E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembi banesat, Bashkia humb gjyqin

 

Fatos Mahmutaj

Gjykata e Tiranës shpëton nga prishja tre banesa të legalizuara vetëm dy ditë më parë, duke rrëzuar Inspektoratin Ndërtimor e Urbanistik të Bashkisë së Tiranës. Vendimi është marrë paraditen e djeshme nga gjykatësja kryeqytetase Elona Gjoka, e cila ka pranuar kërkesën e katër kryefamiljarëve që banojnë në këto shtëpi, për të pezulluar çdo veprim të Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik të Bashkisë, derisa çështja të zgjidhet ligjërisht.  Paraditen e djeshme katër kryeqytetasit Ermir Shehu, Bujar Shehu, Jonida Aga dhe Djana Veshaj (Aga), iu drejtuan Gjykatës së Tiranës për marrjen e masës së sigurimit të padisë për pezullimin e zbatimit të aktit administrativ të datës 21 gusht 2009 të nxjerrë nga Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik për prishjen e objekteve ku banojnë. Në vendimin e djeshëm, Gjykata e Tiranës pohoi se katër kryeqytetasit, para shumë vitesh kanë ndërtuar banesat e tyre në rrugën "Don Bosko", përballë "Vizion plus", në të cilat banojnë aktualisht. Në përputhje me ligjet për legalizimet kanë nisur procedurën e legalizimit të këtyre banesave. "Siç rezulton nga vërtetimet numër 2105, 2106 dhe 2112 datë 25 gusht 2009 të lëshuar nga Agjencia a Legalizimit dhe Integrimit të Zonave Informale, Drejtoria e Qarkut Tiranë, Bujar Shehut, Ermir Shehut, Jonida Agës u janë legalizuar objektet me VKM 706 datë 23 qershor 2009. Sipas VKM-së Bujar Shehut i është njohur e drejta e legalizimit të objektit njëkatësh, në truallin ndërtimor me sipërfaqe të parcelës 37 metër katrorë dhe sipërfaqe të gjurmës së ndërtimit 33.4 metër katrorë; Ermir Shehut i është njohur e drejta e legalizimit të objektit njëkatësh, në truallin ndërtimor me sipërfaqe të parcelës 395 metër katrorë dhe sipërfaqe të gjurmës së ndërtimit 104 metër katrorë; Jonida Agës i është njohur e drejta e legalizimit të objektit njëkatësh, në truallin ndërtimor me sipërfaqe të parcelës 179 metër katrorë dhe sipërfaqe të gjurmës ndërtimit 84.8 metër katrorë". Po ndryshe nga kjo Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë me shkresën 7055 datë 21 gusht 2009 ka njoftuar katër kryefamiljarët për prishjen e banesave të tyre më 31 gusht 2009 ora 10:00. Më tej, në vendim thuhet se shkresa 7055 e Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë ka dalë në emër të Ermir dhe Bujar Shehut, të cilët kanë paraqitur prova në gjykim duke vërtetuar se janë vëllezër midis tyre. Po kështu edhe dy kërkueset e tjera, Djana Veshaj (Ago) dhe Jonida Aga janë motra midis tyre dhe figurojnë në dokumentet e legalizimit. Më tej gjykatësja kryeqytetase Elona Gjoka, e cila ka shqyrtuar e vetme këtë kërkesë ka argumentuar se: "Duke qenë se kërkuesit: Ermir Shehu, Bujar Shehu, Jonida Aga dhe Djana Veshaj(Aga), pretendimet e tyre i mbështesin në prova shkresore, si dhe nga ekzekutimi i këtij akti administrativ ekziston rreziku i shkaktimit i një dëmi të rëndë dhe të pazëvendësueshëm çmohet nga gjykata se ka vend që të pezullohet zbatimi i aktit administrativ, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes nga ana e gjykatës". Kështu, gjykatësja Gjoka, bazuar në nenin 204 të Kodit të Procedurës Civile, pasi sigurimi i padisë është kërkuar para ngritjes së padisë, urdhëron palën kërkuese që të paraqesë padinë për anulimin e akteve administrative brenda 15 ditëve nga dita e dhënies së këtij vendimi. Ose e thënë ndryshe katër kërkuesit duhet të dorëzojnë në gjykatë padinë kundër Inspektoratit brenda datës 10 shtator. 

Gjykata: Jo shembjes së banesave
TIRANE - Pasi është shprehur për pranimin e padisë së dy vëllezërve Shehu dhe dy motrave Ago, Gjykata e Tiranës ka vendosur më tej marrjen e masës së sigurimit të padisë për pezullimin e zbatimit të Aktit Administrativ të datës 21 gusht 2009 të nxjerrë nga Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik për prishjen e objekteve në të cilën banojnë kërkuesit: Ermir Shehu, Bujar Shehu, Jonida Aga dhe Djana Veshaj (Aga), në rrugën "Don Bosko", deri në përfundimin e kësaj çështjeje gjyqësore. Në pikën e tretë të vendimit gjykatësja kryeqytetase Elona Gjoka është shprehur se kërkuesit janë të detyruar të paraqesin padinë e themelit të çështjes në sekretarinë e Gjykatës brenda 15 ditëve nga dita e dhënies së këtij vendimi. Më tej, gjykata ka pohuar se shpenzimet gjyqësore do të mbeten ashtu siç janë bërë, ndërsa kundër këtij vendimi, i cili u shpall ditën e djeshme në Gjykatën e Tiranës, lejohet ankim i veçantë në Apelin e kryeqytetit. Objekti i këtij gjykimi ishte marrja e masës së sigurimit të padisë për pezullimin e zbatimit të aktit administrativ të datës 21 gusht 2009 të nxjerrë nga Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik për prishjen e objekteve në të cilën banojnë: Ermir Shehu, Bujar Shehu, Jonida Aga dhe Djana Veshaj (Aga). Ndërsa baza ligjore e kësaj çështjeje janë nenet 202, 203, 204, 205, 329 të Kodit të Procedurës Civile.                                                                        fa.ma.

Bashkia: Të prishen, janë pa leje
TIRANE - Burime nga procesi i zhvilluar dje në Gjykatën e Tiranës pohojnë se Bashkia është nisur nga fakti se banesat ku jetojnë Ermir Shehu, Bujar Shehu, Jonida Aga dhe Djana Veshaj (Aga) ishin të pa legalizuara, ndaj ka kërkuar prishjen e tyre. Por legalizimi më datë 25 gusht, vetëm katër ditë pas shkresës së bashkisë, u ka dhënë të drejtë banorëve t'i drejtohen gjykatës së kryeqytetit për të pezulluar veprimet e Inspektoratit të Ndërtimit. Ende nuk dihet nëse bashkia është njohur me vendimin e legalizimit të banesave, ndërsa pritet që certifikata e lëshuar nga Agjencia e Legalizimeve të jetë prova kryesore kundër vendimit të Bashkisë. Këto prova do të shqyrtohen gjatë procesit që do të nisë pas datës 10 shtator. f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›