E Diel, 1 Nëntor 2026

Dritero Agolli: Ne kujtime te shkruhen te verteta jo thjesht takime

30/11/2011  Klik Ekspo Group vizitohet nga shkrimtari i madh Dritëro Agolli

Shkrimtari i madh Dritëro Agolli është përballur me një surprizë shumë të bukur në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga shoqëria Klik Ekspo Group. Me rastin e 80-vjetorit të lindjes, drejtuesit e shoqërisë Klik Ekspo Group kanë ndërtuar një stendë të kushtuar tërësisht veprës së shkrimtarit të madh. Adhuruesit e shumtë të shkrimtarit kanë pasur mundësinë të shijojnë emocione të krijuara nga veprat e paraqitura në stendën “Dritëro”, por edhe të takojnë e komunikojnë me shkrimtarin e madh Dritëro Agolli.

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës në ketë edicion i ka lenë një hapësirë të konsiderueshme artit. Vizitorët kanë mundësinë të shijojnë bukurinë e filmit shqiptar në stendën e Albafilm, vlerat e librave artistikë dhe gazetave, botuesit e të cilëve kanë stenda të shumta në ketë panair, të vlerësojnë pikturën dhe muzikën e pranishme.

Vizitori i famshëm, por dhe një nga penat më të shquara të Shqipërisë, Dritëro Agolli së bashku me bashkëshorten Sadijen, preku dje nga afër këto vlera nën shoqërimin e drejtuesve të shoqërisë Klik Ekspo Group. “Zënia vend në panair edhe e sektorit të kulturës si libri, piktura etj., e pasurojnë këtë panair. E çliron, nuk e bën monoton vetëm me gjera industriale. Pasurimi edhe me kulturë paraqet edhe faktin se organizatorët nuk kanë thjesht vetëm interes material, por edhe interes për të propaganduar kulturën, artet e ndryshme, si dhe për të hapur një perspektivë se mund të organizohen edhe panaire të tilla siç është ai i librit, pikturës dhe i skulpturës”, thotë shkrimtari i madh Dritëro Agolli.

I pyetur nga gazetarët e pranishëm për mundësinë e një libri të ri për botim, shkrimtari Dritëro Agolli përgjigjet: “Unë në botim nuk kam, por kam në sirtarë. Disa i kam në sirtarë, disa në mendje, por edhe mendja sirtar është, se është me kocka dhe brenda janë germat”. Ndërsa, i pyetur mbi mundësinë e përmbledhjes në një libër të kujtimeve të tij, Agolli thotë se, “unë e kam filluar ketë punë. Kam shkruar disa faqe, rreth 50, por jam në lëkundje. Them ta mbaroj, apo ta lë fare. Pse? Sepse ka gjëra që nuk i thua dot të plota, të vërteta. Pasi do të zemërosh disa njerëz. Të tjerë do t`i dëshpërosh, por edhe sikur të kenë vdekur ata lloj personazhesh me të cilët ke pasur konflikte, janë fëmijët e tyre, janë të afërmit. Kështu që është tepër vështirë të shkruash kujtime. Të shkruash takova filanin, bëra këtë muhabet, është kot, janë gjepura. Duhet të shkruash të vërtetën siç është. Kjo më mban të stepur. Pastaj janë dhe djajtë që bëhen gjithnjë e më shumtë që më frenojnë. U bënë 80 djaj. 80 vjeç jam sot, por kujtimet nuk mund të shkruash kur je 20 vjeç”.

Në vijim, i pyetur mbi pozicionimin e intelektualit në shoqërinë shqiptare, shkrimtari Dritëro Agiolli thotë se, “një pjesë e madhe intelektualëve janë të afruar në partitë që ka ky vend. Në të gjitha llojet e spektrit politik janë edhe shkrimtarë, poetë, prozatorë, por edhe piktorët, skulptorët etj. Kështu që kjo gjë, ata që nuk janë të formuar plotësisht i pengon, sepse ai mund të ketë mendimet e tij, mund të ketë mendime socialiste, nuk ke çfarë i bën. Tjetri mund të ketë mendime të Partisë Demokratike, të ballistëve, nuk ke ç’i bën mendimeve. Por, e vërteta, shoqëria dhe natyra nuk janë siç e dëshiron njëri apo tjetri. Natyra është e përgjithshme dhe letërsia ka të drejtë të pasqyrojë gjithë fenomenet me realitetin siç është. Si të jetë e vërtetë, pa imituar. Siç thotë Gëtja, “ai shkrimtar që imiton natyrën, është si krimbi që vjen pas elefantit”.

Shkrimtari Dritëro Agolli vizitoi edhe stendën e Albafilm, ku pa nga afër një hapësirë të madhe që i ka kushtuar shoqëria Klik Ekspo Group në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës kompanisë shtetërore Albafilm, ku dhjetëra objekte krejt të veçanta dhe të papara ndonjëherë janë në ekspozim. Kështu, kamerat e vjetra, prodhuar para dhjetëra dekadave, bobina që mbajnë regjistrime origjinale, veshje të personazheve më të famshme të filmave shqiptarë tashmë të memorizuar nga të gjithë, makina të vjetra dhe shumë objekte të tjera janë ekspozuar nga Albafilm.

Në përfundim të vizitës në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, shkrimtari i madh Dritëro Agolli tha: “Ky panair është më i madhi në vend. Ai bën nder Shqipërisë. Siç e kam thënë dhe herë tjetër, të vij këtu një shkrimtar është një kënaqësi, sepse është një panair i shumë produkteve, ku vijnë njerëz që vizitojnë dhe kënaqen me këtë ekspozitë. Dhe, duke shikuar dhe produkte të tjera, zgjatin kokën dhe në libra, në stendat që mund të kenë libra, megjithëse këtu librat janë më të rralla se produktet e tjera. Baza këtu nuk është libri, por janë produktet e industrisë e ekonomisë së vendit dhe të huaj. Por, siç e thashë, duke vizituar njerëzit këto produkte, mund të vizitojnë dhe ndonjë stendë me libra. Shkrimtarit i bëhet qejfi që, në mes këtyre gjërave është prezent dhe ai vetë. Por, kryesore këtu është kjo që thashë unë, që tregon dhe një interes të madh, jo vetëm të firmave tona të vendit, por dhe të vendeve të tjera. Këtu është si një qytet i kësaj industrie, i kësaj ekonomie”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›