi jetë të resë. Sot, ne na duhet dhe vota e dikujt, i cili mendon shumë përpara se të votojë, e që nuk ia jep asnjëherë votën të njëjtës parti. E ne i themi këtij njeriu: ‘na e jep ne votën, ajo është një votë e dobishme’. Ne i themi, shpreso, mos e hidh votën kot, tek ata, që quhen të mëdhenj, por që sillen si të vegjël dhe kanë frikë. Voto PDIU! Ne sot kërkojmë votën e shqiptarëve patriotë, si kontribut për kauzën tonë. Ajo votë për ne do të jetë një amanet i madh. Ne do japim llogari përpara tij. Por, ne nuk do zhgënjejmë askënd, pra as atë: ne jemi partia e fjalës së mbajtur! Votoni PDIU! Miqtë e mi! Ne jemi parti, që do bëjmë të pamundurën, pse ne kemi dalë jashtë skemave të vjetra të aktivitetit politik. Ne jemi parti e së resë, por jemi dhe partia e amanetit, partia e flamurit, që nuk lëshohet nga dora, por mbrohet. Ne nuk shesim e blejmë flamuj, por ne jua dhurojmë flamurin e kombit! Ndaj voto PDIU!”, u shpreh në fjalën e tij, kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi. PDIU shkon në këto zgjedhje vendore si pjesë e pandashme dhe sensitive e koalicioni të madh “Aleanca për Qytetarin”. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka deklaruar se do të mbështesë fuqishëm kandidatin e mazhorancës për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›