E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana mposht 4-0Laçin, Vllazniahakmerret me Dinamon

TIRANE- Tirana ka shkatërruar Laçin në kryeqytet, duke arritur një fitore të madhe dhe duke konfirmuar se mbetet një prej skuadrave më të forta të Superligës, pavarësisht pozicionit aktual. Bardheblutë kanë dhuruar një ndeshje spektakolare ndaj kurbinasve, ndërkohë që fitorja u jep atyre një tjetër shtysë në këtë fund sezoni. Ndoshta Vllaznia është shumë larg në betejën për Europa League, por duke parë 6 javët e mbetura, asgjë nuk duket e pamundur për skuadrën kryeqytetase. Takimi i sotëm ka patur si heronj dy futbollistët e kombëtares, Gilman Lika dhe Jahmir Hyka, të dy të afruar në merkaton e dimrit. Ata kanë shënuar secili një dopietë, duke i dhënë një tronditje të fortë synimeve të Laçit. Në fakt, sfida mendohej si tepër e vështirë, duke parë ecurinë e kurbinasve ndaj Tiranës në dy vitet e fundit. Por, 4 golat tregojnë se bardheblutë kanë qenë zotër të fushës. “Kjo është ndeshja më e mirë që kemi zhvilluar që kur unë kam ardhur në krye të Tiranës”, deklaroi pas ndeshjes trajneri Misho Krstiçeviç.
Evropa
Përveç faktit që ndeshja e djeshme ishte një nga më të mirat e javëve të fundit për Tiranën, fitorja ka bërë që në kampin bardheblu të nisin të besojnë te një vend në Europa League, duke kaluar Vllazninë që është 7 pikë larg. “Nëse vazhdojmë kështu mund të arrijmë edhe Evropën, - shtoi Krstiçeviç. – Por, gjithsesi, jam shumë i kënaqur edhe nëse arrijmë vendin e katërt. Skuadra sot më pëlqeu, sepse luajti siç dëshiroja unë. Kjo është një fitore e rëndësishme dhe nuk mund të veçoj asnjërin nga futbollistët, sepse të gjithë ishin në lartësinë e duhur”, shtoi trajneri kroat i Tiranës.
Vllaznia-Dinamo
Në takimin tjetër të luajtur sot, Vllaznia ka triumfuar 3-1 ndaj Dinamos, vetëm një javë pasi ajo u mund në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Shkodranët kanë bërë një hap të sigurt drejt pjesëmarrjes në Kupat e Evropës, ndërsa kanë përfituar edhe nga humbja e Laçit me Tiranën, duke u shkëputur 4 pikë nga vendi i katërt. Sfida është vendosur praktikisht që në pjesën e parë, kur Vllaznia arriti të shënonte dy herë. Xhevahir Sukaj zhbllokoi shifrat në minutën e 26-të, ndërsa 7 minuta më pas ai dyfishoi rezultatin, duke realizuar golin e dytë personal. Në pjesën e dytë, Dinamo u mundua të futej në lojë, duke shkurtuar diferencën me anë të Vilës me penallti në minutën e 60-të. Megjithatë, blutë nuk kanë treguar thuajse asgjë dhe në minutën e parafundit pësuan edhe golin e tretë, me autor Ndriçim Shtubinën. “Ndjemë lodhjen në Kupë, por veç kësaj pashë që skuadra ishte e pamotivuar për të luftuar gjatë gjithë ndeshjes”, tha tekniku i Dinamos Artan Mërgjyshi.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›