Tirana mbetet dy ditë pa ujë
Banorët e disa zonave të Tiranës do të vuajnë për dy ditë mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm. Ndërmarrja e Ujësjellës kanalizimeve në Tiranë njofton banorët e kryeqytetit se për shkak të remontit që do të kryhet nga OSSH në linjën e transmetimit Kinostudio - Lanabregas - Qafë Mollë, do të dalë jashtë funksionit stacioni i pompimit të Qafë Mollës. Ky stacion furnizon me ujë një pjesë të mirë të Tiranës, e cila tashmë për shkak të këtij remonti do të mbetet dy ditë pa ujë. Sipas njoftimit nga të ujësjellësit , për shkak të punimeve do të dalë jashtë funksionit stacioni i pompimit dhe do të ketë me pak furnizim nga burimet e Selitës dhe Shën Mërisë.
Mungesa
Banorët e zonës së Qytetit Studenti, të Tiranës së Re dhe banorët e Kombinatit do të vuajnë mungesën e ujit për shkak të ndërhyrjes të OSSH në linjën e transmetimit. Ndërmarrja e Ujësjellës kanalizimeve Tiranë ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për këtë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë. Banorët do të mund të furnizohen më ujë të pijshëm vetëm ditën e nesërme ndërkohë që edhe dje në banesat e tyre ka munguar ujë i pijshëm. Nuk është hera e parë që banorët hasin probleme për furnizimin me ujë edhe pse kanë kontrata të rregullta me Ujësjellësin. Operatori i shpërndarjes së energjisë bllokoi pak kohë më parë, për një ditë furnizimin me energji elektrike të disa impianteve në disa qytetet të ndryshme të vendit. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Ujësjellës Kanalizimeve, Edmond Hali bllokimi u bë për shkak të borxhit që ujësjellësit i kishin këtij operatori. Ndërprerja e furnizimit me ujë zgjati vetëm një ditë pasi me vendim qeverie u eliminuan të gjitha borxhet që ujësjellësit kishin me energjinë elektrike.
Zonat
Mungesa e ujit të pijshëm është ndier prej disa kohësh në disa nga zonat periferike të qytetit. Këtyre zonave u janë shtuar edhe banorët e zonës së Qytetit Studenti, Tiranës së Re dhe Kombinatit që për dy ditë nuk do të furnizohen me ujë. Banorët e zonës së Saukut të Vjetër, Bregut të Lumit, Yzberishit, dhe banorët e Unazës së Re po vuajnë në këto ditë të nxehta vere mungesën e furnizimit me ujë. Banorët e Saukut të Vjetër ankohen se kanë kontrata të rregullta dhe paguajnë detyrimet, por prej shumë ditësh në çezmat e banesave të tyre nuk rrjedh asnjë pikë uji. Ndërsa zonat e tjera, si e ajo e Unazës së Re dhe zona e Bregut të lumit vuajnë prej disa vitesh mungesën e ujit. Banorët e këtyre zonave kërkojnë nga qeveria . Një nga zonat që ka pasur probleme me furnizimin me ujë të pikshim ka qenë zona e Saukut të Vjetër. Banorët e kësaj zone tregojnë se janë ankuar pranë ujësjellësit për mungesën e ujit, por nuk kanë gjetur zgjidhje për këtë problem. Një zonë tjetër në periferi të Tiranës,ka prej disa vitesh problem mungesën e ujit. Prej me shumë se dy vjetësh, 300 familje në zonën e Bregut të Lumit në periferi të kryeqytetit banesat e të cilëve janë në proces legalizimi, vuajnë mungesën e ujit. Banorët bëjnë të ditur se kanë kërkuar herë pas herë nga ujësjellësi i Tiranës lidhjen e kontratave për furnizimin me ujë, por nga kjo ndërmarrje nuk u është dhënë asnjë përgjigje.
