Stomatologët e pezulluar do të nisin punë
Ndihmësstomatologët, të cilët u larguan dy javë më parë nga puna për shkak të mungesës së arsimit të kërkuar, do të kenë mundësi të reja punësimi. Ashtu siç i është thënë edhe një përfaqësie të tyre lidhur me çështjet e largimit nga puna dhe mundësitë e punëve të reja, të gjithë asistentëdentistët që punonin në kabinetet e shkollave të arsimit parauniversitar do të mbajnë përsëri bluzë të bardhë. Por këtë herë në rolin e “promotorit”. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë është menduar se këta ish-punonjës nën varësinë e Autoritetit Shëndetësor Rajonal, do të punojnë pranë kabineteve të promocionit për edukim shëndetësor, për të rinjtë, apo edhe për popullatën e gjerë. Nuk mendohet se do të ketë një reformë të dytë në radhët e stomatologëve të shkollave, apo ndihmësve të tyre, megjithatë roli i tyre si dhe puna që bëjnë me nxënësit e shkollave do të pësojë një reformim. Kështu, dentistët e shkollave nuk do të luajnë vetëm rolin e mjekëve që depistojnë, për dhëmbët e prishura, për shëndetin oral, por edhe për orë suplementare dhe këshillim lidhur me sëmundjet seksualisht të transmetueshme, edukatën seksuale apo dhënien e informacionit të gjerë lidhur me kulturën shëndetësore dhe çështjet e shëndetit publik. Me një urdhër të posaçëm janë larguar nga puna plot 100 as/stomatologë, apo siç quhen ndryshe edhe zv/dentistë. Arsyeja e largimit të tyre nga puna, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ishte mosplotësimi i kritereve të arsimit, të nevojshëm për të ushtruar profesionin. Nga kontrollet dhe inspektimet e kryera ka rezultuar që këta 100 stomatologë nuk kishin arsimin e duhur dhe për rrjedhojë nuk mund ta ushtronin profesionin në institucionet shtetërore në varësi të shëndetësisë. Menjëherë pas protestës së ish-as/stomatologëve të larguar nga puna, ka pasur një takim mes dy palëve, mjekëve dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë. Një grup nga 100 punonjësit e shkarkuar nga puna kanë takuar shefin e kabinetit të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, Klodjan Rrjepaj. Sipas ish-stomatologëve, në këtë takim është folur për vendimin e marrë nga strukturat shëndetësore për largimin e tyre, ndërkohë që u është premtuar se me hapjen e sektorëve të rinj, apo me realizimin e projekteve të ardhshme të shëndetësisë, punonjësit e larguar do të thërriten për t’u ofruar vende pune.
#