E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bakaj, hero në Bukuresht, gol dhe mashtrim arbitrit

TIRANE-Elis Bakaj ka përjetuar një pasdite prej heroi ditën e djeshme, kur ai u bë protagonisti kryesor në fitoren 3-1 të Dinamos së Bukureshtit kundër Unirea Urzicenit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 26-të të kampionatit rumun. Fantazisti i kombëtares shqiptare mori një penallti në minutën e 26-të, kur ndeshja ishte 1-0 për Dinamon, ndërkohë që në fund shënoi një supergol, i pari për të me fanelën e skuadrës rumune në kampionat. Një ndeshje fantastike për futbollistin kuqezi, i cili në fund ka qenë protagonisti kryesor për të gjitha mediat e vendit ballkanas. Gjithçka nisi me golin e parë, që erdhi pas një goditje këndi të Bakajt. Topi i krosuar prej tij, u dërgua në rrjetë nga Mehmedoviç. 8 minuta më pas, ishte sërish Elisi që mori një penallti, të cilën Danciulesku e ktheu në gol, duke e çuar ndeshjen në 2-0. Por, në të vërtetë arbitri Sava ka gabuar totalisht, pasi ai ra në zonë pa u penguar nga askush. Ky moment ka qenë nota e vetme negative për futbollistin shqiptar në ndeshjen e djeshme. Në pjesën e dytë, Bakaj ka qenë një nga më të rrezikshmit në fushë, teksa në minutën e 79-të për pak sa nuk gjeti golin e dytë. Por, portieri i Unireas bëri një pritje të pabesueshme, duke mbajtur skuadrën e tij në lojë. Më pas, miqtë arritën të shkurtonin diferencën, 8 minuta para fundit, por Elis Bakaj zgjidhi problemet për Dinamon e Bukureshtit në minutën e parë shtesë. Pas një aksioni personal, në të cilin shmangu 2-3 lojtarë të Unireas, lojtari i kombëtares shqiptare realizoi me një goditje të bukur nga 15 metra, duke shënuar golin e tretë dhe të fitores për Dinamon e Bukureshtit.
Deklarata
Pas ndeshjes, Elis Bakaj është shprehur tepër i lumtur me golin e realizuar ndaj Unireas, i pari për të në Rumani. "Nuk ishte e lehtë që të shënoja, sepse terreni ishte shumë i keq, - u shpreh Elis Bakaj për Sport News. - Trajneri më kishte thënë të mbroja pak më tepër, por gjithsesi unë tentova dhe më shkoi mirë. Tani shpresoj të mos ndalem më, sepse goli ishte si një çlirim për mua. Kombëtarja? Shpre-soj që edhe aty të kem më shumë hapësira", shtoi fantazisti kuqezi.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›