Zonat Tiranës që vuajnë mungesën e ujit
Mungesa e ujit të pijshëm është ndier gjatë muajëve të nxehtë të verës në disa nga zonat periferike të qytetit dhe kjo jo për shkak të remonteve. Qindra familje në zonën e Unazës së Re në Tiranë vuajnë prej vitesh mungesën e ujit të pijshëm. Banorët e zonës së Yzberishit nuk furnizohen me ujë. Qytetarët tregojnë se shumë prej banesave nuk arrijnë të furnizohen me ujë, ndërsa në një pjesë të pallateve të reja ujë arrin vetëm një herë në ditë dhe zgjat vetëm disa minuta. Prej me shumë se dy vjetësh, 300 familje në zonën e Bregut të Lumit në periferi të kryeqytetit banesat e të cilëve janë në proces legalizmi, vuajnë mungesën e ujit. Ata shprehen se herë pas herë i kanë drejtuar dyerve të Ujësjellësit të Tiranës, duke kërkuar që të bëhen lidhjet e rrjetit të ujit, por kërkesat e tyre nuk janë dëgjuar. Probleme me furnizimin me ujë të pikshim ka patur dhe zona e Saukut të Vjetër.
Plazhi i Durrësit pa ujë të pijshëm
Zona e plazhit të Golemit, Malit të Robit dhe zona e Plepave në Durrës vuajnë mungesën e ujit të pijshëm në pikun e sezonit turistik. Ujësjellësi i Maskurisë së Durrësit i cili u vu në punë dy vjet më parë duhet të furnizonte me ujë të pijshëm zonat e plazhit. Gjatë muajit gusht pothuajse është ndërprerë fare furnizmi më ujë i këtyre zonave, vecanërisht në fundjavë, me dyndjen e pushuesve, uji nuk vjen pothuajse fare. Në muajin qershor furnizmi i zonave të plazhit nga ky ujsjellës është bërë me orar dhe pushuesit nuk e kanë ndjerë mungesën e ujit të pijshëm. Drejtuesit e hoteleve dhe familjarët kanë gjetur si zgjidhje për furnzimin e hoteleve apo banesave me ujë hapjen e puseve. Ata kanë gjetur këtë mënyrë për sigurimin e ujit, pasi ekzison rreziku që pushuesit të largohen. Mungesa e ujit në këto ditë të nxehta vere është e papërballueshme, shprehen pushuesit. Durrësi, është një ndër qytetet më problematike të Shqipërisë për shkak të mungesës së sasisë së ujit,dhe furnizohet me rreth 3 orë ujë në ditë.
Ndërhyrjet e paligjshme, ndërmarrja e ujësjellësit eliminohen lidhjet në rrjet
Drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellës Kanalizimeve Edmond Hali bëri të ditur se këtë vit është ndërhyrë fuqishëm për të prerë lidhjet e paligjshme në rrjet. Ndërmarrja e Ujësjellësit të Tiranës sivjet ka ndërhyrë fuqishëm për eliminimin e lidhjeve të paligjshme. “Ka goxha ndryshim midis ankesës së qytetarit që deri dje e ka marr ujin papara dhe atij që e ka sahatin në shtëpi e paguan dhe nuk i vjen ujë. Duhet bërë goxha diferencë zakonisht bërtasin më shumë ata që janë abuziv” u shpreh Hali. Sivjet Ndërmarrja Ujësjellësit të Tiranës ka bërë një punë të madhe në eliminimin e lidhjeve të paligjshme në rrjet. Ky ka qenë një fenomen shumë problematik në qytetin e Tiranës, pasi vinte një sasi e vogël uji për shkak të dëmtimit të tubacionit gjatë rrugës. Në momentin që ka pasur probleme me furnizimin ujit në disa zona, kanë qenë momentale kanë zgjatur 3 ditë një javë derisa është kolauduar rrjeti. Ndërmarrjet po punojnë për të furnizuar me ujë të gjitha zonat, por duhet një kohë për tu realizuar investimi në rrjet në mënyrë që të rregullohen presionet e nevojshme për të furnizuar këto zona. Sipas kësaj drejtorie ka shumë probleme teknike për të cilat punohet veçanërisht në zonën Tiranë-Durrës, ku është edhe përqendrimi më i madh i popullsisë.
12 Gusht 2010