Tirana, mbretëresha e transfertave
Tirana falë fitores në Fier me Apoloninë (0-2, gola të Lilës e Memellit) morri përkohësisht kryesimin e Superligës (10 pikë), duke pritur ndeshjen Dinamo-Elbasani, që do të luhet të dielën në kryeqytet. Flamurtari ia doli të fitojë me Vllazninë (1-0, gol i Brajkoviç) në Vlorë, edhe pse nëntë minutat e fundit, përfshirë edhe shtesat luajti me 10 lojtarë (Begaj, karton i kuq në minutën e 85-të). Ilir Daja e nisi debutimin e tij në stolin e Besës me një humbje, teksa skuadra kavajese u mposht 1-0 në Peqin. Golin e vetëm të Shkumbinit dhe krej ndeshjes e realizoi Rizvanolli në të 66’. Të dielën luhen takimet Dinamo-Elbasani, Bylis-Lushnja e Teuta-Partizani (në Shijak). Dy gola në harkun e pesë minutave të realizuar nga mbrojtësi Andi Lila (30’) e sulmuesi Migen Memelli (35) kundër Apolonisë (0-2) në “Loni Papuçiu” të Fierit i dhanë fitoren e dytë në transfertë Tiranës dhe rezultatin e tretë pozitiv jashtë kryeqytetit, përfshirë dhe barazimin me Vllazninë (0-0). 23-herë kampionët me 7 pikë të marra jashtë fushe janë shndërruar në “mbretërit” sezonal të transfertave. Edhe në takimin e fundit në Fier, më 23 dhjetor 2006, Tirana kishte fituar po me rezultatin 2-0, ndërkohë që golat e kësaj të shtune të Lilës e Memellit i dhuruan fitoren e 48-historike në 66 përballje me Apoloninë (13 fitore). Me një sulm për t’u pasur zili: Xhafaj e Memelli, 23-herë kampionët vështirë se do të dalin pa pikë ndaj ekipit të Gert Haxhisë. Apolonia nga ana e saj ka fituar takimin e vetëm të zhvilluar në shtëpi: 2-0 kundër Lushnjës, një tjetër debutueseje të ardhur nga Kategoria e Parë. Humbja 3-1 në Shkodër me Vllazninë, e detyron Apoloninë të rrezikojë për rezultat pozitiv. Ishte Apolonia ajo që u shfaq rrezikshme në minutat e para të takimit, madje duke fituar jo pak, por katër goditje nga këndi kundrejt asnjë të Tiranës. Në të 29’ serbi Haxhibuliç goditi fuqishëm, por veterani Blendi Nallbani reagoi duke grushtuar, topi u kthye te Kelmendi, por pa rrezik për portën bardheblu. Një minutë më pas, ishte mbrojtësi Andi Lila, i cili me një goditje të kalibruar me kokë realizoi në minutën e 30-të golin e parë për 23-herë kampionët. Goli i dytë sezonal i mbrojtësit kavajas të Kombëtares shqiptare pas atij në fitoren 2-1 kundër Partizanit. Apolonia u befasua dhe një kundërsulm të shpejtë ish-sulmuesi i Gais, Migen Memelli në të 35’, dyfishoi shifrat për rekordmenët shqiptare. Goli i dytë i Memellit, i cili më parë i kishte dhuruar tri pikët Tiranës në ndeshjen kundër Teutës (1-0). Në minutën e fundit shtesë goditi shtyllën, e më pas Devolli e largoi rrezikun. Me tri zëvendësime në pjesën e dytë – trajneri Haxhiu hoqi dy mesfushorë për të rreshtuar dy sulmues Asllanin e Dhramin – Apolonia nuk u shfaq e rrezikshme, teksa Memelli e Xhafa u shfaqën vazhdimisht kërcënues në portën e Dines. Gjithsesi, në pjesën e dytë u pa një Tiranë me e kujdesshme në administrimin e rezultatit, ndërkohë që futbollistët fierakë nuk arritën të gjenin asnjëherë pikën e dobët të Nallbanit.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA IV
E shtunë, 20.09.2008
Shkumbini-Besa 1-0
Shënues: Rizvanolli 66’
Apolonia-Tirana 0-2
ShënuesL Lila 30’, Memelli 65’
Flamurtari-Vllaznia 1-0
Shënues: Brajkoviç 25’
E diel, 21.09.2008
