E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tirana mirëpret Vitin e Ri 2025 me fishekzjarrë dhe atmosferë festive

TIRANË, 1 janar /ATSH/ Tirana priti përmes një spektakli fishekzjarrësh dhe ritmeve të muzikës, Vitin e Ri 2025.

Festa e pritjes së Vitit të Ri kulmoi në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet në orën 24:00 të mbrëmjes së 31 dhjetorit, ku mijëra qytetarë pritën Vitin e Ri.

Kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj së bashku me artistë dhe qytetarë kanë numëruar mbrapsht për të pritur Vitin e Ri 2025.

Tirana feston ndërrimin e viteve me spektakël fishekzjarresh, Veliaj: “Progresin e Tiranës sonë nuk e ndalon askush”

Tirana mirëpriti vitin e ri me një koncert madhështor në sheshin “Skënderbej,” ku mijëra qytetarë u mblodhën për të festuar bashkë momentin magjik të ndërrimit të viteve. Atmosfera festive u ndez nga performancat e artistëve të njohur, duke i dhuruar publikut një mbrëmje të paharrueshme mes muzikës, dritave dhe fishekzjarrëve.

Bashkë me artistët, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se ky vit e gjen Tiranën si kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe i Dialogut. “Siç e bëjmë çdo vit, shikoni kë keni në krahun e majtë, shikoni kë keni në krahun e djathtë dhe jepini një super përqafim se dashuria e mban këtë qytet fort. Përqafoni njëri tjetrin, i thoni që e doni shumë, tregoni mirësi, tregoni dashuri, tregoni mbarësi se ky qytet është produkt i kësaj dsashurie të madhe. Nga nesër Tirana do të jetë kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe i Dialogut dhe kur më pyesin shumë njerëz ku do të isha sot në darkë, thashë: Nuk ka një vend më të mirë, më të bukur dhe më të dashur se Tirona jonë e madhe”, theksoi Veliaj.

Teksa shprehu mirënjohjen të gjithë atyre që mbrëmjen e Vitit të Ri po e kalojnë duke shërbyer, kryebashkiaku Veliaj theksoi se ndonjëherë suksesi ka xhelozi dhe ndonjëherë suksesi ka stërkëmbësha, por progresin e Tiranës nuk e ndalon askush.

“Jam sot mirënjohës për të gjithë ata policë që janë duke shërbyer, faleminderit policëve të Bashkisë, policëve të Rrugores, policëve të Shtetit. Faleminderit për mamitë, infermierët, doktorët, për ata që do të presin beben e parë në mëngjes. Faleminderit për ata që pastrojnë që e mbajnë këtë qytet të pastër. Faleminderit mësuesve, faleminderit zjarrëfikësve, faleminderit të gjithëve ata që janë në krye të detyrës që Tirana jonë të shkëlqejë. Unë e di që është shumë e vështirë që ta pranojmë suksesin. Ndonjëherë suksesi ka xhelozi dhe ndonjëherë ka stërkëmbësha, por Tiranën tonë nuk e ndalon askush dhe progresin e Tiranës tonë nuk e ndalon askush. Ju dua shumë të gjithëve! Gëzuar Vitin e Ri”, tha ai.

Veliaj përshëndeti të gjithë ata që kishin ardhur nga diaspora dhe turistët e shumtë nga e gjithë bota që zgjodhën që mbrëmjen e ndërrimin e viteve ta kalonin në Tiranë. “T’i japim një super duartrokitje atyre që na kanë ardhur nga Kosova, mirë se keni ardhur në Tiranë, atyre që kanë ardhur nga Italia dhe nga Greqia, atyre që kanë ardhur nga Maqedonia e Veriut, atyre që kanë ardhur nga Lugina e Preshevës, nga Mali i Zi, atyre që kanë ardhur nga Amerika dhe Kanadaja, nga Australia, Zelanda e Re. Mirëseerdhët në Tironën tonë! Kjo është shtëpia juaj, kjo është shtëpia juaj e madhe”, deklaroi Veliaj.

Një spektakël fishekzjarrësh ndriçoi Tiranën gjatë momentit të ndërrimit të viteve.

Të shumtë kanë qenë ata të cilët e kanë pritur ardhjen e Vitit të Ri në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, por nuk ka munguar atmosfera festive edhe në rrethe të tjera të vendit, ku qytetarët dhe të afërmit e tyre kanë uruar mirëseardhjen e 2025 në qendrat e qyteteve.

Në Tiranë, festa ka nisur në mbrëmje me koncertin festiv të Vitit të Ri, ku performuan këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare, si Sardi Strugaj dhe Ardit Çuni, të cilët sollën këngët e tyre të preferuara për publikun shqiptar dhe turistët e huaj që kanë zgjedhur Tiranën për të kaluar festat.

Një tjetër këngëtar që u ngjit në skenë, duke sjellë emocione të veçanta dhe entuziazëm, ishte Elgit Doda.

Pas mesnate, në orën 00:10, Xhensila Myrtezaj do të vazhdojë festën me këngët e saj më të bukura, ndërsa grupi i njohur Three Dots do të performojë në orën 00:40, duke e mbajtur publikun të angazhuar dhe të entuziazmuar.

Muzika do të vazhdojë deri në orët e para të mëngjesit, me DJ që do të sigurojnë një atmosferë të gëzueshme për të gjithë të pranishmit.

Pas orës 24:00, shumë prej atyre që kanë festuar në familje, i janë bashkuar ambienteve ku luhet muzikë “live” apo klubeve të natës, për të festuar me shoqërinë apo me personat e tyre të dashur.

Agjencia Telegrafike Shqiptare uron të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, për një vit sa më të mbarë e të begatë.

1 nga 15

Fotot dhe video: Flor Abazi

/k.s/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›