E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, mundësia më e mirë për të investuar

30/11/2011  Bashkia ka planifikuar shpenzimin e 450 milionë euro për realizimin e punëve publike

Basha kërkon ndihmën e konsujve të nderit për të afruar biznesin e huaj

Kryeqyteti shqiptar ofron tashmë potencialet e duhura për thithjen e investimeve të huaja në realizimin e projekteve zhvilluese të infrastrukturës. Duke vlerësuar Tiranën si një mundësi të mirë investimi, kryebashkiaku Lulzim Basha u ka kërkuar 45 konsujve të nderit të Shqipërisë nëpër botë që të luajnë një rol më aktiv në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet vendit tonë dhe shteteve që ata përfaqësojnë. Në takimin e zhvilluar dje në ambientet e Bashkisë konsujt janë njohur me projektet më të rëndësishme, zbatimi i të cilave kërkon edhe bashkëpunimin e biznesit të huaj. Detyra e parë dhe më e rëndësishme, sipas Bashës, është përfundimi i planit urbanistik, për hartimin e të cilit janë angazhuar ekspertët më të mirë vendas e të huaj. Gjithashtu konsujt janë vënë në dijeni edhe për masat fiskale të ndërmarra, siç është ulja dhe eliminimi i taksave, lehtësimi i procedurave burokratike për bizneset, masa këto që synojnë afrimin e investitorëve të huaj, pasi sigurojnë ulje të kostos së të bërit biznes. “Së bashku me qeverisjen qendrore po shikojmë çdo mundësi të shkurtimit të barrierave administrative dhe fiskale. Nga ky takim dëshiroj që të merrni disa fakte dhe t’i ndani në vendet tuaja. Unë eliminova mbi 60 tarifa dhe taksa, si akti i parë imi si kryebashkiak. Së shpejti do të instalojmë one-stop-shop në Tiranë. Vitin tjetër do të jetë gati plani i ri urbanistik. Kombinimi i të dy këtyre hapave do të thotë se nuk do të duhen më shumë se 45 ditë në Tiranë për të filluar për të ndërtuar, nga më shumë se 360 ditë që duhen sot”, - ka deklaruar Basha. Zhvillimet e realizuara në 20 vitet e fundit janë përqendruar më shumë në jug dhe juglindje të qytetit. “Në këtë kuadër është edhe projekti i ri i bulevardit, i cili krijon një rrugë zhvillimi në të dy krahët e tij dhe po ashtu janë dy brigjet e lumit të Tiranës, shumë më i madh se lumi i Lanës, që përshkon qendrën e qytetit, potencialet për zhvillimin e qytetit, për zgjerimin e hapësirave rekreative, parqeve të gjelbra, kënde për fëmijët, shkolla, çerdhe, spitale, kinema, teatro dhe njëkohësisht një mundësi për të zgjeruar territorin e biznesit në Tiranë, pasi qyteti duhet të ketë gjithçka që i nevojitet, ku mund të gjesh atë që kërkon jo vetëm në qendër, por kudo”, - ka shtuar më tej Basha. Konsujt e nderit të Shqipërisë në botë, duke vlerësuar projektet e përcaktuara nga Bashkia për zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës, shprehën angazhimin e tyre për të bërë promovimin e Tiranës në vendet e tyre dhe për të nxitur biznesin të shohë mundësinë e investimit në kryeqytetin shqiptar.

Thirrja për investimet

“Në terma ekonomikë prezenca juaj ka një vlerë të shtuar. Për një kohë të gjatë me vendet tuaja kemi pasur marrëdhënie për kërkim ndihme dhe asistence, por ne sot shohim mundësinë që vendet tuaja të shikojnë mundësitë ekonomike për të investuar në Shqipëri, e këto mundësi janë më të mëdha në Tiranë. Mbi 30% e GBP-së prodhohet këtu, në qytetin më të madh. Tregu që përfaqëson Tirana është i ri, i motivuar dhe i kualifikuar.”

450 milionë euro

për punët publike

Aktualisht ka nisur puna në terren për gjetjen e sasive të mëdha të tokës në periferi të qytetit për të vendosur parqe teknonologjike, por pa përjashtuar industritë që po operojnë tani në Shqipëri. Në bashkëpunim me këto të fundit Bashkia ka planifikuar që të shpenzojë shumën prej 450 milionë euro për realizimin e punëve publike, si në ndërtimin e unazave, zgjerimin e bulevardit, dy linjat e tramvajit me një kombinim prej 20 kilometrash.

Terminali për

trenat e autobusët

Pjesë e zhvillimeve të kryeqytetit, për të cilat është ftuar sektori privat të bashkëpunojë, është edhe ndërtimi i një terminali të ri për trenat, autobusët etj, duke përfshirë edhe qendra tregtare. Njëkohësisht do të jenë edhe shumë projekte të tjera, që kërkohen të realizohen në bashkëpunim me sektorin privat. Megjithatë, kryebashkiaku Basha ka vënë theksin te zhvillimi ekonomik dhe punësimi si prioritet e këtij mandati.

Lehtësirat për biznesin

Për të lehtësuar thithjen e investimeve, së shpejti do të instalohet në kryeqytet edhe ndalesa one-stop-shop. Ndërkohë që në maj të vitit të ardhshëm do të jetë gati plani i ri urbanistik, me projektet e detajuara për infrastrukturën e kryeqytetit. Sipas ekspertëve, kombinimi i këtyre dy nismave lehtëson punën për bizneset, pasi nuk do të duhen më shumë se 45 ditë që këto të nisin aktivitetin, duke shmangur procedurat burokratike.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›