Kroati Daliç në “kurthin” Mirel Josa
Dinamo, kampionia në fuqi synon pikë të plota me Elbasanin, një nga rivalët e mëdhenj sezonalë për trofeun e kampionatit të 70-të. Dy barazimet e bardha me Teutën (java 1) e Besën (java 3) kanë pasur në mes fitoren e bujshme me Shkumbinin (3-1, java 2), falë golave të kroatit Petriçeviç e shqiptarit Plaku (2). Elbasani pas barazimit në javën e parë me Apoloninë ka fituar dy të fundit, edhe pse me rezultatin e ngushtë 1-0. Trajneri kroat i Dinamos, Zlatko Daliç, do ta ketë vështirë të mposhtë një teknik të “ftohtë” si Mirel Josa. Gjithsiesi, në përballjen e fundit në Tiranë, Dinamo fitoi 3-1. Por me shumë dyshime brenda.
Bylisi në kërkim të pikëve të para
Bylisi ende pa asnjë trajner zyrtar (në bankinë do të ulet Dashnor Dume) i ka të gjitha mundësitë kundër Lushnjës (së ardhur nga Kategoria e Parë) të marrë pikët e para në Kategorinë Superiore. Tri humbje në po aq ndeshje provokuan edhe dorëheqjen e trajnerit të njohur Faruk Sejdini. Dy ekipet kanë njohje të vjetër pasi që të dyja luanin një sezon më parë një kategori më poshtë e java e fundit midis tyre kishte edhe një notë “fqinjësh”. Lushnja vjen pas fitores 2-1 me Flamurtarin dhe një humbje në transfertë nuk do të ishte një dramë. Dy ekipet për herë të fundit kundër njëri-tjetrit në Kategorinë Superiore kanë luajtur në sezonin 2002-2003, por ishte Lushnja që fitoi atëherë në Ballsh me rezultatin 3-1. Në tetë takimet e fundit nga sezoni 1999-2000, dy skuadrat kanë një ekulibër të plotë: nga 2 fitore secila e 4 barazime. Golat: 13-11 për Lushnjën.
Teuta ëndërron golin e parë sezonal
Teuta do të përpiqet të shënojë kundër Partizanit golin e parë sezonal pas 270 minutave të thata. Trajneri Starova, edhe u pa si një shpresë e madhe e skuadrës durrsake pas sezonit të dështuar një vit më parë, ka marrë vetëm një pikë nga nëntë të mundshmet. Në pozitat komode nuk ndodhet as Partizani i Hasan Likës së rikthyer në bankinë pas pezullimit ndaj Tiranës. Të kuqtë vijnë pas dy humbjes 2-1 si me dy bashkëkryesueset e kampionatit: Vllazninë e Tiranën. Në përballjet e fundit në “Niko Dovana” Partizani fitoi 2-1, por takimi i së dielës luhet në “Tofik Jashari” të Shijakut. Duket se është një plus më shumë. Për më tepër që Teuta në të njëjtin stadium humbi me Tiranën dy javë më parë.
22 Shtator 2008