Dinamo-Elbasani S.Cekaj
Bylis-Lushnja K.Meta
Teuta-Partizani* A.Lulaj
* Luhet në Shijak
Ndeshjet fillojnë në orën 16:00
RENDITJA SUPERLIGA
Java III
Skuadra P
1.Tirana 10
2.Shkumbini 9
3.Vllaznia 7
4.Elbasani 7
5.Flamurtari 6
6.Dinamo 5
7.Apolonia 4
8.Besa 4
9.Partizani 3
10.Lushnja 3
11.Teuta 1
12.Bylis 0
Kova fiton bastin me Canaj
Të dy trajnerët, si vlonjati Agim Canaj i Vllaznisë ashtu dhe kroati i Flamurtarit, Slavko Kovaçiç deklaruan fitoren e ekipeve të tyre përpara se të përballeshin në fushën e mejdanit, por fati i buzëqeshi ndihmësit të ish-trajnerit të Oto Bariçit. Për ta bërë më të bukur fitoren e dytë sezonale të Flamurtarit mendoi kroati Mate Brajkoviç me golin e tij në minutën e 25-të, i cili i dhuroi Flamurtarit – përfundoi takimin me dhjetë lojtarë - fitoren e ngushtë 1-0, por dhe i shkaktoi humbjen e parë sezonale fituesve në fuqi të Kupës së Shqipërisë. Kjo ishte fitorja e dytë e vlonjatëve pas asaj me Besën në Kavajë (0-1), një trepikësh pas dy humbjeve me Elbasanin (në shtëpi, 0-1) e Lushnjën në transfertë (2-1), e që nuk e shijoi dot nga tribuna “VIP” e stadiumit “Flamurtari” kryetari i Bashkisë e njëherësh presidenti i klubit, Shpëtim Gjika. Flamurtari i braktisur nga tifozët e shumtë e nisi me shumë i impenjuar takimin, por vetëm në minutën e 25-të e gjeti golin, falë nuhatjes së kroatit Brajkoviç, i cili shënoi golin e parë të tij sezonal, por dhe të gjashtin me fanellën e Flamurtarit, përfshirë edhe pesë golat e sezonit të kaluar. Trajneri Canaj u ndje i sërish i zhgënjyer nga loja e ganezit të “çuditshëm” Mohamed (gjyqtari Jareci e fali një ndërhyrjen e protestën e tij), e më pas zëvendësoi edhe golashënuesin më të mirë të momentit Pulin Dhembi duke futur në fushë të riun Shtubina në të 41’. Thuajse në të njëjtin moment edhe Kovaçiç hodhi në fushë mesfushorin e kombëtares U-21, Ilirjan Çaushaj në vend të Hair Zeqirit, ndërsa në minutë më pas, në të 43’ Brajkoviç goditi traversën, por topi i kthyer nga shtylla nuk u shfrytëzua nga Taulant Kuqi, i cili pati një rast të artë për të mposhtur për herë të dytë portierin veteran shkodran Armir Grima. Sfera përfundoi paksa mbi shtyllën horizontale. Në të 45’+2, Galica nuk mundi të shtynte në rrjetë një top thuajse mbi vijën e portës, teksa ka shtangur nga prania e lojtarit të Vllaznisë, malaziasi Marko Bashiç. Një rast “tolerance” i shkodranit të Flamurtarit. Sinani në 52’ pati një mundësi të mirë, por golashënuesi më i mirë i sezonit të fundit nuk mundi të realizojë. Loja e trajnerëve për zëvendësime në të njëjtën kohë vazhdoi: në të 65’ Kovaçiç futi Denis Memën (10 gola sezoin e kaluar) në vend të Galicë (humbi shumë raste në këtë takim), ndërkohë që Canaj futi Raboshtën në vend të Doçit në minutën e 47-të. Loja pati edhe momente acarimi, kur pas kartonit të dytë të verdhë të Begaj në të 85’, e rrjedhimisht të kuq, gjyqtari ndërkombëtar Sokol Jareci u sha në korr nga tifozët vlonjatë. Fundi i takimit pati kohë edhe për një ndërrim taktik të Kovës, kur kroati hodhi në fushë Beqirin në vend të Eleandro Pemës. Përfundimisht ishte një bast i fituar nga Kovaçiç, që regjistroi fitoren e 41-të historike të Flamurtarit kundrejt 63 të Vllaznisë në 135 ndeshje, ndërsa Brajkoviç realizoi golin e 135-të të vlonjatëve kundrejt 228 të shkodranëve.
22 Shtator 2008