E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi iftar në Shkodër, “braktiset” nga vendorët

 

Presidenti Bamir Topi merr pjesë në iftarin e shtruar nga shoqata kulturore islame “Drita” në qytetin e Shkodrës. Por ajo që ra në sy në këtë ceremoni ishte braktisja e kreut të shtetit nga të gjitha autoritetet lokale, deputetët e qytetit, Myftiu i Shkodrës Imam Ndriçim Sulejmani, Arqipeshkvnia Metropolitane e Shkodrës si dhe nga Kisha Ortodokse. Në fjalën e tij Topi theksoi se vlerësoi tolerancën fetare si një vlerë shumë të rëndësishme për shoqërinë shqiptare. “Unë e kam thënë shpesh por do ta përsëris edhe sonte këtu që, është një nga standardet tradicionale që ne kemi arritur me kohë, është një nga standardet unikale, ku vështirë se gjen një paralelizëm për një shoqëri që në këtë aspekt është një shoqëri vërtetë model. Të gjithë së bashku kemi një moment reflektimi në këtë ditë dhe në këtë muaj të shënuar përmes tolerancës, për më shumë respekt tek njëri-tjetri, për të ndërtuar vlera vërtetë të rëndësishme për shoqërinë tonë”, theksoi Topi. Por kreu i shtetit nuk iu shmang edhe ngjarjeve të fundit në vend. Sipas tij, duhet forcuar shteti ligjor si dhe shërbimi ndaj qytetarëve. “Sot ne jemi vend i NATO-s shumë shpejt do të jemi vend i BE. Por pa dyshim krahas këtyre arritjeve na duhet më shumë punë për të forcuar shtetin ligjor, për të forcuar shërbimin ndaj qytetarëve dhe të institucioneve e forcave të rendit, padyshim që i është dashur dhe i duhet çdo ditë të përballet me krimin për të arritur pikërisht atë që unë sapo thashë, në vendosjen e shtetit ligjor”, u shpreh kreu i shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›