Rama: Të përgatitemi për sakrifica
Lideri i opozitës, Edi Rama, duke iu drejtuar pjesëmarrësve të shumtë në mitingun e zhvilluar dje, tha se duhet të përgatiten për një sezon sakrificash për të arritur qëllimin final, i cili është transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit. Kryetari i socialistëve shqiptarë, Edi Rama, e ka mbyllur fjalimin e tij me një paralajmërim dramatik, që përcakton vijimin e zhvillimit të protestave të opozitës: “Të rezistojmë në këtë bulevard të ‘Dëshmorëve të Kombit’ dhe kudo tjetër nëpër Shqipëri, secili sipas kohës e mundësisë së vet, duke ikur e ardhur, pa u ndalur deri në hapjen e kutive, për të shpëtuar demokracinë e të ardhmen duke shkëputur fatin e zgjedhjeve nga kthetrat e pushtetit të korrupsionit. Kjo është një betejë e vështirë aspiratash të mëdha dhe ne jemi gati ta çojmë përpara me çdo sakrificë të madhe që do të nevojitet”. Pikërisht ky paragraf ka qenë edhe zhvillimi më i ri i anonimit të strategjisë së opozitës, e cila ka ridimensionuar protestën e saj. Lideri i socialistëve, Edi Rama, dje u është drejtuar edhe atyre pjesëtarëve të komunitetit ndërkombëtar që kanë qenë kritikë me opozitën, duke i deklaruar vendosmërinë e qëndresës së saj. “Nëse ne i fituam zgjedhjet e 28 qershorit, por nuk u zgjodhëm, sepse kutitë u mbushën me vota të prodhuara nga korrupsioni nëpër qindra Ruzhdiet e Shqipërisë dhe u mbyllën me dhunën e pushtetit të dalë kundër vullnetit të popullit, kjo është ora për të luftuar që kështu të mos ndodhë më kurrë. Sepse, nëse nuk ndodh më kështu, atëherë jo thjesht do të fitojmë e do të zgjidhemi në zgjedhjet e reja, por më e rëndësishme akoma, zgjidhje të reja do të vijnë për njerëzit, për ekonominë, edukimin, shëndetin e tyre”, deklaroi Rama, i cili në fjalën e tij ka theksuar se opozita nuk do ta lërë instalimin e një mbretërie të pashpallur, e cila, sipas kreut të PS-së, po i merr frymën Shqipërisë. “Ne jemi mbledhur për të hapur një faqe të re në librin e kësaj proteste, që do të jetë një sakrificë e pandalshme, deri në çastin kur rruga e transparencës së zgjedhjeve të shkuara të hapet dhe shtegu i grabitjes së zgjedhjeve të ardhshme të mbyllet”, tha Rama, i cili ka theksuar më tej në fjalën e tij, se lufta e nisur nga opozita është e mbështetur në parimet universale. “Jam krenar për këtë betejë të madhe, sa dinjitoze aq edhe të vështirë, kundër varfërisë së aspiratave për Shqipërinë, që sot është kaq e dobët dhe e prapambetur pikërisht sepse ata që kanë pasur e kanë diçka në dorë për fatin e saj, asnjëherë nuk kanë ditur ta duan me të gjithë forcën e zemrës, ta drejtojnë me të gjithë fuqinë e dijes, ta mbështesin me të gjithë dëshirën e shpirtit. Shqipëria udhëhiqet sot nga një fuqi që nga zemra është e ngushtë, nga mendja është e çalë, nga shpirti është e tharë. Varfëria e aspiratave është burimi i të gjitha të këqijave që na kanë mbërthyer në këtë vend, ku zgjedhjet janë kthyer në një lojë që e bën pushteti dhe e paguan populli, ku drejtësia është kthyer në një fjalë boshe që e përsëritin papushim politikanët dhe e kërkojnë më kot qytetarët, ku arka e shtetit është shkallmuar nga një qeveri pykash dhe e ardhmja është marrë peng me drurin e ryshfetin e pushtetit të bërë njësh me shtetin. E ndërkohë Shqipëria e bukur shëmtohet përditë para syve tanë, duke humbur plazhet e ullishtat, varfërohet përditë duke humbur tokën e bukës, ujërat e pastër e pyjet e çmueshme, bëhet përditë ferri i pajetueshëm i shumëkujt që në këtë vend të bekuar prej Zotit nuk gjen dot paqe e punë për të jetuar si njeri, për shkak të pushtetit të mbrapshtë të robit”, deklaroi më tej lideri i opozitës shqiptare. Rama ka replikuar edhe me zërat nga mazhoranca, por edhe më tej, që kanë akuzuar opozitën që po ndikon në vonimin e liberalizimit të vizave. “Kujt na thotë se ne po pengojmë liberalizimin e vizave, u themi se kjo betejë është kundër të këqijave që e kanë penguar liberalizimin e vizave deri sot, nga korrupsioni te paaftësia e qeverisë për t’u hequr kufijtë e lëvizjes shqiptarëve. Ne nuk kërkojmë të marrim pushtetin përmes transparencës, po kërkojmë që transparenca të mos pengohet përmes pushtetit”, tha ndër të tjera në fjalën e tij lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama.
Ylli Pata, Skerdilajd Zaimi
#