E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana metropolitane merr mbështetjen e bashkive dhe komunave përreth

21-12-2011 / Gazeta 55

Kryebashkiaku Lulzim Basha mbledh grupin strategjik për hartimin e Planit të ri Urbanistik


Nën drejtimin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha është zhvilluar dje mbledhja e grupit strategjik për hartimin e Planit Urbanistik. Në këtë mbledhje ishin të pranishëm edhe kryetarët e bashkive dhe komunave përreth Tiranës të cilët kanë mirëpritur propozimin e grupit strategjik që studimi dhe Plani Rregullues të shtrihen përtej kufijve administrativë të kryeqytetit. Që në nisje të mbledhjes së radhës të grupit strategjik është nënshkruar Protokolli i Bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës, Bashkisë Kamëz, Komunës Paskuqan, Komunës Dajt, Komunës Farkë, Komunës Kashar, komunës Vaqarr dhe në prani të Këshillit të Qarkut Tiranë. Ky Protokoll Bashkëpunimi parashikon që plani strategjik dhe rregullues i zhvillimit urban të Tiranës të shtrihet edhe në pjesë të konsiderueshme të territoreve të njësive vendore që kufizojnë kryeqytetin. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha tha se, “Që në fillim të procesit, bashkarisht kemi konstatuar nevojën për krijimin e një klime mirëbesimi, bashkëpunimi dhe koordinimi metropolitan. Fatkeqësisht, zhvillimi urban i viteve të fundit ka ndodhur në një klimë të thellë mosbesimi, mosbesim ky i reflektuar në mënyrë të veçantë, mes njësive vendore të metropolit dhe jo e pastimuluar shpesh nga vetë aktorët, duke filluar me vetë Bashkinë e Tiranës. Dukshëm, kjo qasje nuk ka pasur pasoja pozitive por vetëm negative, ndaj zhvillimi urban I metropolit thërret për një klimë të re të planifikimit të territorit, për t’i kthyer atij sigurisht edhe klimën e duhur të zhvillimit ekonomik, si synim parësor i  Bashkisë së Tiranës. Që në fillim të procesit, ne e kemi planifikuar konceptimin e këtij territori, domosdoshmërisht në harmoni me zonën e gjerë metropolitan apo Tiranën e madhe. Ne kemi gjetur mirëkuptimin e njësive vendore, kufitare me qytetin e Tiranës, të cilët me përgjegjësi qytetare i janë përgjigjur ftesës sonë. Siç njoftuam edhe në mbledhjen e kaluar të grupit strategjik, kemi hartuar ndërkohë një protokoll bashkëpunimi i cili është shqyrtuar nga njësitë vendore kufitare, zyrat urbanistike dhe grupet e punës përkatëse Sot, duke u qëndruar afateve dhe përqasjes që kemi premtuar para publikut, kam kënaqësinë që në prani të grupit strategjik dhe pas njohjes me elementët kryesorë të këtij protokolli, të ftoj përfaqësuesit e zgjedhur të njësive vendore të Tiranës metropolitan, të vendosim firmat tona në këtë protokoll bashkëpunimi dhe menjëherë pas kësaj, të nisim punën me prezantimin e çështjeve që njoftova për rendin e ditës dhe seancën e diskutimit të strukturuar, me pyetje të drejtpërdrejta, të parapërgatitura, ku kërkohet ndërhyrja dhe kontributi i anëtarëve të grupit strategjik”. Basha vlerësoi në këtë mbledhje ecurinë e deritanishme të procesit të hartimit të Planit Urbanistik si dhe rolin aktiv të grupit strategjik për të trajtuar çështje të rëndësishme që qëndrojnë në themel të hartimit të planit urban për qytetin e Tiranës. “Si rrallëherë, në përvojat planifikuese ne i kemi kushtuar vëmendje disa çështjeve të rëndësishme për diskutim në grupin strategjik, ndërtimin e një metodologjie bashkëkohore, hartimin e parimeve të zhvillimit, ndërtimin e një ndjeshmërie të veçantë mjedisore për planin, hartimin e parimeve bazë të rrjetit rrugor dhe ndërtimin e një procesi të kujdesshëm analitik mbi zhvillimet urbane në Tiranë, procese që kanë kërkuar jo vetëm një volum të konsiderueshëm pune të ekspertëve, por mbi të gjitha një energji të jashtëzakonshme nga ju, për të shqyrtuar dhe vendosur mbi këto tema dhe çështje. Tani jemi në një fazë të rëndësishme dhe ndihemi gati dhe të gatshëm që këtë volum diskutimesh të fillojmë t’ua përçojmë edhe qytetarëve, publikut të Tiranës përmes sesioneve të diskutimit publik të secilës prej këtyre temave”, tha Basha. Kryebashkiaku nënvizoi edhe në këtë mbledhje vendosmërinë për të dëgjuar zërin e publikut në trajtimin e planit urbanistik, me gjithë ngarkesën dhe përgjegjësinë që mbart ky proces. Për këtë arsye Basha kërkoi nga grupi strategjik të diskutojë mbi ndërtimin e një procesi konsultimi publik, të strukturuar dhe transparent për të gjithë çështjet që kemi diskutuar deri më sot. “Procesi i konfrontimit me mendimin qytetar dhe marrja, dëgjimi i zërit qytetar është për ne jo një formalitet, por një domosdoshmëri. Vetë përbërja e këtij grupi strategjik dëshmon vullnetin e Bashkisë së Tiranës, vullnet i sinqertë, për të vlerësuar mendimin qytetar, prandaj kërkojmë sot mirëkuptimin dhe aprovimin e grupit strategjik, kontraktimin e moderuesve neutral dhe profesionistë të procesit konsultativ. Me fjalë të tjera, duke qenë se ne nuk e konsiderojmë konsultimin publik, një proces formal, pra thjesht një kërkesë që duhet anashkaluar brenda një kohe sa më të shkurtër, por një element thelbësor të planifikimit urban. Kërkojmë të ndërtojmë mundësinë e ndërtimit të këtij procesi, mbi baza profesioniste dhe jo vullnetare, me një kalendar të mirë përcaktuar dhe të koordinuar profesionalisht”, tha më tej kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›