E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, kundër Milanit me bluza 800 lekë të tregut çam

Nga Altin Latifi
Futbollistët e Tiranës kanë luajtur kundër Milanit me bluza të blera në tregun çam që kushtojnë vetëm 800 lekë. Ndërkohë që për të ardhur Milan në Tiranë, u paguan 1.7 milionë euro e më pas për bamirësi u dhanë nga Milan, 100 mijë euro, e pas kësaj në ankand bluza që luajti Ronaldinjo kushtoi 13.500 euro 

TIRANE-Ndeshja mes Milanit dhe Tiranës rrezikoi për një moment të mos zhvillohej për shkak të mosmarrëveshjeve në lidhje me fanelat që do të mbanin futbollistët bardheblu në fushën e lojës. E përkundër të gjitha debateve mes donatorëve, futbollistët e Tiranës kanë luajtur me bluza të blera në tregun çam që kushtojnë vetëm 800 lekë. Kjo një gjë qesharake përkundër bluzës së Ronaldinjos, që në mbrëmjen GALA që u zhvillua në Sheraton, u shit për 13.500 euro, për bamirësi.
Konflikti
Meqë ndeshja kishte një rëndësi të veçantë, presidenti aktual i Klubit ka hedhur idenë që lojtarët e Tiranës të luanin me uniformën e viteve '80, simbolikë për ekipin bardheblu dhe në respekt të traditës së ekipit. Por kjo ka shkaktuar konflikt dhe kontradikta me donatorët e tjerë të skuadrës. Kjo për shkak edhe të parave që jepen nga donatorët e tjerë për ekipin. Konflikti mes tyre ka qenë i thellë, ndërkohë që Tirana gjithmonë ka pasur bluza me siglën e një prej donatorëve të saj. Konflikti shkoi deri aty, sa vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që është edhe "pronar" ligjor i Tiranës, ka ndërhyrë për të zgjidhur konfliktin dhe duke zgjedhur që ekipi bardheblu, të mbajë të njëjtat fanella që ka mbajtur gjithmonë. Dhe në të vërtetë kështu ndodhi, pasi Tirana u shfaq në "Qemal Stafa" përballë Milanit, me fanelën e zakonshme të këtyre viteve të fundit.
Konflikti
E sfida e madhe që përfundoi me fitoren e Tiranës ka pasur kështu konfliktet dhe kontradiktat e veta. Ndërkohë që për të ardhur Milan në Tiranë, u paguan 1.7 milionë euro e më pas për bamirësi u dhanë nga Milan, 100 mijë euro, e pas kësaj në ankand bluza që luajti Ronaldinjo kushtoi 13.500 euro (ende nuk dihet emri i atij që ka blerë bluzën në ankand) gjithë bluzat e lojtarëve të Tiranës kushtonin vetëm 100 mijë lekë të vjetra, duke i humbur rëndësinë. Ndeshja u transmetua live edhe në Milan Channel dhe në kanalet "Premium" dhe "Mediaset". I pyetur për këtë çështje, presidenti aktual i ekipit, Refik Halili, nuk pranoi të komentonte, por ndërkaq, duket se ka një kontradiktë mes të katër donatorëve. Dy prej tyre, u panë në krah të qeveritarëve në tribunën kryesore, ndërsa të tjerët të paktën në dukje nuk ishin aty. "E vërtetë që propozova të luhej me fanellat e viteve '80 thotë Halili, por nuk u pranua". Edhe shefi i klubit Eduard Gjini, që siç dihet caktohet nga bashkia e Tiranës ka qenë kundër fanellave të viteve '80. Ndërhyrja e Edi Ramës si pronar i vërtetë i Klubit bardheblu, ka zgjidhur situatën për momentin, por ka hapur një debat që pritet të vazhdojë në ditët e ardhshme, sidomos në rradhët e donatorëve.
Problemet
Mosdhënia e parave, por edhe cilësia e fanellave që mban skuadra duket se është kthyer në një problem tek Tirana. Burime të sigurta nga klubi më i madh në vend bëjnë të ditur se uniformat që mban aktualisht ekipi bardheblu mund të gjenden lehtësisht edhe te tregu çam me vlerën e 800 lekëve. Një dyshim i tillë hidhet edhe nga vetë lojtarët, sipas të cilëve, cilësia e bluzave që mbajnë veshur ndikon direkt edhe në rendimentin e tyre në fushën e lojës. Ndërkohë, si për të konfirmuar gjithë problematikën, në ndeshjen ndaj Milanit mungonin në tribunën e stadiumit kombëtar dy donatorë. Gjithçka e çuditshe, duke qenë se donatorët e klubit bardheblu rrallëherë mungojnë në evenimente të tilla.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›