Tirana, muze të genocidit kundër shqiptarëve
TIRANE- Kryeministri Sali Berisha i kërkoi sot kreut të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha që Tirana duhet të ketë një muze të genocidit kundër shqiptarëve. Propozimi i kryeministrit u bë gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës kundër gjenocidet serb ndaj shqiptarëve të Kosovës Për të mos harruar, iniciativë e Bashkisë së Tiranës.
Zoti kryetar, është e domosdoshme që Tirana, kryeqytetin e vendit, të ketë një muze të veçantë për kalvarin e shqiptarëve këto dy shekuj, sepse për ne, harresa do të ishte turpërim i madh, do të ishte e pafalshme! Ne flasim dhe njohim disa nga masakrat, por ju garantoj se në çdo territor të këtij vendi që kufizohet me të tjerë kalohet mbi të vdekur, të rënë vetëm e vetëm se ishin shqiptarë. Kjo është mënyra më dinjitoze për të ndërtuar marrëdhëniet e reja me kombet e vendet përreth, për të ecur të sigurt drejt së ardhmes që meritojmë. Ndaj, edhe Tirana duhet të ketë një muze të genocidit kundër shqiptarëve, në mënyrë që brezat, fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë të shohin se cilat ishin sakrificat e paraardhëse të tyre, cila është drita që i udhëheq ata drejt së ardhmes që meritojnë:- u shpreh Berisha.
Më tej në fjalën e tij, kryeministri Berisha vlerësoi, se asnjë komb tjetër, pas kombit hebre, nuk ka njohur genocide, spastrime etnike, krime kundër njerëzimit, siç kanë njohur shqiptarët, sipas tij, të paktën që nga Lidhja e Prizrenit e deri në fund të shekullit që lamë pas.
Kryeministri i shprehi mirënjohjen përfaqësuesit të familjes, se komandantit legjendar Adem Jashari, Murat Jashari.
Nderimin më të madh e mirënjohjen më të thellë ndaj sakrificës së madhe të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij.- tha Berisha.